DPSHTRR reagon pas “bojkotit” të autoshkollave: Nuk ka rritje tarifash, por indeksim. Nuk ishin ndryshuar që prej 23 vitesh

6 Shkurt 2024, 11:57Sociale TEMA
DPSHTRR reagon pas “bojkotit” të autoshkollave: Nuk ka rritje

Autoshkollat kanë bojkotuar për një ditë aktivitetin e tyre, duke mos kryer asnjë shërbim pranë drejtorive rajonale të degëve të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor.

Shkak për këtë vendim, sipas tyre,  është bërë mosinformimi i tyre, si grupe interesi mbi ndryshimin e tarifave të shërbimit nga DPSHTRR-ja apo moszbatimi i udhëzimeve për ndihmën mjekësore dhe kryerjen e pagesave për shërbimin e marrë nga autoshkollat në bankë.

Ndërkaq, në një reagim Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor ka hedhur poshtë bojkotin e plotë nga ana e autoshkollave, pasi sipas saj në bazë të të dhënave statistikore dhe monitorimit të ecurisë së shërbimeve në të gjitha Drejtoritë Rajonale, shërbimet për lejet e drejtimit kanë vijuar normalisht dhe se pjesëmarrja për regjistrime, testime teorike dhe praktike, ritestime, rinovim leje drejtimi si dhe për çdo shërbim tjetër që ofrohet pranë sporteleve, është e njëjtë me çdo ditë tjetër pune.

Lidhur me ndryshimin e tarifave, DPSHTRR thotë se nuk kemi të bëjmë me rritje të çmimit por për rishikim dhe indeksim të tarifave të shërbimeve të lejedrejtimit, të cilat nuk ishin ndryshuar prej 23 vitesh.

“Ky rishikim tarifash vjen si rrjedhojë e ndryshimeve ligjore të miratuara në dakordësim me grupet e interesit, me qëllim rritjen e sigurisë rrugore dhe të standarteve të përcaktuara nga direktivat e bashkimit europian, për ofrimin e shërbimeve për lejet e drejtimit.

Për arritjen e këtyre standarteve, DPSHTRR ka investuar në infrastukturë, modernizimin e proceseve të shërbimit që lidhen me autoshkollat dhe kursantët për leje drejtimi, në thjeshtëzimin dhe harmonizimin e këtyre procedurave si dhe shtimin e zyrave të shërbimit për të qenë sa më pranë qytetarëve”, thuhet në reagimin e e DPSHTRR-së, duke shtuar se tarifat e indeksuara dhe të miratuara janë të pasqyruara në faqen zyrtare të këtij dikasteri.

1 Komente

  1. P
    Pet.

    Ne rregull. Tani qe u sqaruam do fleme te qete, pasi pas 2 javesh do te beni edhe indeksimin e pensioneve.

    Lini një Përgjigje