Bonusi i qirasë për banorët e pallatit të djegur, Dango: Më 27 prill dorëzohen dokumentet, dëmshpërblim edhe për orenditë shtëpiake

24 Prill 2026, 11:25Sociale TEMA
Bonusi i qirasë për banorët e pallatit të djegur, Dango:

Ndihma financiare që do të përfitojnë banorët e pallatit të përfshirë nga flakët disa javë më parë pranë QSUT-së, do të jetë 40 mijë lekë. Drejtori i Mbrojtjes Civile dhe Shërbimeve për Qytetarin në Bashkinë e Tiranës, Dritan Dango, i ftuar në “Mirëmëngjes Shqipëri”, bëri me dije se kjo vlerë u vendos në bazë të çmimit të referencës sipas zonës.

Ai sqaroi se drafti i miratuar një ditë më parë nga Këshilli Bashkiak i Tiranës dhe që u firmos më pas nga prefekti Shkëlqim Hajdari, do të kalojë sot në mbledhjen e Këshillit të Ministrave.

Ai theksoi se banorët e prekur do të duhet të paraqiten ditën e hënë (27 prill) në Njësinë Administrative Nr. 4 për të dorëzuar dokumentacionin përkatës, i cili përfshin certifikatën e pronësisë dhe numrin e llogarisë bankare, në mënyrë që Bashkia të bëjë derdhjen e ndihmës financiare në llogaritë e qytetarëve.

“Situata ishte shumë e ndjeshme dhe prekeshin shumë banorë, ndaj u mendua që të ofrohej një ndihmë financiare. Duke parë që bonusi i qirasë është një program tjetër, u vendos të jepej si ndihmë financiare për strehim vlera prej 40 mijë lekësh. Shuma u caktua bazuar në vlerësimin e INSTAT-it për çmimin e referencës në atë zonë. Çmimi mesatar aty shkon në 40 mijë lekë. Drafti u propozua dhe u miratua unanimisht nga Këshilli Bashkiak. Dje ai u firmos nga prefekti dhe sot kalon në mbledhjen e Këshillit të Ministrave. Të hënën banorët do të paraqiten për të dorëzuar dokumentet dhe më pas Bashkia do të bëjë derdhjen në llogaritë bankare të qytetarëve. Është ngarkuar Njësia Administrative Nr. 4, ku banorët do të paraqiten me certifikatën e pronësisë dhe numrin e llogarisë bankare”, deklaroi ai.

Dango theksoi se shumë shpejt kompania e ndërtimit do të nisë punën për riparimin e fasadës së objektit dhe të shtëpive, të cilat u prekën nga zjarri.

Ai sqaroi më tej se, pas lëvrimit të ndihmës financiare për banorët nga Bashkia e Tiranës, kjo e fundit do të vijojë me hapin e dytë, që është dëmshpërblimi për orenditë shtëpiake dhe elektroshtëpiake.

“Sipas deklarimeve që janë bërë, leja në AZHT ka dalë dhe shumë shpejt kompania do të fillojë riparimin e fasadës dhe të shtëpive. Bashkia e Tiranës, pas ndihmës financiare për strehim, ka dhe hapin e dytë: dëmshpërblimin për orenditë shtëpiake dhe elektroshtëpiake. Në Bashkinë e Tiranës zbatohet një VKM, përmes së cilës çdo muaj dëmshpërblejmë familje që kanë pasur fatkeqësi natyrore, por ato janë raste individuale. Në këtë rast, ndjeshmëria dhe numri i banorëve të prekur ishte i madh”, sqaroi Dango.

Pallati u përfshi nga flakët pasditen e 14 prillit, ndërsa aksioni gjithëpërfshirës i Zjarrfikësve, Emergjencave Civile, Policisë dhe Forcave RENEA bëri të mundur që të mos kishte asnjë jetë të humbur.

Vatra e zjarrit dyshohet se nisi në katin e parë të objektit dhe u përhap më pas për shkak të materialit të fasadës së pallatit.

2 Komente

  1. E
    Ehhhhhh

    Pse duhet shteti te mbaje peshen financiare te nje shkelje ligjore te individeve qe kane dhene lejen dhe kane kolauduar nje ndertese jashte standarteve te ndertimit per sigurine, si dhe pergjegjesine e ndertuesit qe ndertoi nje gerdalle qe ra menjehere dhe vuri ne rrezik jeten e shume banoreve. Cdo lek dem i ardhur dhe tentative per vrasje e trauma te pesuara, si dhe demtimi i pajisjeve dhe koha e qendrimit te banoreve jashte baneses pkus ushqimi duhet te paguhen pikerisht nga abuzuesit dhe perfituesit e medhenj qe nga lejedhenesit, kolauduesit, IMT dhe ndertuesi. Eshte e pakuptimte dhe madje kriminale qe parate e taksapavueave te shkojne per te mbuluar krimin e disa te perkedhelurve te pushtetit. Shtet ndyresire.

    Përgjigjjuni
    1. F
      Fshatari

      Pervec taksave tona ne shesim dhe kombin. Nga nje ane marim ndihma nga te tjeret se nuk kemi fuqi vete e nga na tjeter paguajemm fajtoret per fajet e tyre. Si i thoni ju kesaj? ( sapo lexova se Drejtesia paksa mare ndihma per pasije IT se ne nuk kemi para ti blejme). Ky eshte nje shtet jo vetem ndyresire por edhe antikombetar.

      Përgjigjjuni

      Lini një Përgjigje