Në shoqërinë tonë, djemtë shpesh nuk lejohen të jenë thjesht fëmijë, por rriten me idenë se duhet të bëhen burra shumë herët. Por çfarë ndodh kur e shkurtojmë fazën e brishtë të formimit emocional dhe e zëvendësojmë me një barrë të parakohshme përgjegjësie?
Në episodin më të ri të Apostrof Podcast, Klaudia Hasanllari — doktore në shkencat e kriminologjisë — flet për presionin kulturor që ushtorhet ndaj djemve për t’u burrëruar para kohe. Ajo shpjegon se si ky presion shpesh prodhon individë të frustruar, të pasigurt, e për rrjedhojë edhetë dhunshëm, pasi nuk kanë patur mundësinë të përjetojnë ndjeshmërinë e adoleshencës dhe zhvillimin emocional që kërkon koha e vet.
"Ne kemi djem, të cilët janë fëmijë dhe burra. Fjala 'djalosh' mungon. Djemt tanë bëhen burra që në moshë të vogël të hershme, duke ju thënë 'ti je burrë', 'ti duhet të kujdesesh për mamanë, për motrën', ndërkohë që harrojmë që janë thjesht fëmijë. Janë thjesht djem dhe kanë nevojë të kalojnë nga fëmijë në djem, pastaj në burra dhe kjo periudha tranzitore e të qenit thjeshtë djem.
Ky nxitimi për t'i burrëruar kaq shpejt djemtë, nuk po na sjell ndonjë gjë pozitive. Përkundrazi, po na sjell burra agresivë, të dhunshëm, të frikësuar, se dhuna në vetvete çfarë tregon? Është intimidim. Një person i cili është i zhvilluar emocionallisht, kurrsesi nuk bëhet i dhunshëm, se nuk intimidohet, nuk frustrohet. Fakti që ne kemi një shoqëri meshkujsh që janë të dhunshëm, do të thotë që ne kemi meshkuj të frustruar, problematikë, që problemin e kanëme veten."
Dhuna, siç shprehet thotë Hasanllari, është pasojë e frikës dhe e pasigurisë. Dhe pasiguria, në shumë raste, fillon në familje. Aty ku djemve nuk u lejohet të jenë të dobët, të ndjeshëm, të luhatshëm. Aty ku emocionet përkthehen si dobësi, dhe burrëria si barrë që duhet mbajtur për të tjerët.
Lini një Përgjigje