Dalina Buzi: Televizionet shqiptare ndryshuan për keq, i hapën ekranet për vulgun dhe dhunën. Sot rëndësi kanë vetëm klikimet

11 Mars 2023, 10:35Sociale TEMA

Dalina Buzi: Televizionet shqiptare ndryshuan për keq, i hapën

Në një komunikim në Instagram, producentja dhe skenaristja Dalina Buzi analizoi se si u krijua një formë komunikimi që i shndërroi televizionet në kanale të dhunshme.

Si e bëmë televizionin të dhunshëm

“Herë pas here dal dhe analizoj mbi ‘Big Brother’. Sigurisht që është e vërtetë që si të gjithëve, na pëlqen të përfshihemi te kjo rryma e madhe e ‘Big Brother’, por edhe sepse ky spektakël ka kaluar çdolloj përmase. Ky spektakël nuk i përket më Top Channel-it, ky spektakël i përket të gjithë shqiptarëve anembanë dhe dikton kohën tonë, dikton mendimet tona, por ndikon edhe standarde në kulturën tonë të komunikimit, qoftë edhe në faktin që koha që po na merr ky spektakël është vëmendja se çfarë po ndodh rreth nesh, përfshirë dhe politikën e zgjedhjet. Kështu që ka një ndikim shumë të madh dhe një ndikim që mund të bëhet shumë i rrezikshëm.” – shprehet ajo.

Për ta vendosur fenomenin e dhunës – kaq i diskutuar gjatë dinamikave brenda shtëpisë së BBVA – në paralelizëm me të shkuarën e televizionit, Buzi iu referua një ngjarjeje të 2011-s, kur ajo ishte drejtoreshë e “Pasdite në Top Channel”. Ajo rrëfeu se kishte vendosur të transmetonte një moment kur një vajze të pranishme në program i kishte rënë të fikët. Vajza në fjalë kishte shkuar në program për të kërkuar që të bashkohej me ish-partnerin dhe pas refuzimit të tij, kishte pësuar shok emocional dhe i kishte rënë të fikët. 

Buzi vuri në dukje se zgjedhja për ta transmetuar momentin e sikletshëm ishte kritikuar nga drejtuesit e Top Channel për shkak se nuk ishte në të njëjtën qasje me linjën editoriale të programeve. Por, pak fare më vonë, kjo qasje ndryshoi totalisht.

“Televizioni po sforcohej shumë ekonomikisht, sepse donte të vazhdonte të mbante rutinën e programeve edukuese, informuese dhe promovuese. Klani asokohe kishte marrë një fuqi reklamuese," thotë në vijim. 

"Me kalimin e kohës, televizioni u hap ndaj vulgut, dhunës, ulërimave, paragjykimeve, homofobisë, sherreve, çdo gjë që bënte zhurmë dhe shitej. Gjithë këto vite ne kemi krijuar vetë një mjedis të dhunshëm. E kemi krijuar, e kemi promovuar dhe kemi përfituar nga mjedisi i dhunshëm.”

Dhuna në televizion dhe thirrjet “mos dhuno!”

Në vijim të komunikimi të saj, Dalina ndalet te çdo “fushatë” ndërgjegjësuese për dhunën në televizion, që është paradoksale për sa kohë një pjesë e konsiderueshme e komunikimit në televizion është i dhunshëm.

“Të gjithë televizionet e kanë përdorur dhunën siç u është dashur. Kanë përdorur dhunën, kanë përdorur gënjeshtrat, konspiracionet, kanë përdorur personazhe të shpikur, personazhe pa asnjë lloj vlere, pa asnjë bagazh, personazhe që dalin nga tiktoku, kanë përdorur tituj të tmerrshëm. Nëse dikur kishte akte sporadike dhe bëheshin diskutime, kjo qasje në televizion u bë gjë normale. 

Sot kemi televizione që kanë gjysmën e programacionit të mbështetur në absolutisht asgjë edukative, sepse nuk dinë sesi ta gjejnë thelbin e të edukuarit, të infomuarit dhe ndërkohë ta monetizojnë atë. Pra, janë përqendruar për të monetizuar gjëra që janë shumë të thjeshta për të përfituar, si dhuna dhe seksi.”

Sidoqoftë, Dalina mbetet optimiste, sepse beson se ka shumë njerëz, përfshirë edhe veten, që janë të gatshëm të sjellin një ajër tjetër.

“Do të bëj gjithmonë një sakrificë financiare për të sjellë një ajër tjetër. Jo vetëm unë, por edhe shumë njerëz të tjerë janë të gatshëm ta bëjnë këtë gjë. Dua të jem një zë tjetër. Në atë cepin tim, s’ka problem. Gjithë ç’po shoh janë shumë të shëmtuara dhe më vjen shumë keq për pikën që është ky vend sot. Por, do të rregullohet”, shprehet ajo.

2 Komente

  1. G
    Gjergji

    Dalina ti je pjese e kesaj dhune, nuk e mohon dot.

    1. S
      Shefi 55

      Rrofsh o Dalina per mesazhin qe perciell, por ty dhe Rudina Xhungenn lexova sot me qejf gjithe artikujt e tjere nuk kane asnje vlere. Megjith shpresen qe kerkon te ngjallni te dyja , sot per sot llumbi ka pushtuar siperfaqe te tera. Qejfi ma ka te jesh nga Buzi i Tepelenes. Te falenderoj!

      Lini një Përgjigje