Nëse qytetet janë simbole të progresit, përse njerëzit zgjedhin të arratisen në natyrë? (VIDEO)

6 Mars 2026, 16:05Sociale TEMA
Nëse qytetet janë simbole të progresit, përse njerëzit

Aktivistëve shpesh iu thuhet se pengojnë “progresin”, apo krijimin e vendeve të punës, por ekziston një kontradiktë në mënyrën se si e përfytyrojmë zhvillimin.

Ato qytete që zakonisht simbolizojnë prosperitetin – me ndërtesa të larta, popullsi të madhe zgjerim të vazhdueshëm – janë gjithashtu hapësira nga të cilat shumica e njerëzve kërkojnë vazhdimisht të arratisen. Ne na pëlqen të udhëtojmë drejt peizazheve të qeta, të investojmë në zona të paprekura, dhe të kërkojmë pikërisht atë natyrë që zhvillimi urban e fshin gradualisht.

Përse ndodh kjo?

Një pjesë e përgjigjes mund të gjendet tek kostot e fshehta të rritjes. Çdo ndërtesë, çdo apartament, çdo rubinet, varet nga uji që merret diku dhe kthehet diku tjetër dhe, teksa qytetet rriten, lumenjtë, burimet ujore dhe ekosistemet janë ato që përthithin trysninë.

Në ç’pikë zhvillimi fillon të minojë mjedisin që e mban në këmbë? Kur komunitetet lokale mbrojnë lumenjtë apo peizazhet natyore, a janë duke u kthyer në pengesa të progresit, apo thjesht duke vënë në dyshim se çfarë kuptojmë me progres?

Këto janë disa nga pyetjet në qendër të episodit të radhës të Apostrof Podcast. E ftuar është Denisa Kasa, aktiviste mjedisore nga organizata Protection and Preservation of Natural Environment in Albania (PPNEA). Përgjatë dy viteve të fundit, ajo ka përshkuar një pjesë të lumenjve të Shqipërisë dhe degëzimet e tyre kryesore, për të dokumentuar ndotjen dhe duke punuar me grupe vullnetarësh dhe komunitetet lokale të prekura nga dëmtimi i mjedisit.

Në këtë bashkëbisedim, ajo reflekton në lidhje me atë çfarë ka parë në terren – nga ndotja urbane dhe industrial, tek presioni në rritje ndaj ekosistemeve lumore nga projektet e zhvillimit.

Episodi i plotë i Apostrof Podcast publikohet të dielën, ora 17:00