“RICIKLO – KREATIV 2025”: Konkursi Ndërkombëtar i Arkitekturës që promovon qëndrueshmërinë përmes krijimtarisë studentore

17 Qershor 2025, 10:17Sociale TEMA
“RICIKLO – KREATIV 2025”: Konkursi Ndërkombëtar i

Konkursi ndërkombëtar i ideve për studentë “RICIKLO – KREATIV” rikthehet për të katërtin vit radhazi me një edicion të ri që sjell në qendër kreativitetin, dizajnin e qëndrueshëm dhe fuqizimin e të rinjve. Të rinj nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi do të kenë mundësinë të sfidojnë veten për të krijuar objekte ndriçuese për hapësira publike, duke përdorur materiale të riciklueshme.

Organizuar nga Fakulteti i Arkitekturës dhe Urbanistikës (FAU) në Universitetin Politeknik të Tiranës, konkursi zhvillohet në bashkëpunim me B4Students, Tirana East Gate (TEG) dhe me mbështetjen e Mane Foundation, duke ndërtuar një partneritet ku arsimi, rinia dhe biznesi bashkëpunojnë për një qëllim të përbashkët: nxitjen e qëndrushmërisë dhe dizajnit që bën diferencë.

B4Students, një program i krijuar nga Mane Foundation, mbështet të rinjtë përmes granteve, praktikave profesionale dhe mundësive të zhvillimit personal. Përmes këtij programi, talentet e reja përfshihen në projekte me ndikim real në komunitet dhe me vlerë edukative dhe shoqërore.

TEG, si një partner i përhershëm i studentëve dhe nismave sociale, ofron një platformë publike për prezantimin e ideve më të mira të studentëve, duke shndërruar për 15 ditë hapësirat e qendrës në një ekspozitë kreative ku vizitorët mund të votojnë për veprën e tyre të preferuar. Kjo është një mënyrë unike për të sjellë arkitekturën dhe qëndrueshmërinë më afër publikut.

Çdo vit, konkursi ka fituar më shumë vëmendje dhe pjesëmarrje, duke u shndërruar në një aktivitet me karakter ndërkombëtar. Përgjatë edicioneve të mëparshme, studentë nga të gjithë trevat shqipfolëse kanë paraqitur projektet e tyre kreative, duke ofruar zgjidhje funksionale dhe impakt të ndjeshëm në mjedis.

Afati i fundit për regjistrim online është 31 korrik 2025. Pjesëmarrja është e hapur për studentët e Arkitekturës, Urbanistikës dhe Interior Design, të cilët mund të aplikojnë individualisht ose në grupe deri në tre persona.

Për të marrë pjesë në RICIKLO – KREATIV, vizitoni faqen zyrtare të FAU dhe teg.al

Lini një Përgjigje