Pse iu besuam firmave piramidale?

25 Korrik 2025, 10:14Sociale TEMA
Pse iu besuam firmave piramidale?

Sa herë flitet për historinë e firmave piramidale në Shqipërinë e viteve 1990-të, historia trajtohet thuajse gjithmonë me të njëjtën ndjesi turpi, mosbesimi, duke e reduktuar gjithçka tek naiviteti dhe padituria e një shoqërie që sapo kishte dalë nga një diktaturë e gjatë.

Fjalitë që dëgjohen më shpesh janë se “njerëzit ishin naivë,” “nuk dinin se ç’bënin”, apo thjesht “ranë pre e mashtrimit” nga padija.

Por, a ishin vërtet kaq të thjeshta arsyet përse njerëz nga krahina të ndryshme të vendit dhe nga çdo shtresë shoqërore, vendosën t’iu besonin skemave Ponzi kursimet jetës dhe, në disa raste, edhe shtëpitë?

Në episodin e radhës të Apostrof Podcast, Smoki Musaraj – antropologe kulturore dhe profesore e asociuar e antropologjisë në Universitetin e Ohajos – ofron një këndvështrim më kompleks dhe një pyetje më të vështirë: Po sikur të gjithë ata që investuan në firmat piramidale nuk e bënë këtë nga padija dhe mungesa e informacionit, por pikërisht sepse ishin mjaft të vëmendshëm?

Firmat piramidale nuk operonin në hije. Përkundrazi, ato ishin kompani të regjistruara, të referuara herë si “fondacione” e herë si kompani,” dy institucione tipike kapitaliste. Madje, drejtuesit e tyre përshkruheshin si pionerë të kapitalizmit shqiptar, ndërsa flisnin gjuhën e tregut, ndërmarrjes së riskut, dhe lavdëroheshin e përkraheshin nga politikanë të kohës si e ardhmja kapitaliste e vendit. Më i rëndësishmi ndër këta politikanë, ishte edhe presidenti i atëhershëm i vendit, Sali Berisha.

Praktikisht, skemat Ponzi ofronin atëherë imazhin e kapitalizmit, që në një vend i cili sapo kishte dalë nga versioni më izolacionist i socializmit, ishte më i rëndësishëm edhe se sa rreziku që këto skema paraqisnin.

Musaraj bën një analizë të thelluar të asaj çfarë ndodhi me firmat piramidale në librin e saj “Tales from Albarado: Ponzi Logics of Accumulation in Postsocialist Albania,” ku ndalet gjatë edhe tek aspekti social, si një tjetër faktor i rëndësishëm për masivizimin e tyre në Shqipëri. Ajo thotë se nga intervistat gjatë punës kërkimore për librin, shumë njerëz janë shprehur se e dinin që këto skema nuk mund të funksionin dhe se nuk kishin një logjikë ekonomike pas tyre, por besonin se shteti do t’i mbronte. Ndërkaq, të tjerë duket se kishin përvetësuar aspektin moralizues të kapitalizmit, sipas të cilit njerëzit e guximshëm dhe që nuk kanë frikë të rrezikojnë, shpërblehen. Të tjerë akoma, u tërhoqën në këto skema nga rrethi i tyre shoqëror dhe familjar, çka nënkupton se firmat piramidale të viteve ’90-të tërhoqën një numër të madh njerëzish, pasi prekën jo vetëm në dëshirën e shqiptarëve për t’i përkitur një bote të re kapitaliste, por edhe në besimin e lartë shoqëror.

Çfarë do të thotë për një shoqëri, kur rruga drejt shpresave ekonomike shtrohet mbi iluzione dhe ç’ndodh kur lidhjet e forta sociale e familjare ridrejtohen sipas nevojave të një sistemi të ri ekonomik të mbështetur mbi nevojën për fitim të shpejtë, dominim dhe shtypjen e kujtdo që mund të kthehet në pengesë të kësaj rruge?

Mbi të gjitha, sa të sigurtë jemi që kjo logjikë nuk ka evoluar me marketing më të mirë dhe platforma më të fuqishme?

Episodi i plotë i Apostrof Podcast publikohet të dielën, ora 17:00

https://www.youtube.com/playlist?list=PLg4y_a3lI08B8NCWY01VAH1ETuA97hqVN