
Nga Ilir Demalia
Lezha me ishujt e saj, zonat lagunore, plazhet dhe historinë që mbart është një nga ato vende që nuk të fton thjesht ta vizitosh — të fut brenda vetes së saj. Është një qytet mjaft simpatik, me një natyrë të mrekullueshme dhe me një peshë historike që fillon që me ilirët dhe vazhdon pa ndërprerje deri sot.
Lezha ka qenë historikisht një nga pikat më të rëndësishme në Shqipëri. Në majë të qytetit qëndron Kalaja e Lezhës, që daton në shekujt IV–III para erës sonë, ku kanë jetuar ilirët e fisit të Labeatëve. Një vend ku historia nuk lexohet, por ndjehet. Më poshtë, Kuvendi i Lezhës dhe Varr i Skënderbeut e lidhin këtë qytet drejtpërdrejt me identitetin kombëtar.
Duhet urgjentisht të krijohet mundësia për rigjenerimin e Kalasë së Lezhës, ta bëjmë të aksesueshme për turizmin me rrugë dinjitoze deri në kala, me një qendër muzeale dhe orientuese për turistët, duke e lidhur natyrshëm me Kuvendin e Lezhës dhe Varrin e Skënderbeut. Një muze dinjitoz për vetë rëndësinë që ka Lezha, me lagunat dhe kalanë, është domosdoshmëri. Nuk e di çfarë bën ministri i kulturës dhe turizmit Blendi Gonxhe — ku i ka sytë — kur një pasuri e tillë pret ende vëmendjen që meriton.
Që në antikitet, kjo zonë është përdorur si port natyror dhe zonë peshkimi. Dhe kjo nuk është rastësi.
Lezha me lagunat dhe portin e Shëngjin mbetet një potencial i nënvlerësuar.
Lagunat fatmirësisht janë ruajtur të paprekshme së bashku me plazhin e Vainit si park natyror. Kjo zonë duhet ruajtur me fanatizëm, me ligje të forta dhe zero tolerancë, si një pasuri kombëtare me vlera të jashtëzakonshme.
Zona e Shëngjinit dhe lagunat përreth janë ndër më të rëndësishmet për peshkimin në Shqipëri. Kjo sepse këtu bashkohen ujërat e detit me ujin e ëmbël të Drini, duke krijuar kushte ideale për shumimin e peshqve dhe një biodiversitet të rrallë. Këto laguna ndahen nga lumi dhe njihen si Ishulli i Shëngjinit dhe Ishulli i Lezhës — një sistem natyror që funksionon si një inkubator i vërtetë.

Levreku, kocja, ngjala e famshme e ishullit, karkalecat — janë pjesë e përditshmërisë, por edhe e identitetit të zonës. Peshkimi këtu nuk është vetëm ekonomi, por traditë e trashëguar brez pas brezi.
Në Kune-Vain-Tale biodiversiteti është ndër më të pasurit në Ballkan. Mbi 200 lloje shpendësh — pelikanë, flamingo, rosa të egra, shapka — krijojnë një botë të gjallë dhe të rrallë. Laguna është një çerdhe natyrore, një inkubator ku jeta zhvillohet në mënyrën më të pastër.

Kur largohesh nga rruga kryesore dhe futesh drejt Ishullit të Lezhës, ndjen menjëherë ndryshimin. Ajri bëhet më i lagësht, më i rëndë, por edhe më i pastër. Kallamishtet dalin në të dy anët, ujërat hapen si pasqyra dhe ishujt e vegjël krijojnë një pamje magjepëse. Tingujt janë një simfoni më vete — cicërimat e shpendëve, guak-guaket e bretkosave, përplasja e lehtë e lopatave të varkëtarëve dhe lëvizjet e peshqve që kërcejnë për t’i shpëtuar grepave. Një përjetim që të bën të ndihesh sikur je në një botë tjetër, ku ritmi i jetës është ai i natyrës dhe jo i zhurmës.
Dhe në këtë botë, gastronomia është pjesë e natyrës — nuk është thjesht ushqim, por vazhdim i saj.
Rruga të çon te Laguna Blu. Një tabelë e thjeshtë, një kthesë djathtas dhe një rrugë e ngushtë mes pemëve ku sheh tabela të gozhduara me citime për verën dhe ushqimin: “Laguna Blu — aty ku gatimi ndërthuret me natyrën”. Dhe ashtu është. Një ndërtese e vogël prej druri, me pak tavolina brenda dhe të tjera jashtë nën hijen e pemëve. Ndihesh si në kamping, me detin e Vainit vetëm pak minuta në këmbë.

Aty të pret Aurela, pjesë e familjes Jakupaj. Çdo gjë është e pastër, natyrale, dhe ushqimi vjen i freskët: peshku i sapokapur, ngjala me shije të fortë dhe të egër, karkalecat e ëmbël që mbajnë aromën e lagunës — shije që nuk harrohen dhe që nuk mund të kopjohen askund tjetër.

Pak më tej, Diella qëndron si një simbol i zonës. E hapur në vitin 1995 si “Trëndafili Mistik”, me një sobë druri dhe gatime tradicionale, ajo mbijetoi edhe vitin e vështirë 1997 falë këmbënguljes së Diellës dhe Loshit, që ruajtën lokalin — nëse mund të quhej i tillë në atë kohë — nga barbaria e atij viti. Më vonë, pas vitit 2000, u kthye në një destinacion për politikanë, figura publike dhe turistë të huaj. Pozicioni i saj në zemër të rezervatit e bën unik. Diella nuk është vetëm restorant — është kujtesë, është histori, është pjesë e identitetit të Lezhës.



Një pjatë levreku dhe ngjale te e Diella
Një tjetër ndalesë është Begu. Një godinë druri buzë kënetës, mes pishave, me një pamje që shtrihet deri në malet e Lezhës dhe ku duket edhe kalaja shekullore. Brenda, ambienti është i ngrohtë, me oxhak dhe sofër që të kujton shtëpitë e vjetra shqiptare.

Të pret shef Ylli, një burrë babaxhan dhe mikpritës, me një gjuhë të ëmbël dhe një kuzhinë që flet vetë: ngjalë e pjekur ngadalë, levrek i freskët, karkaleca të sapodalë nga rrjetat dhe gatime shtëpie që mbajnë shijen e traditës.

Me shef Yllin në Restorant Begu




Por asgjë nuk e përfaqëson këtë zonë më shumë se Hotel i Gjuetisë.
Ky vend është histori më vete.

Gjatë kohës së pushtimit italian, ata e shikonin gjuetinë si bazë të zhvillimit të turizmit, për vetë natyrën e virgjër dhe biodiversitetin e jashtëzakonshëm. Në vitet 1930, në Ishullin e Lezhës nisi të ndërtohej një shtëpi gjuetie që më pas do të kthehej në atë që sot njohim si “Hoteli i Gjuetisë”.

Hoteli Gjuetise pas barbarise së vitit 1997
Ndërtimi i atribuohet kryediplomatit italian Galeazzo Ciano, ndërsa projekti mban firmën e arkitektit Luigi Brunati. Hoteli u ndërtua në harmoni të plotë me mjedisin, duke ndërthurur gurin dhe drurin, traditën shqiptare me elegancën italiane. Aq e pasur ishte fauna, sa italianët shpreheshin se “mund t’i gjuash rosat nga dritarja” — dhe thuhet se vetë Ciano e bënte këtë nga apartamenti i tij.

Çdo detaj, nga mobilimi te porcelani, u soll nga Italia. Tavolina prej druri gështenje, shandanë, tapete, krevatë — gjithçka. Hoteli ishte gati më 10 janar 1941. Në listën e vizitorëve figuron edhe familja mbretërore spanjolle, përfshirë Juanin e Spanjës, kont i Barcelonës.
Foto nga Hoteli Gjuetise pas barbarise së vitit 1997







Raporti Komitetit Partisë Lezhë për darkën e kolektivit të Radio Televizionit
Pas vitit 1944, hoteli u bastis, por nuk u shkatërrua. Më pas kaloi në duart e shtetit shqiptar, fillimisht në varësi të “Hotel Dajtit” e më vonë të “Hotel Tiranës”.
Gjatë komunizmit, zona u shpall ushtarake dhe mori emrin Vain — Vrojtim Ajror, Informacion dhe Ndërlidhje. “Hoteli i Gjuetisë” u kthye në një vend të izoluar, ku shkonin për gjueti figura të larta si Enver Hoxha, Mehmet Shehu dhe Kadri Hazbiu. Gjuanin derra të egër, rosa, shapka, madje deri vonë ka pasur edhe arinj në zonë. Hoteli ruhej nga Garda e Republikës dhe ishte i paarritshëm për njerëzit e zakonshëm.
Edhe kur shkonin grupe kolektive, kontrolli ishte i rreptë. “Syri vigjilent i partisë” raportonte gjithçka. Një nga raportet më domethënëse ishte ai i Komitetit të Partisë së Lezhës për një grup të Radio Televizionit Shqiptar, ku shkruhej se kishin dëgjuar muzikë të huaj dhe kishin kërcyer “rrok”, duke u cilësuar si sjellje të papranueshme për moralin e kohës.
Pas vitit 1991 filloi rrënimi. Dhe viti 1997 e çoi drejt shkatërrimit pothuajse total. Ajo që dikur ishte krenari e turizmit shqiptar u la për vite në mëshirë të fatit.
U desh një djalë i ri, me ambicie dhe vullnet — Aleksandër Jushi — që ta merrte përsipër atë diamant të kthyer në karakatinë. E bleu dhe me një punë titanike, me përkushtim dhe investim të madh, e ktheu në atë që është sot: një kurorë e turizmit shqiptar dhe më gjerë.
Dhe këtu historia bëhet njerëzore.

Kur takon Lizën, mamanë e Aleksandrit dhe gruan e Viktorit, ajo të tregon me emocion se si qante kur djali e bleu hotelin në atë gjendje të rrënuar, ku nëpër dhoma kishte mbirë bari. “I lutesha Zotit — ma ndihmo djalin, kush mi ka ba magji me u fut këtu në këtë karakatinë”, thotë ajo. Një fjali që mbart gjithë ankthin dhe dashurinë e një nëne.
Ndërsa aty gjithmonë gjen Viktorin, babain e Aleksandrit. Një burrë i qeshur, me humor dhe shumë babaxhan. Ai është shpirti i përditshëm i hotelit, ai që rri më shumë aty, që pret e përcjell njerëzit, ndërsa Aleksandri merret edhe me bizneset e tjera të familjes.
Ambientet e “Hotelit të Gjuetisë” janë të gjitha me dru dhe parket — të ngrohta, relaksuese, me një romantizëm të natyrshëm. Çdo gjë është e pastër, shërbimi është ekselent, dhe ushqimi është kulmi: shapka, levreku, ngjala, karkalecat, mishi, byreku me kos e gjizë, vera e shtëpisë dhe një përzgjedhje e pasur verash.


Pas ushqimit, një kafe apo një konjak pranë pishinës, mes qetësisë dhe gjelbërimit, bëhet një përjetim më vete. Në mbrëmje, kur bie muzgu, dritat dhe gjelbërimi krijojnë një atmosferë magjike.

Në një cep të kompleksit ndodhet edhe një sallë dasmash prej xhami, e dekoruar bukur, ku natën duket sikur yjet vallëzojnë bashkë me çiftin dhe dasmorët.
Ajo ç’ka i mungon Lezhës dhe Ishullit të Lezhës dhe Shëngjinit, edhe duke pasur struktura si Hotel Lisus, është një organizim më i mirë institucional për kalanë dhe gjithë atraksionin historik e kulturor.
Vetëm 20 minuta larg është Fishta, vendlindja e At Gjergj Fishtës, dhe një model i shkëlqyer agroturizmi si “Mrizi i Zanave”.
Lezha dhe zonat përreth kanë shumë pasuri — për të pasur kaq pak.
Dhe kjo është ndoshta fjalia që e përmbledh më mirë gjithçka.
Lini një Përgjigje