Çahet argjinatura e lumit Seman në fshatin Alibejas. Përmbyten tokat bujqësore deri në fshatin Hasturkas dhe Ndërnënas.

13 Janar 2026, 13:04Sociale TEMA

Çahet argjinatura e lumit Seman në fshatin Alibejas. Përmbyten

Prefekti i qarkut Fier, Anduel Xhindi bëri të ditur sot se nga dalja e lumit Seman nga shtrati ka prezencë të lartë uji në rreth 25 banesa dhe disa stane me bagëti të imta, si dhe është bërë evakuimi i 5 familjeve në fshatin Ndërnënas, të njësisë administrative Libofshë

Sipas prefektit Xhindi, nga çarja e argjinaturës së lumit Seman në fshatin Alibejas, janë përmbytur tokat bujqësore deri në fshatin Hasturkas dhe Ndërnënas.

Prefekti theksoi se nga situata e krijuar nuk ka dëme në jetë njerëzore, por janë evakuuar 5 familje.

“Në Hasturkas ka prezencë të lartë uji në rreth 20-25 banesa dhe disa stane me bagëti të imta. Është bërë evakuimi i 5 familjeve në fshatin Ndërnënas të cilët janë vendosur te familjarë të tjerë. Po ashtu është bërë evakuimi i bagëtisë në shumicën e staneve”, thuhet në njoftimin për shtyp të Prefektit.

Problematike, sipas tij, “është fakti i izolimit nga uji të një stani me rreth 200 kokë dele”.

“Trupat e Forcave të Armatosura po shikojnë mundësinë e nxjerrjes edhe të bagëtive të izoluara. Në terren po operojnë 25 trupa të FA-së me dy mjete te kalueshmërisë së lartë dhe 2 motobarka për evakuim njerëzish. Po ashtu në zonë po veprojnë 10 efektivë të MZSH-së Fier dhe 25 efektivë të Policisë së Shtetit”, bëri të ditur Xhindi.

Sipas tij, akset nacionale dhe rurale janë të kalueshme normalisht dhe furnizimi me energji elektrike dhe ujë të pijshëm është në normalitet.

Ndërsa hidrovoret janë në gjendje pune dhe në gatishmëri të plotë.

Lini një Përgjigje