
Nga Brixhilda Xhuraj, Rajmonda Basha
Largimi i mjekëve të sapokualifikuar nga Shqipëria është një çështje që e ka përndjekur vendin gjatë një dekade të tërë.
Ajo madje u kthye në një temë diskutimi mes kancelarit gjerman (vend i cili ka parë rritjen më të madhe të të larguarve), Olaf Scholz, dhe kryeministrit Edi Rama.
Ky i fundit u shpreh se duhen gjetur mënyra ose mekanizma që Shqipëria të mos jetë financues i drejtpërdrejtë i sistemit shëndetësor gjerman.
Katër muaj pas kësaj deklarate, Rama përballë gazetarëve prezantoi edhe një projektligj që pretendohet se do të jetë rregullator i problemit nga brenda vendit.
Numri një i Qeverisë u tha studentëve të mjekësisë se tashmë do të duhet të punojnë për pesë vjet në Shqipëri përpara se të marrin diplomat.
Logjika sipas tij është e thjeshtë.
“Studentët e mjekësisë paguajnë 1/16 e kostos dhe tjetrën e paguan Qeveria. Kjo në një kohë kur të gjitha vendet kanë nevojë për forcë të kualifikuar dhe të pakualifikuar pune dhe vende si Shqipëria po humbasin”.
Studentët, nga ana tjetër, e kanë parë këtë si kushtëzim dhe shkelje të të drejtave të tyre duke paralajmëruar edhe një protestë që pritet të zhvillohet këtë të enjte të 6 korrikut.
Por sa legjitim është ky projekt-ligj? A është mënyra e duhur për të frenuar emigrimin? Çfarë ndikimi pritet të ketë dhe si mund të zgjidhet situata?
Për këto pyetje, Albanian Post ka folur me ekspertë të fushës të cilët kanë dhënë mendimin dhe qëndrimin e tyre.
Profesor, Arjan Gjonça, i London School of Economics, u shpreh për AP-në se adresimi i kësaj çështje ose i emigrimi i të rinjve në përgjithësi është “shumë i vonuar”.
Gjonçaj, i cili ka shërbyer si kryetar i Komisionit për Reformën e Arsimit të Lartë në Shqipëri në vitet 2014-2020 u shpreh se “plakja e popullsisë si rezultat i emigracionit, ka ndikuar në tregun e punës”.
“Në sektorin e shëndetësisë mendoj se situata është më alarmante se sa në sektorët e tjerë. Kjo, për arsye se punësimi jashtë vendit në këtë profesion është gati i garantuar, me vende si Gjermania dhe Italia, që marrin një pjesë të madhe të të diplomuarve tanë në këtë sektor”, thotë eksperti duke vënë në dukje se e gjithë Evropa ka mungesë të specialistëve të shëndetësisë.
Sa i takon kësaj të fundit, në vitin 2021, një raport i organizatës “Together for Life” tregoi se numri i mjekëve shqiptarë të diplomuar në shkollat shqiptare dhe që aktualisht punonin në Gjermani ishte vetëm 521.
Por, vendi jonë, sipas studimit ka shkallën më të ulët të mbulimit të kujdesit shëndetësor për popullsinë, me 1.2 mjekë për 1 mijë banorë.
Ama Gjonçaj thekson se është një e drejtë e çdo individi të lirë – e drejta e lëvizjes së lirë dhe e drejta për t’u punësuar atje ku e gjen ai/ajo të mundur të punësohet.
“Është dhe një nga të drejtat e qytetarëve të BE-së, ku ne dhe dëshirojmë të aderojmë”, thotë ai.
Nga ana tjetër, për të, kontrata është një marrëveshje kontraktuale, midis shtetit dhe individit që do të studiojë në sektorin e shëndetësisë, “pra janë të lirë të dyja palët ta firmosin”.
Ndyshe mendon, Ndriçim Mehmeti, ekspert arsimi në Shqipëri, i cili shprehet se projektligji është krejtësisht “antikushtetues”.
Ai për Albanian Post citon “Neni 57” të Kushtetutës së vendit
“1.Kushdo ka të drejtën për arsimim. 2.Arsimi shkollor i detyrueshëm caktohet me ligj. 3.Arsimi i mesëm i përgjithshëm publik është i hapur për të gjithë. 4.Arsimi i mesëm profesional dhe i lartë mund të kushtëzohet vetëm nga kritere aftësie. 5.Arsimi i detyrueshëm, si dhe arsimi i mesëm i përgjithshëm në shkollat publike është falas. 6.Nxënësit dhe studentët mund të arsimohen edhe në shkolla jopublike të të gjitha niveleve, të cilat krijohen e funksionojnë në bazë të ligjit. 7. Autonomia e institucioneve të arsimit të lartë dhe liria akademike janë të garantuara me ligj”.
Kështu për Mehmetin, arsimi është falas, që do të thotë se “kostot i paguan shteti dhe nuk janë detyrim i familjeve shqiptare sikundër përmendi Rama”.
“Është tërësisht e papranueshme mbajtja peng e diplomës apo detyrimi për të punuar pesë vjet në Shqipëri. Askund nuk ka një ndalesë të tillë, në asnjë vend nuk ka asnjë model të tillë”, thotë ai duke shtuar se “Franca e ka tarifën 197 euro për studimet në mjekësi dhe Gjermania falas”.
Ai thekson se, studentët mund ta “godasin si të paligjshëm në Gjykatë këtë vendim”.
Ekspertët ndajnë këndvështrime të ndryshme edhe sa i takon edhe ndikimit që do të ketë miratimi i këtij projektligji te maturantët që dëshirojnë të regjistrohen në Fakultetin e Mjekësisë.
Gjonçaj thotë se nuk beson se kjo “do të influencojë shumë ofertën e tyre, sepse ndoshta garantimi i punësimit dhe i specializimit mund të kenë efektin e kundërt”.
Nga ana tjetër Mehmeti shprehet se do të ketë një ndikim të drejtpërdrejtë në ofertën e tyre.
Por të dy bien dakord në një pikë.
Këta studentë mund të preferojnë universitetin jo-publik, ose do shkojnë për studime jashtë shtetit.
“Mendoj se VKM-ja pra projektligji, do të sjellë më shumë fluks të studentëve që do të shkojnë jashtë vendit dhe në arsimin privat në Shqipëri, pasi nuk do t’i kenë asnjë detyrim shtetit shqiptar”, thotë Mehmeti.
Ai ravijëzon se, mund të ndodhin njëkohësisht dy fenomene.
“Emigrimi i mjekëve dhe studentëve të mjekësisë. Studentët që do të hyjnë në këtë klauzolë që vendos Qeveria mund t’i shmangen fare lehtësisht duke transferuar studimet e tyre jashtë vendit, ndërsa të tjerët me gjasë do të jenë të gatshëm të paguajnë klauzolën e lirimit nga detyrimi për të qëndruar në Shqipëri”.
Për pagesën e klauzolës Rama nuk dha detaje, por tha se së shpejti do të bëhet publike.
Nëse për një moment supozohet se mund të bëhej diçka ndryshe për të parandaluar këtë ikje masive, çfarë do të ishte ajo?
Gjonçaj e sheh zgjidhjen më të skematizuar, të ndarë në tri kategori.
E para është ajo afatshkurtër, ku sipas tij, mund t’ju ofrohet studentëve tre vjet kontrata me detyrim dhe për ata që janë në sistem, me dy vjet.
“Zgjidhje afatmesme, kërkon negocimin me vendet e destinacionit (Gjermania dhe Italia). Me këto dy vende mund të bëhet një marrëveshje dypalëshe për emigracionin e punonjësve të specializuar (ose edhe të shëndetësisë), ku vendoset që të mos punësojnë punonjës të specializuar pa pasur pesë vite eksperiencë pune në vendin e origjinës”.
Por të dyja zgjidhjet e lartpërmendura shërbejnë si “dalje” të përkohshme, pasi për profesorin duhet të shihet më shumë bashkëpunimi rajonal me vendet e Ballkanit.
“Mund të shohim ishujt e Karaibeve me programin e menaxhimit të emigracionit të punonjësve të shëndetësisë. Për sa i përket nismave në Ballkan ne duhet të mësojmë që shumë probleme zgjidhen së bashku dhe jo vetëm. Madje do shtoja që kjo mund të ishte një mundësi e mirë për të filluar thyerjen e akullit që ekziston midis vendeve”.
Nga ana tjetër, Mehmeti është më pragmatist. Ai thotë se Qeveria duhet të bëjë më shumë: të investojë, të ngrejë dhe financojë strukturat e kërkimit shkencor në bashkëpunim me Universitetet më të mira të Evropës dhe botës.
Për të problemi zgjidhet kur shteti “garanton meritokracinë në karrierë dhe jo trashëgiminë”.
“Padyshim që pagat dinjitoze dhe kushte e punës duhet të jenë të atilla që të jenë joshëse. Me VKM dhe ligje shtrënguese, nuk mund të kemi mjekë të përgatitur dhe mjekësi të përparuar”.
Teksa këto mbeten mendime të dy ekspertëve, pritet të shihet se çfarë do të kërkojnë vetë studentët sot.
A do të jetë kjo një protestë si të tjerat, pa asnjë rezultat???
Le te emigrojne pasi te permbushin kontraten, Jo ciqitemen Shqiperise!
PO MI SHOQE PO ,POR EDHE JOPUBLIKU FINANCOHET NGA SHTETI , FUKESHTU QE LIGJI ESHTE EDHE PER JO PUBLIKUN............PO ,,JASHTE VENDIT AI ESHTE I LIRE TE BEJE SI TE DOJE
Po krijohet nje konfuzion per hiç gje. Eshte e vertete qe studentet ne EU pas diplomimit levizin per punesim ne vënde të tjera,por ama kush i ka ndjekur studimet të paguara nga vetja eshte i lire,ndersa kush eshte i financuar nga shteti edhe mund të largohet,por duke paguar detyrimin financiar. Keshtu qe studentet e mjekesise duhet të informohen me mire sepse duke u nisur nga arsyetimet qe japin disa „perfaqesues“studentore se gjoja ky ligj shkel të drejtat dhe lirite themelore,eshte pretendim i pa aresyeshem,per të mos thene qe eshte anarshi. Ligji eshte detyrim qytetare per tu zbatuar.
Po nuk patet deshire te punoni per popullin tuaj, dhe kjo edhte plotesishte e dukshme, me mire largohuni nga shkolla dhe shkoni nga syte kembet. Populi thot : " me mire djepja thate ,se shejtani brenda" Po,po ju jeni shejtani brenda dhe kete po e tregoni. Thote mire nje komentues. Doni te largoeni ? Dakort. Shkoni e studioni ne gjermani ,ose tek privati . Nuk kemi detyre ne tu mbajme me leket tona dhe te shkoni per ti lare bythen gjermaneve e gjermankave. Dukeni qe ne reagime se qellimi juaj eshte te perfundoni shkollen e te largoheni. Kush jam une qe po shkruaj keshtu ? Une jam ai qe per 40 vjet,nga fusha e deri ne malesi mesova dhe edukova prinderit tuaj, te cilet besoj se kane punuar ne fronte te ndryshme te atdheut dhe krenohem me punen e tyre.
Nese nje student mendon se do beje para duke punuar ne Gjermani apo Itali si mjek atehere nuk shoh asnje pengese qe ky te marre nje kredi konsumatore ne banke . Pasi te marre dipllomen duke likujduar pagesen e duhur dhe çliruar veten nga detyrimi per te punuar ne Shqiperi te shkoje te floje pune ne Gjermani dhe me parte qe do te fitoje likujdon banken dhe blen edhe nje apartament ne Gjermani dhe jaton si bos .