Në episodin më të fundit të Apostrof Podcast nga Bjorn Runa, mjekja Albana Daka ndan një histori nga praktika e saj e përditshme, ku një vajzë 14-vjeçare nuk ishte ushqyer asnjëherë me vakte të gatuara në shtëpi. Që nga mosha 2-vjeçare, vaktet e konsumuara prej saj vinin gjithmonë të porositura nga jashtë, kryesisht fast food dhe ushqime të procesuara.
Mund të tingëllojë si një histori e thjeshtë keqprindërimi, por në fakt përbën një ndryshim më të thellë kulturor. Në shumicën e rasteve, ne e shohim ushqimin e shpejtë si diçka që mund t’ia lejojmë vetes herë pas here, apo një mënyrë për të kursyer kohë, por ç’ndodh kur ai kthehet në të vetmin ushqim që një fëmijë ka marrë gjatë gjithë jetës së tij? Kur shija nuk formësohet më përmes variacionit, stinëve, apo traditës, por nga shije të standartizuara, ushqime të gatshme dhe dëshira për të kursyer kohë?
Dr. Daka shprehet se, veç pasojave të qarta ndaj shëndetit fizik, si obeziteti apo mungesat e nutrientëve, këta fëmijë janë shfaqin gjithnjë e më shpesh problematika të shëndetit mendor. Truri, thotë Daka, është një nga organet e para që vuan kur trupi privohet për një kohë të gjatë nga mikronutrientë të rëndësishëm. Por, nëse simptomat fizike janë të dukshme, efekti i kequshqyerjes në shëndetin mendor dhe emocional mund të kalojë pa u vënë re derisa nis të shfaqet në formën e ankthit, depresionet, apo vështirësive të sjelljes.
Por, nëse si shoqëri po rrisim një brez të tërë me shije të standardizuara të krijuara në laborator, paketime plastike dhe ushqim të gatshëm, çfarë impakti do të ketë kjo në të ardhmen tonë? Një brez, i cili po humbet lidhjet jo vetëm me elementët ushqyes, por edhe me aspektin kulturor dhe emocional që vjen me ushqimin e vërtetë.
Ndiq episodin e plotë të Apostrof Podcast: https://youtu.be/DpiwXEObV6o
Lini një Përgjigje