“El Ninjo”, nuk shpëtojmë as ne - Meteorologët: Verë të nxehtë e të gjatë dhe përmbytje në vjeshtë

6 Qershor 2026, 18:20Sociale TEMA
“El Ninjo”, nuk shpëtojmë as ne - Meteorologët:

Mund të mendohet se ndodh larg Shqipërisë dhe nuk na prek, por nuk është kështu.

Fenomeni El Niño, që zhvillohet për shkak të ngrohjes së sipërfaqes ujore në Oqeanin Paqësor, duke sjellë kushte ekstreme të motit, sipas meteorologëve do të shfaqë ndikimin e vet edhe në vendin tonë.

“Ndonëse është qindra kilometra larg nesh, duhet të mendojmë që klima është një në të gjithë globin. Domethënë, nga ngrohja e sipërfaqeve ujore atje, rrymat depërtojnë edhe në Mesdhe.”

Me aktivizimin e El Niños, meteorologët parashikojnë verë më të nxehtë dhe më të gjatë, duke rritur rrezikun për zjarre.

Fenomeni parashikohet të aktivizohet nga qershori në gusht, por se kur do të ndihet më tepër në Shqipëri, meteorologët thonë se do të varet nga kombinimi i tij me anticiklonin afrikan apo atë të Azoreve.

“Ngrohja e sipërfaqes ujore në Mesdhe do të thotë që ne mund të kemi një avullim më të shumtë të sipërfaqes ujore, çka do të thotë se, me depërtimin e masave ajrore më të nxehta, kryesisht në vendin tonë, ku ndikon anticikloni afrikan apo ai i Azoreve, që është tipik për muajt e verës, mbi vendin tonë, veç temperaturave më të larta, do të vijë edhe prania e lagështirës. Kjo bën që temperaturat, pavarësisht se në kafazin meteorologjik shënohen 35 apo 38 gradë Celsius, ne t’i ndiejmë sikur temperatura është 42-45 gradë Celsius.”

Me aktivizimin e El Niños parashikohet që në të gjithë rajonin e Mesdheut të kemi verë të tejzgjatur. Sipas Organizatës Botërore të Meteorologjisë, me probabilitet 80%, aktiviteti i El Niños pritet mes qershorit dhe gushtit. Kjo do të ndikojë kushtet atmosferike të Mesdheut, me temperatura më të larta për një kohë më të gjatë. Thatësirat më të mëdha rrisin rrezikun për zjarre në verë.

Në vjeshtë vjen rreziku i përmbytjeve. Ndikimi i El Niños parashikohet të sjellë reshje intensive në kohë më të shkurtër.

“Me kthimin e vjeshtës dhe depërtimin e masave ajrore më të ftohta mbi rajon, temperaturat e larta të detit bëjnë që, duke depërtuar mbi sipërfaqen e tij, të kemi edhe zhvillime të motit ekstrem, reshje intensive në kohë më të shkurtër, breshër apo përmbytje…”

Studimet e fundit të Organizatës Botërore të Meteorologjisë parashikojnë që këtë vit ndikimi i El Niños të jetë më i moderuar. Aktivizimi i tij, sipas meteorologëve, do të shfaqë efekte në të gjithë globin.

Lini një Përgjigje