Mijëra udhëtarë rrugëve - Cila është kompania ajrore me 60 përqind të udhëtimeve me probleme në 2023

29 Mars 2024, 09:33Sociale TEMA
Mijëra udhëtarë rrugëve - Cila është kompania

Vjet mijëra qytetarë janë zvarritur në aeroportin e Rinasit në pritje të fluturimit që ju është shtyrë në momentin e fundit ose në rastin më të keq ju është anuluar. Report TV ka siguruar shifrat të cilat tregojnë se 281 fluturime janë bërë me mbi 3 orë vonesë, dhe rekordin negativ e mban kompania Wizz Air, ndërsa ndër kompanitë me performancën më të mirë është ‘Air Albania’.

Në Aeroportin e Tiranës përgjatë vitit 2023 janë vonuar për më shumë se 3 orë 281 fluturime dhe 60% e vonesave janë të një kompanie të vetme Wizz Air Europë. Në 161 fluturime Wizz Air, me një diferencë shumë të madhe me të tjerat, ka lënë mijëra qytetarë vitin e kaluar të presin me orë të tëra për të marrë avionin, për të udhëtuar drejt destinacionit për ku kishin prerë biletën.

Nga shifrat e siguruara prej Report Tv nga Autoriteti i Aviacionit Civil duke qartë se kompania low-cost Wizz Air, ka performancën më të keqe, ndërsa vihet re se ndër kompanitë më të mira në treg në shërbim dhe korrektësi rezulton ‘Air Albania’ e cila nga 4748 fluturime gjithsej, ulje apo ngritje qofshin, është vonuar vetëm në 4 të tilla, duke u renditur në një prej 3 kompanive me koeficientin më të ulët të fluturimeve me vonesa, 1 për 1000. Wizz air nga ana tjetër ka probabilitetin më të keq të mundshëm, me koeficientin 26.8 fluturime me vonesa mbi 3 orë në 1000 të tilla.

Si pasojë e shtyrjes së orës së fluturimit, minimalisht vjet është pritur në Aeroportin Ndërkombëtar Nënë-Tereza 843 orë. Pra Wizz Air e cila erdhi në tregun shqiptar me synim për të sjellë cilësi, shërbim dhe korrektësi me çmim të ulët, në fakt po lë me mijëra pasagjerë në pritje pa marrë në konsideratë rëndësinë e udhëtimit, nëse është për arsye shëndetësore apo diçka tjetër emergjente.

E njëjta situatë rezulton edhe me shifrat e anulimeve të fluturimeve. Gjatë vitit të kaluar sipas Aviacionit Civil janë anuluar 90 fluturime në total, nga 50,702 fluturime të realizuara nga TIA, ndërsa më shumë se 30% e tyre janë të Wizz Air. Kompania rezulton me shërbimin më të keq teksa ka lënë pa udhëtim qytetarët në 34 fluturime me një koeficient prej 5.7 udhëtime të dështuara në 1000 të tilla. Edhe në këtë komponent kompania shqiptare ‘Air Albania’ rezulton me një performancë shumë të mirë pasi vetëm në 2.4 fluturime në 1000 të tilla ka pasur anulim.

Në total vjet për anulim të fluturimit apo për vonesë të tij janë bërë 214 ankesa nga qytetarët prej të cilëve janë kompensuar 121 pasagjerë dhe pjesa tjetër, 65 janë në proces.

Shkaqet kryesore për këto shtyrje sipas aviacionit janë vonesat e fluturimeve në aeroporte të Komunitetit Evropian apo jashtë saj, moti i keq, defektet teknike, mungesa e ekuipazhit, grevat e sindikatave në fushën e aviacionit civil dhe aktivitetet ushtarake në hapësirën Evropiane.

1 Komente

  1. s
    stivi

    Cmimi i ulet i biletes e ka nje rrisk,mire dhe lire gjithmon nuk ka....

    Lini një Përgjigje