Si u krijua “Zyra e Patentave për Shpikje” e Shqipërisë

7 Dhjetor 2023, 01:28Sociale Dr.Inxh. Fatos DEGA

Si u krijua “Zyra e Patentave për Shpikje” e

 

Me rastin e 30 vjetorit të krijimit të “Zyrës së Patentave për Shpikje”, tani Drejtoria e Përgjithshme e Pronësisë Industriale (DPPI), është rasti të sjell në vëmendjen e lexuesit të interesuar disa kujtime për ngjarjet kryesore që çuan në këtë arritje.

Mbledhja e Task-Forcës së UNDP në Pragë në 1991

Në fund të Shtatorit dhe në fillim të Tetorit 1991, bashkë me një koleg nga aparati i Këshillit të Ministrave, përfaqësonim Shqipërinë në një Mbledhje[i] të organizuar nga Programi i Zhvillimit i Kombeve të Bashkuara /United Nations Development Programme (më tej – Programi i UNDP) me vendet e Rajonit të Europës Lindore e Juglindore lidhur me Ciklin e 5-të të këtij Programi, i cili kapte periudhën kohore 1992-1996, që pritej të fillonte së shpejti. Mbledhja bëhej në Çelakovice, pranë Pragës, në Çekosllovaki.

Sapo kish mbaruar Cikli i 4-të i Programit të UNDP për vitet 1987-1991. Ashtu si programet e cikleve të mëparshme, edhe ai i Ciklit të 4-të ishte ndërtuar 5 vjet më parë për t’iu përgjigjur kërkesave të vendeve të Rajonit, në përputhje me mënyrën si konceptohej prej tyre zhvillimi në sistemin socialist dhe në ekonominë e centralizuar. Por një qasje e tillë nuk do të mund të vazhdonte më tej në kontekstin e ri historik të kohës. Cili ishte ai?

Pak kohë para Mbledhjes (Shtator-Tetor 1991), kishte rënë Muri i Berlinit (Nëntor 1989). Në Rajon kishte nisur një erë ndryshimesh e transformimesh të mëdha e të thella, epokale, që ndodhin rrallë në histori. Sitemi socialist kishte rënë dhe e gjithë Lindja dhe Juglindja europiane, mes hutimit, pasigurisë, entusiazmit dhe shpresës, kishte nisur reformat e vështira të kalimit nga ekonomia e centralizuar në ekonominë e tregut, nga totalitarizmi në demokraci. Më e vonuar në këtë rrugë ishte Shqipëria. Ajo kishte probleme të panumërta të akumuluara ndër vite gjatë zhvillimit socialist dhe vetizolimit ndërkombëtar, që kishin kulmuar tashmë me mungesën e bukës dhe të lëndëve të para për industrinë, me papunësi dhe ikje masive nga vendi. Ndonëse kishte dëshirë e shpresë të madhe për ndryshime të thella e të shpejta, te ne nuk kishte dije, qartësi dhe konsensus të mjaftueshëm për rrugët e arritjes së tyre dhe të zhvillimit të ardhshëm ekonomik e shoqëror të vendit, gjë që përbënte një mjedis pjellor për shfaqjen e ideve nga më të ndryshmet, përfshirë ato aventureske, ekstremiste e populiste, si “çeku i bardhë”, “terapia shock” etj. Në atë kohë në fuqi te ne ishte Qeveria e Stabilitetit, që pati jetë nga 11 Qershori deri në 6 Dhjetor 1991.

Mbledhja e Programit të Zhvillimit të Kombeve të Bashkuara me vendet e Rajonit të Europës Lindore e Juglindore bëhej pikërisht për të parë sesi mund të përdorej Cikli i 5-të i Programit të UNDP, që do të niste në vitin 1992, për të mbështetur transformimet e thella ekonomike që kishin nisur në Lindjen Europiane.

Në mbledhje merrnin pjesë, jo vetëm përfaqësues nga vendet e Rajonit, por edhe përfaqësues të organizatave të ndryshme ndërkombëtare që e shihnin me interes se si mund të përfshiheshin me projekte domethënëse në këtë proces transformimesh të mëdha e të thella në Lindje.

Mbledhja vazhdoi pesë ditë rresht. Në një farë kuptimi, ajo ishte edhe një sesion “brainstorming” (teknikë e metodologjive “foresight”) në të cilën ishin thirrur të jepnin mendime e të ndihmonin në trajtimin dhe zgjidhjen e çështjeve të ndërlikuara, shpesh të paqarta e të panjohura të zhvillimit (siç ishin ato që kishin të bënin në thelb me kthimin nga socializmi në kapitalizëm!), edhe profesorë dhe ekspertë të shquar nga universitetet dhe qendrat e mëdha kërkimore perëndimore.

Mbledhja ishte e orientuar qartë nga e ardhmja, pra rreth asaj se çfarë duhej bërë në Lindje në kushtet e reja historike dhe çfarë projektesh konkrete mund të ndërmerreshin në kuadrin e Programit të ardhshëm të UNDP - 1992-1996. Ndër të tjerë, u shpreha edhe unë. Fola shkurt duke theksuar, në thelb, sa më poshtë:

̶         Dukej qartë se, ashtu si vendet e tjera të Rajonit, edhe Shqipëria do të futej shpejt në ekonominë e tregut. Madje, ajo sapo hidhte hapat e para drejt saj.

̶         Futja në këtë rrugë, do të kërkonte legjislacion e institucione që Shqipëria nuk i kishte dhe për të cilët mungonte thuajse plotësisht eksperiencë e mëparshme.

̶         Një prej sistemeve që duhej ngritur në Shqipëri nga e para, pra nga themelet,  me rëndësi të jashtëzakonshme për ekonominë e tregut dhe demokracinë ishte ai i Pronësisë Intelektuale në tërësi dhe i Pronësisë Industriale, si pjesë e tij, në veçanti.

̶         Shqipëria kishte nevojë urgjente për asitencë teknike dhe financiare në fushën e Pronësisë Industriale, që mund t’i jepej përmes një projekti në kuadrin e Ciklit të 5-të të Programit të UNPD – 1992-1996.

Për këtë projekt nuk është se kisha ndonjë udhëzim apo orientim nga Tirana, por nga studimet dhe eksperienca jetësore isha i bindur se ai e projektonte mirë Shqipërinë në kohën e re që po vinte.

“Thyerja e akullit” me WIPO-n

Në pushimin e seancës përkatëse të Mbledhjes m’u afruan përfaqësuesit e Organizatës Botërore të Pronësisë Intelektuale / World Intellectual Property Organization (WIPO) dhe të disa vendeve të rajonit që më përgëzuan për idenë e hedhur për Projektin e Pronësisë Industriale në Shqipëri. Përfaqësuesit e WIPO-s më thanë se jemi gati të fillojmë bashkëpunimin me Shqipërinë menjëherë, madje pa filluar Cikli i 5-të i Programit të UNDP. Kjo ofertë bujare bëhej edhe pse deri në atë kohë, Shqipëria nuk e njihte WIPO-n, megjithëse ajo ishte pjesë e sistemit të Kombeve të Bashkuara, njëra prej organizatave apo agjencive të specializuara e të fuqishme të saj, e themeluar qysh më 1967. Kjo mosnjohje (ose refuzim i heshtur njohjeje!) nuk ishte rastësore, por për arsye ideologjike.

Parimet e pronësisë intelektuale, që mbrohen nga WIPO dhe marrëveshjet ndërkombëtare të administruara prej saj, afirmojnë të drejtat e njeriut, që nënkuptojnë ndër të tjera, të drejtën e autorëve për të mbrojtur interesat morale dhe materiale që rezultojnë nga puna e tyre shkencore, letrare e artistike. Madje ato njohin të drejtën ekskluzive të përkohshme të autorëve, mbi produktet e veprimtarisë së tyre intelektuale. Te ne, këto produkte konsideroheshin në atë kohë përgjithësisht pronë shtetërore, shoqërore apo publike dhe e drejta ekskluzive e autorëve, veçanërisht për patentat, përfshirë edhe ato të huaja, nuk njihej. Kjo qasje ideologjike - e “shenjtërimit” të pronës shtetërore, në përplasje rrënuese me të drejtat e pronësisë intelektuale, si të drejta private të autorëve dhe të shpikësve, konsiderohej deri atëherë tabu te ne. Një situatë e tillë, aq më tepër kur po aspironim për demokraci dhe ekonominë e tregut, ishte anakronike. Ajo duhej ndryshuar rrënjësisht dhe menjëherë!

Një situatë e ndërlikuar

Ndjeva kënaqësi që parashtrimi dhe ideja ime për projektin e Pronësisë Industriale kishte zënë vend atje ku duhej, por edhe një shqetësim të brendshëm. Unë vërtet isha drejtues i një departamenti të rëndësishëm në Komitetin e Shkencës dhe të Teknologjisë (KSHT), por nuk kisha atribute vendimmarrëse. Situata që kisha tashmë para meje ishte: kisha propozuar me nismën time një projekt për Shqipërinë në një fushë deri atëherë ligjërisht tabu te ne dhe kisha marrë nga WIPO, një organizatë deri atëherë e panjohur apo e refuzuar heshturazi nga Qeveritë Shqiptare të mëparshme, një ofertë për të fillluar nga bashkëpunimi menjëherë, të cilën e kisha mirëpritur me mirënjohje.

Pakkush në atë kohë dinte te ne se ç’ishte pronësia intelektuale në kuptimin e gjerë ligjor e teorik që kemi sot. Edhe kur flitej ndonjëherë për të, shpesh ajo identifikohej turbullt me të drejtën e autorit, për të cilën intuitivisht kishte më shumë ndjeshmëri dhe interes praktik, por pak dije. As që bëhej fjalë për ta parë pronësinë intelektuale, aq më pak pronësinë industriale, si një prioritet në projektet e zhvillimit të ardhshëm të vendit. Në këto kushte nuk e dija se si do të gjykohej ideja e projektit të propozuar, e sidomos nëse do të shprehej gatishmëria për bashkëpunim nga Qeveria jonë për të, siç u kisha lënë të nënkuptohej bashkëbiseduesve të mij të WIPO-s. Madje, isha i pasigurt se në ato kohë të vështira që kalonte Shqipëria, Qeveria do të pranonte të trajtonte një projekt për pronësinë industriale, kur kishte plot çështje të tjera, në dukje më urgjente, që do të dëshironte t’i trajtonte me përparësi me fondet e Programit të Zhvillimit të Kombeve të Bashkuara.

Në këto rrethana, ideja e projektit dukej si një ëndër. Siç thotë shkrimtari brazilian Paulo Coelho në romanin e tij të famshëm “Alkimisti”, “Vetëm një gjë e bën ëndrën të parealizueshme: frika nga dështimi.” Me “ëndrën” dhe me pikëpyetje të shumta rreth saj në kokë, por me optimizëm të mjaftueshëm për të mposhtur brënda meje “frikën nga dështimi” i saj, u ktheva në Tiranë. Situatën e ndërlikuar e bisedova me Kryetarin e Komitetit të Shkencës dhe të Teknologjisë (KSHT), Prof. Petrit Skënde, një intelektual mëndjehapur, që ishte edhe anëtar i Qeverisë së kohës. Pas sqarimit të rrethanave dhe të idesë mbi projektin për pronësinë industriale që kisha hedhur në Mbledhje, pata mirëkuptimin e tij dhe mora nga ai angazhimin për ta përcjellë dhe mbështetur projekt-idenë në Qeveri.

Dy hapa më tej

Fillova menjëherë studimin “Mbi gjëndjen e Sistemit të Pronësisë Industriale në Shqipëri dhe disa probleme të zhvillimit të tij në të ardhmen”. Në këtë kuadër, për të krijuar një ide mbi spektrin e ndihmave që WIPO u jepte vendeve të ndryshme, dhe çfarë mund të prisnim prej saj, u kërkova bashkëbiseduesve të mij të WIPO-s materiale lidhur me ndihmën që WIPO u kishte ofruar më parë vendeve të tjera, të cilat m’i dërguan menjëherë.

Për të nxitur marrjen e shpejtë të vendimeve te ne (para se të fillonte Cikli i 5-të i Programit të UNDP) dhe fillimin në terma praktike të bashkëpunimit me WIPO-n, i kërkova në mirëkuptim kolegëve të WIPO-s të organizonin sa më shpejt të qe e mundur një takim në nivel të lartë ndërmjet qeverisë shqiptare të përfaqësuar nga Kryetari i KSHT (ky Komitet ishte në atë kohë përfaqësuesi i Qeverisë në administrimin e Programit të Zhvillimit të Kombeve të Bashkuara për vendin tonë dhe një nyje e rëndësishme e projekteve të mëdha të zhvillimit shkencor e teknologjik të vendit!) dhe drejtuesve të WIPO-s. Ftesa erdhi menjëherë. Kryetari i KSHT ftohej për një takim me Drejtorin e Përgjithshëm të WIPO-s në gjysmën e dytë të muajit Shkurt 1992. Me këtë rast, përmbylla studimin e sipërpërmendur, të filluar në tetor 1991, që do të shërbente si material mbështetës i vizitës dhe si një dokument paraprak e orientues për hapat që do të duhej të ndërmerrnim në të ardhmen për ngritjen e Sistemit, dhe për ndihmën që do të duhej t’i kërkonim WIPO-s në lidhje me të. Studimi u dorëzua në 13 shkurt 1992, rreth 10 ditë para vizitës së Kryetarit në WIPO. Ai është botuar në “Raporti  Vjetor i DPPI”, viti 2017, dhe në një libër timin[ii].

Nga gjysma e dytë e shkurtit të vitit 1992, sipas ftesës së dërguar nga WIPO, Kryetari i KSHT u prit në selinë e saj në Gjenevë nga z. Arpad Bogsch, Drejtor i Përgjithshëm. Në takim u parashtruan idetë për ngritjen e Sistemit të Pronësisë Industriale në Shqipëri dhe nevoja për bashkëpunim me WIPO-n, sipas qasjes në studimin e sipërpërmendur. Kryetari u kthye entuziast nga takimi me z. Bogsch dhe nga vizita në WIPO, gjë që bëri të vijonim së bashku më të sigurt punën, në bashkëpunim të ngushtë me WIPO-n, për projektin e ngritjes së Sistemit të Pronësisë Industriale në Shqipëri.

Anëtarësimi në WIPO në 1992

Në mars të vitit 1992, nëpërmjet Ministrisë së Jashtme, sipas përcaktimeve protokollare, u depozitua Instrumenti i Aderimit të Republikës së Shqipërisë në Konventën e Themelimit të WIPO-s, përmes të cilit Shqipëria njihte Organizatën e WIPO-s dhe bëhej anëtare e saj. Marrëdhëniet e WIPO-s me Shqipërinë bëheshin kështu marrëdhënie të Organizatës me një vend anëtar dhe ndihma e saj për Shqipërinë justifikohej kështu edhe zyrtarisht, gjë që e lehtësonte shumë bashkëpunimin dhe zgjeronte hapësirat e tij. Me këtë anëtarësim, që hyri në fuqi më 30.06.1992, hapej rruga për aderim në të gjitha marrëveshjet ndërkombëtare për Pronësinë Intelektuale të administruara nga WIPO, si Konventa e Parisit për mbrojtjen e pronësisë industriale, Konventa e Bernës për mbrojtjen e veprave letrare e artistike, Traktati i Bashkëpunimit për Patentat, Marrëveshja e Madridit për regjistrimin ndërkombëtar të markave tregtare, Marrëveshja e Hagës për regjistrimin ndërkombëtar të dizenjove industriale etj.

Krijimi i “Zyrës së Patentave për Shpikje”

Bashkëpunimi me WIPO-n u shtri në një dimension të ri: në përgatitjen e një skice fillestare për specializimin e kuadrove të para që do të merreshin me ngritjen dhe vënien në punë të Sistemit të Pronësisë Industriale, kryesisht të Zyrës së Patentave për Shpikje që pritej të krijohej. Në këtë kuadër, një punonjës i ri i KSHT u dërgua menjëherë në një kurs 3-mujor pranë Qëndrës për Studime Ndërkombëtare në Pronësinë Intelektuale [Centre for International Intellectual Property Studies (CEIPI)] në Strasbourg, Francë.

Pas qershorit të vitit 1992, u vazhdua me punën për hartimin e pr/ligjit mbi Pronësinë Industriale dhe ngritjen e Zyrës së Patentave për Shpikje. Në vitin 1993, me VKM Nr. 135, datë 22 mars 1993,  u krijua për herë të parë në vendin tonë “Zyra e Patentave për Shpikje” (sot DPPI), ndërsa në 27 Prill 1994 u miratua në Parlament Ligji nr.7819 “Për Pronësinë Industriale”, ku, ndër të tjera, përcaktoheshin tashmë edhe ligjërisht, detyrat e saj.

Komiteti i Shkencës dhe i Teknologjisë, ishte jo vetëm nismëtari dhe drejtuesi i projektit për ngritjen e Sistemit të Pronësisë Industriale dhe Zyrës së Patentave për Shpikje, si bërthama organizative apo institucionale e këtij Sistemi, por edhe “qeliza bujtëse” e “Zyrës së Patentave për Shpikje” të Shqipërisë. Kjo Zyrë u ngrit dhe funksionoi për shumë vite pranë tij.

Krijimi i “Zyrës së Patentave për Shpikje” (që më vonë e ndërroi emrin disa herë - Zyra e Patentave dhe e Markave, Drejtoria e Përgjithshme e Patentave dhe e Markave dhe së fundi Drejtoria e Përgjithshme e Pronësisë Industriale - DPPI) ishte një domosdoshmëri historike. Herët a vonë, në një rrugë a në një tjetër, me ne apo me të tjerë, ajo do të ndodhte patjetër, sepse sistemi i pronësisë industriale dhe zyra e patentave për shpikje, janë të domosdoshme për ekonominë e tregut dhe demokracinë e një vendi. Por krijimi i tyre në rrethanat e përshkruara më lart ishte rastësia përmes së cilës çau rrugën e vet kjo domosdoshmëri. Madje, në saje të këtyre rrethanave të rastit, krijimi i “Zyrës së Patentave për Shpikje” ndodhi shumë më herët sesa krijimi ose modernizimi i mjaft institucioneve të tjera të Sistemit Kombëtar të Inovacioneve[iii], siç janë, p.sh., Drejtoria e Akreditimit, Drejtoria e Metrologjisë, Drejtoria e Standardeve etj., dhe sistemet e lidhura me to.

Një etapë e re

Kur shoh ku kemi qenë para 30 vjetësh dhe ku jemi sot, them se është bërë jo vetëm një rrugë e gjatë, por edhe punë e mirë. Por, vetëm sa është mbyllur një etapë, ajo e krijimit dhe e konsolidimit të “Zyrës së Patentave për Shpikje” (sot DPPI) me funksionet bazë në modalitetet klasike (me këmbim letrash), përmes vendosjes së procedurave operative si dhe formimit dhe specializimit të burimeve njerëzore më të domosdoshme. Tashmë DPPI ka hyrë në një etapë të re : në rrugën për dhënien tërësore, të shpejtë e të sigurt të informacionit dhe të shërbimeve të Pronësisë Industriale në cyberspace. Kjo etapë kërkon një vizion të ri, analiza sistemore shumëpërmasore dhe ngritje cilësore në modelimin dhe ndërtimin e sistemeve të infomacionit dhe të shërbimeve në Pronësinë Industriale, duke treguar më shumë kujdes për validimin e të dhënave (e rëndësishme për modelime përmes machine learning) dhe të kodeve të programeve aplikative në cyberspace, që mund të arrihet përmes grupeve të dedikuara analistë-programistësh. Kjo nënkupton formimin e një brezi të ri specialistësh me aftësi të larta në analizën, projektimin dhe programimin e sistemeve në këtë fushë, përfshirë futjen e inteligjencës artificiale, si dhe vendosjen e një raporti të drejtë ndërmjet in- dhe out- sourcing.

Njohja e pronësisë intelektuale është ende e kufizuar

Ndonëse njohja e pronësisë intelektuale në shoqërinë tonë është sot më e madhe se 30 vjet më parë, ajo është ende mjaft e kufizuar. Një mjet i rëndësishëm për rritjen e shpejtë të kësaj njohjeje, është, në rradhë të parë, sistemi arsimor, sidomos ai i arsimit të lartë. Dhënia sot e lëndës së pronësisë intelektuale, madje në gjerësi tematike dhe thellësi të kufizuar, vetëm në një numër të vogël fakultetesh juridike, pa u shtrirë në fakultetet e tjera, sidomos në ato të shkencave natyrore dhe inxhinierike, e pse jo edhe në arsimin e mesëm, është një problem i hapur për trajtim e zgjidhje në të ardhmen. Nuk duhen rreshtur përpjekjet në këtë drejtim! Këtu roli i Ministrisë së Arsimit dhe i vetë universiteteve është parësor.

Po më tej?

Ndoshta, është koha të mendohet qysh sot për studimin e mundshmërisë, konceptimin dhe zbatimin e një projekti për një institucion unitar për Pronësinë Intelektuale në vendin tonë, ku e Drejta e Autorit dhe Pronësia Industriale të trajtohen si pjesë e së njëjtës praktikë juridike në sferat e industrisë, shkencës, letërsisë dhe artit, ashtu siç janë ato pjesë e së njëjtës fushë në teori – Pronësisë Intelektuale. Një institucion i tillë mund të ishte një Institut i Pronësisë Intelektuale. Ka jo pak të tillë në botë, sidomos në vendet e vogla, ndër të cilët shëmbulli më i spikatur duket se është Instituti i Pronësisë Intelektuale / Institute of Intellectual Property (IPI) i Zvicrës.

 

 

Dr.Inxh. Fatos DEGA  

Konsulent për Pronësinë Intelektuale

 

25/09/2023

 



[i] “Task Force Meeting in the framework of UNDP Regional Program for the Fifth Cycle (1992 - 1996)”, 30 Sept. - 4 Oct. 1991, Celakovice, CZECHOSLOVAKIA.
[ii] Dega Fatos: “Për Politikat Zhvillimore në Vitet e Tranzicionit (1990-2019)”, botimet “MORAVA“, 2020, f. 148-155.
[iii] Sistemi Kombëtar i Inovacioneve: “... një sistem institucionesh të ndërlidhura që bashkëveprojnë për të krijuar, ruajtur dhe transferuar dijet, aftësitë teknike dhe artifaktet që përcaktojnë teknologjitë e reja” - METCALFE, S. (1995), “The Economic Foundations of Technology Policy: Equilibrium and Evolutionary Perspectives”, in P. Stoneman (ed.), Handbook of the Economics of Innovation and Technological Change, Blackwell Publishers, Oxford (UK)/Cambridge (US).

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Lini një Përgjigje