Ikja e një "heroi të heshtur"

15 Dhjetor 2023, 11:32Sociale TEMA
Ikja e një "heroi të heshtur"

Dy ditë më pare u nda nga jeta Vangjel Kolemarka, shok e mik i yni. Ishte vetëm 18 vjeç kur filloi punë ne Uzinën e riparimit të avionave në Kuçovë. U rrit bashkë me uzinën dhe përjetoi nga afër arritjet madhore të uzinës në ato vite.

Shumë kohë ai punoi në sektorin e Agregatit dhe riparonte kryesisht  amortizatorët për të gjithë tipet e avionave. Punoi me mjeshtra të spikatur, por edhe me specialistë të huaj në fushën e aviacionit.

Fitoi shkallën e lartë të kualifikimit dhe gradualisht riparonte gjithë agregatët e sistemit hidraulik të avionave. Kur filloi nga puna linja e riparimit kapital të motorit reaktiv supersonik, ai ju bashkua këtij sektori dhe atje punoi deri sa uzina ndali përfundimisht punën.

Uzina kishte afërsisht 500 punonjës, të cilët gradualisht u larguan dhe provuan të përshtaten me ekonominë e tregut. Specialistët më të mirë emigruan ne Greqi e Itali.

Vangjeli punoi disa vite në Greqi dhe nga viti 2005 u rikthye në Kuçovë. Punoi fillimisht me reklamat elektronike dhe adezive të bizneseve dhe më pas u punësua në regjimentin e Aviacionit. Duar artë e mëndje ndritur njihej Vangjeli në të gjithë bazën e Kuçovës dhe jo vetëm.

Ai mund të riprodhonte në miniature, në mënyrë artizanale çdo objekt e paisje që shikonte. E filloi me maketet e të gjitha tipeve të avionave që flota shqiptare kishte në ato vite. Shumë u befasuan kur panë punimet e tij cilësore dhe të njësuara me origjinalin.

Komanda e Aviacionit kishte miratuar vendimin për ngritjen e muzeut në Rinas, dhe kjo punë ju besua Vangjelit. Krijoj skicë-iden e muzeut duke e përshtatur atë me parametrat e sallës dhe filloi nga puna.

Fillimisht bëri maketin e avionit mig-15 e më pas gjithë tipet e tjerë deri të avioni Il-14 e mig-21. Çdo maket avioni kishte shënjat dalluse shqiptare dhe numrin anësor në varësi të regjimenteve ku ishin dislokuar. Në prag të një përvjetori muzeu ishte gati me të gjithë flotën e avionave.

Ishte komanda e flotës detare që më pas kërkoi shërbimin e Vangjelit. Maketet e anijeve ushtarake dhe mjeteve të tjera detare u bënë objekt i punës së tij për disa kohë. Më pas maketet u reklamuan në një ekspozitë në portin e Durrësit disa vite më parë.

Me mjeshtëri e pasion punoi Vangjeli edhe në bazën e Kuçovës. Muzeu i bazës u ideua nga ai në bashkëpunim me oficera dhe komandën e bazës. Sot në muze është maketi i pistës aktuale të fluturimit dhe maketi se si do jetë pista e aerodromit në komandën e NATO-s.

Afër një muaj më parë Vangjeli u përshëndet me nje grup nga komanda e bazës, në shënjë respekti për kontributin e dhënë dhe shkoi për të jetuar familjarisht në Amerikë.

Kishte vite që e ëndërronte një bashkim familjar me vajzën. Ende pa u çmallur mirë me njerëzit e dashur filluan krizat dhe problemet me shëndetin.

Barbara, vajza e tij e vetme, dhe bashkëshorti i saj bënë gjithëçka dhe vunë në shërbim të të atit mjekësin amerikane... Por jo, sëmundja me emrin kancer kishte avancuar.

Vangjeli tashm nuk jeton më, por emri, fisnikëria dhe bujaria e tij do të kujtohen çdo herë, nga ne shokët dhe miqtë e tij. Edhe pse do na mungojë një pikë takimi e miqësie me të, ne do ta kujtojmë me mall e dashuri. Vangjeli do të prehet  në banesën e fundit në Fernwood Cometery në Philadelphia... (Ndriçim Çuadari)

5 Komente

  1. I
    I ndricon shpirti atje ku jane

    Eh me ne fund pame nje shkrim human,ne nderim te njeriut te thjeshte,por qe i ben ne menyre te persosur detyrat e tij.Dhe keta njerez,ja ne themelet e ndertesave te demokracive te zhvilluara boterore.

    Përgjigjjuni
    1. E
      Emigrant

      Ndjese paste.Ngushellime families dhe miqve. I perjetshem kujtimi i ketij njeriu te mire, punt or, te mencur dhe duararte. Me nderim te thelle. Falemnderit per kete shkrim kam human, e plot dashuri. IP

      Përgjigjjuni
      1. Çimi

        Ne komentet e shumta që po lexoj ne fb.tim, por edhe ne Kuçova Club gjej vlerësime për Vangjelin me fjalën Artist.Po Ai ishte Artist,por asnjëher nuk e reklamoj vetën si të tillë.Vangjeli ishte mekanik në profesion,por hynë tek ata mjeshtra që populli dikur thoshte:"Çi sheh syri ja bën dora".Dhe mendo që me një limë,një sharrë dhe një pistolet boje bënte mbrekullira...Ëndra Amerikane e Vangjelit u shua shumë shpejt...

        Përgjigjjuni
        1. b
          ben

          Ky eshte nje shembull qe tregon se kush jane shqiptaret. Artikuj te till duhen promovuar prej mediave ne vend qe te na bombardojne perdite me lajmet se cfare bejne nje grusht kriminelesh qe hane kokat e njeri tjetrit duke na vene damke te zeze si komb.

          Përgjigjjuni
          1. I
            I Duruari.

            Oh Zot! Çfarë mrekullie, çfarë kënaqësie ndjeva kur lexova këtë artikull. Ngushllime të sinqerta familjes, shokëve dhe miqve të të ndjerit. U prehsh në paqe o njeri i mirë!

            Përgjigjjuni

            Lini një Përgjigje