Aktivistja për mjedisin Denisa Kasa: Po mësojmë t’i frikësohemi sërish detit! Ja cilat janë arsyet (VIDEO)

8 Mars 2026, 15:05Sociale TEMA
Aktivistja për mjedisin Denisa Kasa: Po mësojmë t’i

Marrëdhënia jonë bashkëkohore me detin dhe lumenjtë është shumë më e vonë nga sa e imagjinojmë. Për shekuj me radhë, deti shihej jo si një vend shplodhjeje, por si burim frike e pasigurie. Siç shkruan filozofi francez Alain Corbin në librin e tij “ Le Territoire du vide”, para shekullit të 18-të, njerëzit ishin tejet dyshues ndaj oqeanit por edhe ndaj lumenjeve. Frika e tyre formësohej nga leximet biblike, mitet për krijesat e panjohura dhe imazhi i Përmbytjes së Madhe biblike.

Ky perceptim ndryshoi gradualisht në shekujt e 18-të dhe 19-të, ndërkohë që shumë qytete europiane po mbipopulloheshin dhe si rezultat, po bëheshin më të ndotura. Në vende si Anglia, ku higjiena publike ishte në gjendje mjaft të keqe, jeta urbane po bëhej mbytëse. Në këtë kontekst, deti dhe lumenjtë u shndërruan gradualisht nga vende të rrezikshme, në hapësira shplodhjeje.

Ky reflektim historik është pjesë e një bashkëbisedimi më të gjerë në episodin e 60-të të Apostrof Podcast me aktivisten për mbrojtjen e mjedisit, Denisa Kasa, puna e të cilës fokusohet kryesisht tek mbrojtja e lumenjve në Shqipëri. Nisur nga përvoja e saj në dokumentimin e ndotjes së lumenjve dhe komunikimet me komunitetet lokale, Kasa shpjegon ndër të tjera se si marrëdhënia jonë me natyrën po ndryshon sërish.

Por, dallimi këtë herë është se frika jonë ndaj natyrës po rikthehet për arsye të ndryshme. Në qytete bregdetare si Vlora apo Durrësi, njerëzit po hezitojnë gjithmonë e më shumë para se të hyjnë për të notuar në det. Zona të caktuara shmangen sepse aty shkarkohen kanalizimet, ndërsa të tjera sepse lumenjtë derdhin aty ndotjen që sjellin me vete.

Në këtë kuptim, duket se historia po përsërit vetveten në një mënyrë të papritur. Ndërsa brezat e mëparshëm i trembeshin detit sepse nuk e kuptonin, ankthet e sotme lindin nga diçka shumë më e qartë, siç janë pasojat e dukshme të ndotjes, zgjerimit urban dhe neglizhimit mjedisor.

Dikur deti dhe lumenjtë ofronin mundësi për t’u arratisur nga degradimi i jetës urbane, por sot, siç sugjeron Kasa, dilema është nëse natyra mund ta luajë akoma të njëjtin rol, sa kohë presioni ndaj saj rritet.

Ndiq episodin e plotë të Apostrof Podcast:

Bota po shkon drejt "falimentimit të ujit!" Ç’ndodh me Shqipërinë ? | Denisa Kasa | Apostrof #60