Po sikur mjeku yt të ishte një robot? Po sikur qeveria të zëvendësohej nga një algoritëm? Po sikur mendimet e tua, të mos të të përkisnin më vetëm ty?
Në këtë episode të Apostrof Podcast, bisedojmë me inxhinierin biomjekësor Ermand Mërtenika në lidhje me të ardhmen e çudtishme – që në fakt kemi nisur ta jetojmë – ku robotët asistojnë në ndërhyrje kirurgjikale, ndërsa inteligjenca artificiale gjithnjë e më shpesh po ndihmon në marrjen e vendimeve mjekësore dhe mikroçipe si Neuralink po ndihmojnë personat që përballen me paralizë të gjymtyrëve, verbërinë, apo edhe probleme të ndryshme neurologjike, por paraqesin njëkohësisht edhe mundësinë e leximit të mendimeve dhe ndryshimit të mënyrës së komunikimit mes njerëzve.
Kjo mund të tingëllojë e gjitha si fantashkencë, por një pjesë e mirë e ketyre teknologjive janë tashmë të aplikuara, ndërsa po punohet për vendosjen në praktikë edhe të aspekteve më futuristike të tyre.
Përgjatë bisedës me Mërtenikën, ndalemi tek inteligjenca artificiale dhe revolucioni që ajo po shkakton në mjekësi, nga përshpejtimi i procesit të diagnostikimit të sëmundjeve, tek ndërhyrjet kirurgjikale përmes krahëve robbotoikë si Da Vinci dhe Magellan, por edhe te paaftësi deri tani e shkencës dhe teknologjisë për të zgjidhur një nga shkaqet më të shpeshta të vdekjes tek njerëzit, siç është kanceri. Siç shprehet Mërtenika, kemi ndërtuar makineri që operojnë me precision mikroskopik, por e kemi akoma të pamundur të rishkruajmë AND-në njerëzore për të shmangur kancerin.
Bisedojmë gjithashtu për fenomenin Dr. Google dhe Dr. ChatGPT, ku një numër i konsiderueshëm njerëzish duket se priren të vetëdiagnostikohen përmes platformave online para se të takojnë një mjek, si edhe rreziqet që sjell kjo qasje ndaj shëndetit. Mërtenika thotë se, me gjithë morinë e informacionit që Google dhe sidomos ChatGPT mund të na japë, këto platforma nuk kuptojnë kontekstin dhe nuk bëjnë dot një seleksionim të informacionit, çka në shumicën e rasteve i bën ato që të ushqejnë frikërat dhe panikun tonë, duke shtuar nivelin e kortizolit në organizëm, dhe duke rritur mundësinë e prekjes nga sëmundjet për këtë shkak. Ironikisht, dëshira jonë për të gjetur përgjigje rreth shëndetit dhe simptomave, mund të na bëjë të priremi për t’u sëmurur.
A po na bën teknologjia dhe inteligjenca artificiale më të ditur, apo më ankthiozë? Mbi të gjitha, a po heqim dorë pak nga pak nga aftësia për të menduar në mënyrë kritike, duke e dorëzuar tek pronarët e Big Tech, kur paraardhësit tanë luftuan pikërisht për këtë gjë kundër elitave ekonomike, politike dhe religjioze të lohës së tyre?
Ndiqni më poshtë episodin e plotë të Apostrof Podcast për përgjigje në lidhje me këto pyetje:
Algoritmet jane fundi i mjekesise! Mjekesia per te varferit do behet me algoritma, te pasurit do vazhdojne te shkojne tek mjeku.