Çfarë e bën një inxhinier të mirë? Pse sot inxhinieria mbetet ende një profesion i rëndësishëm dhe i kërkuar? Këto dhe shumë pyetje të tjera morën përgjigje nga presidenti i Tirana College of Technology, Gjergji Simaku, në “Shkollën e Inovacionit 2026”, eventi që organizohet çdo vit nga Fakulteti i Inxhinierisë, Informatikës dhe Arkitekturës në Universitetin Europian të Tiranës. Gjatë një bisede me maturantë nga shkolla të ndryshme, Simaku foli për rrugëtimin e tij të gjatë profesional, karrierën si inxhinier, sfidat e reja të fushës, burimet e reja të energjisë, si dhe i këshilloi ata për zgjedhjet që duhet të bëjnë në të ardhmen.
Së fundi, ju keni marrë detyrën e Presidentit të Tirana College of Technology, një kolegj universitar që ofron programe profesionale dhe studime bachelor. Por si ka qenë rrugëtimi juaj profesional ndër vite, nga diplomimi për inxhinieri deri te drejtimi i një universiteti?
Jam goxha i motivuar që jam pjesë e këtij kolegji dhe dëshiroj, me shumë kënaqësi, së pari, t’ju shpjegoj pse e bëra këtë zgjedhje në një moshë tashmë të pjekur dhe pse dëshiroj të punoj sidomos me studentët. Karriera ime është sa e thjeshtë, aq edhe e komplikuar. Është e thjeshtë sepse e kam filluar si një “motorist” i vogël; hapja dhe mbyllja motorë. Flas për vitet ’75–’79. Aty mbolla ëndrrën time për t’u bërë inxhinier makinash dhe kështu u bëra. Me shumë mundim arrita të marr të drejtën e studimit, edhe sepse notat në shkollën e mesme i kisha të mira. Shkollën e lartë e kam mbaruar në vitin 1984 dhe më mbajtën pedagog. Pikërisht në këtë moment, babai u përjashtua nga partia dhe unë kalova nga pedagog në laborant për pesë-gjashtë vite, deri në vitin 1990. Kur erdhi demokracia, u bëra pedagog me kohë të plotë.
Kam mbaruar për inxhinieri transporti, por departamenti në të cilin u caktova ishte departamenti i industrisë, konkretisht ai i energjetikës, ku janë edhe fillimet e mia. Rreth vitit 1993 kemi filluar ndërtimin e një departamenti të ri pranë Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit, që ishte Departamenti i Mjedisit, i cili u hap për herë të parë në vitin 1996. Ky departament kishte dy drejtime kryesore: drejtimin e trajtimit të ujërave dhe drejtimin e energjisë. Pra, që në ato vite mendohej se mjedisi do të ishte një nga zhvillimet kryesore të ekonomisë, sepse është pjesë integrale e saj. Në vitin 1999 u shkëputa nga fakulteti dhe u emërova kryetar i Agjencisë Kombëtare të Energjisë. Nuk u mora me politikë, por me politikëbërje, gjëra që janë të ndryshme. Është shumë e vështirë të merresh me politikëbërje dhe shumë e lehtë të merresh me politikë. Ju e shikoni që lehtësia për t’u marrë me politikë ka dominuar sot debatin në televizion.
Karriera ime në këtë pozicion zgjati vetëm tre vjet, kur u bëra kryetar i Agjencisë së Energjisë, sepse nganjëherë, kur je në administratë, duhet të jesh konformist. Unë nuk isha konformist; kisha idealet e mia, ecja me ligjet e inxhinierisë dhe kam kundërshtuar në atë kohë ish-kryeministrin Fatos Nano. Nuk ramë dakord për një çështje, e cila u rikthye shumë më vonë dhe vazhdon ende. Në gjirin e Vlorës, ne kemi dy anije që rrinë kot për të prodhuar energji. Në atë kohë ne kemi qenë kundërshtarët kryesorë që ato anije të mos hynin në Shqipëri, pavarësisht se vendi kishte një krizë energjetike. Kështu, u shkarkova nga detyra pa asnjë motiv, sigurisht, dhe fillova biznesin tim.
Unë jam i specializuar në Francë dhe Angli për sistemet e ngrohjes, ventilimit dhe kondicionimit. Sot ka jashtëzakonisht nevojë për këtë lloj profesioni dhe, në kohën kur unë e nisa në vitin 2003, mendova se ekonomia do të kishte vërtet nevojë. Në atë kohë, ekonomia nuk kishte nevojë për ne instalatorët. Shqipëria vuante për banesat. Edhe sot ekziston ajo “uri” për banesa, por në një nivel krejtësisht tjetër.
Në atë kohë kemi ndërtuar rregullat e para se si duhej të ngroheshin ndërtesat, si duhej të termoizoloheshin dhe si duhej të vendosej një standard në ndërtimin e tyre. Në fund fare, ishim ne që, në vitin 2003, humbëm përballë ndërtuesve. Megjithëse ekzistonin rregullat, ato nuk zbatoheshin në realitet. Kjo ishte një sfidë e jashtëzakonshme, sidomos në vitet 2000, kur pati bum ndërtimi.
Si e vlerësoni zhvillimin urban në Tiranë dhe problematikat e cilësisë së ndërtimeve të reja?
Po të shikoni Tiranën, shumë nga ndërtimet e reja nuk janë gjë tjetër veçse një “fjetore” e madhe; nuk kanë fare arkitekturë dhe cilësia e ndërtimit është shumë e ulët. Për këto rregulla, në të vërtetë, nuk më zinte gjumi dhe e kuptova që edhe gjatë kohës që bëra biznes, nuk mund t’i zbatoja dot. Ky ka qenë shkaku kryesor pse biznesi im falimentoi brenda gjashtë viteve.
Si lindi rikthimi juaj në universitet dhe çfarë roli ka pasur politika e energjisë në karrierën tuaj?
Jam rikthyer përsëri në universitet në vitin 2011 dhe fillova të punoj në drejtim të performancës energjetike të ndërtesave. Dhava mësim për rreth tre-katër vite dhe më pas u riktheva në politikëbërje. Unë nuk jam kandidat partie, nuk jam anëtar partie dhe nuk kam lidhje me politikën; thjesht më pëlqen të zhvilloj idetë e mia dhe shkencën time përmes politikëbërjes, ashtu siç e kam nisur.
Politikëbërje do të thotë të hartosh akte dhe rregullore, kryesisht për ndërtesat, burimet e rinovueshme të energjisë dhe eficencën e energjisë. Aty u emërova drejtor në këto tre fusha dhe, ndërsa pjesa tjetër e ministrisë merrej me dhënien e lejeve, ne si drejtori merreshim me hartimin e ligjeve dhe rregulloreve për këtë çështje.
Rezultatet ishin spektakolare pas katër-pesë vitesh. Ligjet që nxorëm janë sot në zbatim. Në vitin 2008 flitej vetëm për hidrocentrale; sot flitet kryesisht për sisteme fotovoltaike. E gjithë puna që bëmë me politikëbërjen, rregulloret dhe aktet e miratuara me vendime të Këshillit të Ministrave arriti të diversifikojë burimet e rinovueshme të energjisë.
Si e vlerësoni situatën aktuale të varësisë energjetike të Shqipërisë dhe rolin e diversifikimit të burimeve të energjisë në të ardhmen?
Shqipëria ka qenë një vend që deri vonë varej dhe vazhdon të varet nga hidrocentralet dhe nga importi, ndërsa sot rreth 20% e energjisë prodhohet nga panelet fotovoltaike. Ideja kryesore ishte që të ndërtonim aq sisteme diellore sa kemi sisteme me ujë (hidrocentrale), në mënyrë që prodhimi vjetor i hidrocentraleve të kompensohej nga prodhimi i fotovoltaikëve gjatë verës, kur ka më shumë diell.
Shqipëria është një vend me shumë diell dhe sot, nëse dëgjoni deklaratat publike, theksohet shpesh diversifikimi i burimeve të energjisë. Diversifikimi do të thotë të mos varesh vetëm nga një burim apo nga importi, por të prodhosh edhe forma të tjera energjie. Pas daljes në pension, unë jam tashmë president i Tirana College of Technology dhe mendoj se këtu do të bëjmë një punë të shkëlqyer në fushat e zhvillimit.
Çfarë do t’i këshillonit një të riu, një maturanti që ende është në dilemë për profesionin dhe programin që duhet të ndjekë?
Si baba dhe si gjysh që jam sot, mendoj shpesh se çfarë do të bëhet nipi im. Kam menduar gjatë edhe për atë se çfarë do të bëheshin vajza dhe djali im. Këtë pjesë e projektuam së bashku me bashkëshorten: çfarë do të bëhen fëmijët tanë dhe cili do të jetë zhvillimi i ardhshëm i këtij vendi. Djali im e gjeti veten në Gjermani si inxhinier elektrik. Ai përfundoi studimet, mori diplomën dhe sot punon atje.
Për ne ishte një sfidë e jashtëzakonshme, sepse sistemi ynë arsimor, në nivelin ku jeni ju sot, nuk të jep një vizion të qartë për tregun e punës. Kjo ka qenë e vërtetë. I them djalit herë pas here: gabimi ishte i yni, por sfida ishte e jotja. Ne të hodhëm në një oqean ku nuk dije të notoje; ti mësove notin dhe dole në anën tjetër. Kjo do të thotë që shkolla e mesme nga e cila doli ai, pavarësisht se e ndoqi në gjermanisht, kërkoi shumë sakrificë. Ne si prindër që e financuam, por edhe ai vetë, e dimë sa net pa gjumë kemi kaluar për provimet dhe për të përballuar studimet në inxhinieri. Ishte një sfidë e jashtëzakonshme. Prandaj mendoj se duhet të shikoni me kujdes se cili do të jetë zhvillimi në vitet e ardhshme.
Cilat mendoni se janë fushat ku do të orientohet zhvillimi ekonomik i Shqipërisë?
Shqipëria do të zhvillohet në tre drejtime kryesore dhe kjo është deklaruar edhe nga qeveria përmes strategjisë së saj. Së pari është bujqësia dhe ushqimi, që janë thelbësore dhe duhen zhvilluar me shumë kujdes. Së dyti është turizmi dhe së treti është energjia. Madje, energjia është baza, sepse pa zhvillime energjetike nuk mund të kemi zhvillim të dy sektorëve të tjerë.
Teknologjitë zakonisht transferohen dhe ne duhet të dimë si t’i përdorim dhe mirëmbajmë ato, si edhe të tërheqim sa më shumë investitorë. Në këto zhvillime, sidomos në turizëm, fokusi është gjithmonë në rritjen e cilësisë së shërbimit, të sistemeve të ajrit të kondicionuar dhe të komfortit. Këto janë fusha që unë i njoh më mirë, prandaj edhe flas për to. Nuk mund të flas për bujqësinë apo për shkenca të tjera, por për energjinë dhe turizmin sapo u shpreha.
Ju përmendët tre drejtime kryesore për Shqipërinë. Lind natyrshëm pyetja: çfarë sugjeroni për të rinjtë? A duhet të ndjekin pasionin apo trendin dhe tregun e punës?
Unë kam një mendim të qartë për këtë dhe e kam shprehur vazhdimisht. Jam i lirë ta them atë që mendoj. Në jetën time nuk më ka pëlqyer kurrë kur prindërit thonë: “vajza ime ka talent për balet” dhe e dërgojnë menjëherë në shkollë baleti. Mund të bëhet balerinë, por në fund, nga shumë balerina, vetëm pak arrijnë majat dhe mundësitë kufizohen.
Aty ku talenti është i fortë, ndiqni pasionin. Nëse keni talent dhe pasion, vazhdoni në atë drejtim. Mund të bëheni një këngëtar shumë i mirë, një balerin shumë i mirë, një arkitekt shumë i mirë, një piktor shumë i mirë. Por këto janë fusha ku dominon talenti.
Unë vetë e kam pasion muzikën, por nuk di të këndoj. Prandaj mendoj se duhet të shikoni më larg: si do ta ndërtoni jetën tuaj reale? Si e projektoni veten në të ardhmen? Pyetni edhe prindërit tuaj: ku e shohin ata veten dhe çfarë këshillash kanë për ju.
Unë nuk jua thashë më parë, por kam lindur në një familje ekonomistësh; megjithatë, nuk u bëra ekonomist. Unë ndoqa ëndrrën time për t’u bërë inxhinier. Kjo është pjesa kryesore që duhet të diskutojmë. Ju duhet të shikoni përtej shkollës. Pra, nëse bëheni arkitekt, mjek, inxhinier apo ndërtues, duhet të pyesni veten: ku e shoh tregun e së ardhmes? Kjo është pyetja që duhet t’i bëni vetes dhe për të cilën duhet të konsultoheni jo vetëm me shkollën, por edhe me prindërit tuaj.
Unë përmenda tre drejtime kryesore zhvillimi, por ka edhe shumë të tjera. Nuk thashë që ndërtimi është zhvillimi kryesor i vendit, dhe këtë e them për një arsye të fortë: Shqipëria është e ngopur me ndërtime. Ndërtimi për frymë është rritur ndjeshëm. Nëse sot kemi rreth 70 milionë m² sipërfaqe ndërtimi dhe e pjesëtojmë me numrin e banorëve, rezulton se kemi shumë ndërtim për person.
Ndërtimi nuk është ëndrra ime, por ajo që ka rëndësi është që këto ndërtime të jenë me eficiencë të lartë, të ofrojnë komfort të lartë për njerëzit, të kenë sisteme të mira ngrohjeje, ftohjeje dhe ujë të ngrohtë sanitar. Këto janë nevoja bazë jetësore. Pra, unë e shoh përtej idesë për t’u bërë thjesht ndërtues: mund të bëhesh një instalator shumë i mirë, një inxhinier i sistemeve të kondicionimit, një inxhinier elektrik apo një specialist i prodhimit të energjisë nga hidrocentralet, fotovoltaikët, biomasa e të tjera.
Duhet ta shikoni veten jo vetëm te pasioni, por mbi të gjitha te tregu i punës ku do të hyni. Në fund të fundit, njeriu nuk jeton dot vetëm me pasionin. Përvoja ka treguar se ata që ndjekin vetëm pasionin kanë dy rrugë: ose bëhen shumë të famshëm - gjë që ndodh rrallë - ose vazhdojnë ta ndjekin pasionin duke sakrifikuar një pjesë të cilësisë së jetës.
A mund të ndani me ne maturantët një moment suksesi dhe një moment dështimi në jetën tuaj profesionale?
Dështimi më i madh ka qenë kur u bëra biznesmen, sepse falimentova. Nuk isha një biznesmen i madh, por pikërisht në atë periudhë arrita të krijoj të mirat materiale që kam edhe sot-shtëpinë, makinën dhe një pjesë të jetës sime- sepse investova shumë. Në atë kohë, biznesi funksiononte shpesh me klering: bëje një punë dhe merrje në këmbim një apartament. Kjo ishte ajo që fitova, por mungesa e likuiditeteve më detyroi të tërhiqem.
Arsyeja pse falimentova lidhej edhe me faktin se zgjodha të bëja biznes në fushën që njihja më mirë: ngrohjen, ventilimin dhe kondicionimin. Kishte shumë punë për të bërë në vitet 2003–2009, por nuk kishte kulturë për këto sisteme. Sot është krejt ndryshe. Atëherë njerëzit nuk e ndienin si nevojë reale ngrohjen apo ftohjen, sepse prioritet ishte strehimi.
Veten time e kam parë gjithmonë më shumë te politikëbërja. Aty kam pasur suksesin më të madh, sidomos në vitet 2013–2024, kur kam punuar në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe në Ministrinë e Energjisë dhe Ekonomisë, duke kontribuar në hartimin e ligjeve dhe akteve nënligjore të rëndësishme. Kulmi ka qenë plani për klimën dhe energjinë, si dhe vendimi për diversifikimin e burimeve: ndalimi i hidrocentraleve të vegjël, reduktimi i ndotjes mjedisore dhe orientimi drejt energjisë diellore. Nëse e shikoni sot, gjithçka ka ndryshuar. Diskursi i viteve 2007–2012 është përmbysur dhe sot nuk diskutohet më për hidrocentrale të vegjël, por për panele fotovoltaike.
Ky është një nga sukseset që lidhet edhe me punën time, por nuk kam dëshirë ta atribuoj personalisht. Nëse bën një politikëbërje të shëndoshë dhe bind institucionet vendimmarrëse, atëherë ky është suksesi i vërtetë. Prandaj: punë, punë dhe vetëm punë. Studioni mirë dhe orientohuni drejt një fushe të caktuar. Ky është çelësi i suksesit për këdo, edhe për ju në të ardhmen.
Si e parashikoni, profesor, të ardhmen e profesionit të inxhinierit, duke marrë parasysh sfidat që po kalon Shqipëria dhe ato me të cilat do të përballet në 10–15 vitet e ardhshme?
Universiteti ka kaluar sfida të jashtëzakonshme gjatë viteve të tranzicionit dhe unë besoj se kemi dalë nga tranzicioni, pavarësisht mendimeve të ndryshme. Edhe inxhinierët kanë kaluar ulje-ngritje. Ka pasur momente kur, në Universitetin Politeknik, numri i studentëve për inxhinieri ishte shumë i ulët. Arsyeja ishte e thjeshtë: tregu i punës dominohej nga ndërtimi. Pra, Fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit ishte i mbushur me studentë, ndërkohë që Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike dhe Elektrike nuk kishte shumë zhvillim.
Në vitet e fundit ka pasur një rritje të jashtëzakonshme të kërkesës për inxhinierë mekanikë. Tregu i inxhinierëve të ndërtimit është ngopur, ndaj tani po kërkohen gjithnjë e më shumë inxhinierë elektrikë, mekanikë dhe të industrive civile. Kjo ka bërë që këta specialistë të jenë të pakët në treg. Në këtë drejtim ka ende shumë punë për të bërë. Nevoja për inxhinierë është rikthyer fuqishëm. Madje, ka ende nevojë edhe për inxhinierë ndërtimi dhe për arkitektë.
Megjithatë, mendimi im për arkitekturën është ky: sot Tiranën po e ndërtojnë kryesisht arkitektë të huaj. Ata janë liderët e arkitekturës, jo arkitektët tanë. Nuk dëgjojmë shpesh emra arkitektësh shqiptarë që të përmenden si më të mirët; përkundrazi, përmenden arkitektë të huaj si Boeri apo Kazamontin. Kjo tregon se vetë sistemi nuk ka krijuar ende besimin e plotë te arkitektët vendas. Si rezultat, shumë arkitektë shqiptarë janë orientuar drejt dizajnit të brendshëm dhe punëve më të vogla.
Ndërtimi si sektor është drejt ngopjes, ndërsa arkitektura po zhvendoset gjithnjë e më shumë drejt interierit dhe dizajnit të brendshëm. Nga ana tjetër, drejtimi i inxhinierisë mekanike, sidomos në fushën e impianteve dhe industrisë, është jashtëzakonisht premtues. Po ashtu, inxhinieritë elektrike dhe elektronike janë në një zhvillim shumë të fortë.
Zhvillimi i inteligjencës artificiale ka bërë që vëmendja të rikthehet te inxhinieria. Jo sepse ajo do të bëjë mrekulli vetë, por sepse inxhinieria do ta përdorë më mirë atë. Inteligjenca artificiale ka nevojë për inxhinierë që njohin proceset. Nëse ti nuk e njeh procesin e prodhimit – për shembull, si prodhohet një shishe plastike – inteligjenca artificiale nuk mund ta bëjë këtë vetë. Je ti që i jep komandat: duhet të njohësh temperaturat, materialet, parametrat teknikë dhe pastaj ajo mund të funksionojë.
Pra, është njeriu që e komandon inteligjencën artificiale. Zhvillimi i saj e vendos inxhinierin në një pozicion krejtësisht të ri. Kjo është edhe arsyeja pse ne, në institucionet tona, po orientojmë studimet drejt forcimit të bazave në fizikë dhe matematikë, në mënyrë që studentët të jenë në gjendje ta përdorin në mënyrë efikase inteligjencën artificiale.
Nuk është inteligjenca artificiale ajo që do të na sjellë gjithçka gati. Ky është një perceptim i gabuar. Prandaj duhet të kemi shumë kujdes kur zgjedhim profilin tonë profesional. Nëse zgjedh IT-në, duhet të dish të programosh dhe të kuptosh si funksionon inteligjenca artificiale, përndryshe rrezikon të mbetesh vetëm një përdorues i saj, jo krijues. Sa më mirë të njihni proceset fizike, inxhinierike, materialet, energjinë elektrike dhe sistemet elektronike, aq më të kërkuar do të jeni në tregun e punës në të ardhmen.
Meqë folët më herët për energjinë dhe si po investohet në Shqipëri, si e shikoni ju vizionin e qeverisë sot ndaj zhvillimeve infrastrukturore dhe energjetike?
Unë e përmenda që në strategjinë S3 (Smart Specialization Strategy) do të gjeni tre drejtimet kryesore që përmenda: bujqësinë dhe ushqimin, turizmin dhe energjinë. Energjia dhe infrastruktura nuk janë e njëjta gjë. Sigurisht, infrastruktura rrugore është një komponent më vete, ashtu si edhe ajo hekurudhore. Këto zhvillohen në funksion të zhvillimit rajonal të vendit.
Arteriet kryesore rrugore po ndërtohen në përputhje me korridoret e mëdha të infrastrukturës, por duhet të kemi parasysh se çdo infrastrukturë rrugore shoqërohet edhe me infrastrukturën energjetike: tubacionet e gazit ose naftës dhe rrjetet e energjisë elektrike. Kurba e zhvillimit të një vendi lidhet ngushtë me zhvillimin e energjisë. Energjia është faktori numër një që dominon në infrastrukturën e një vendi. Me infrastrukturë nuk duhet të kuptojmë vetëm rrugët dhe energjinë, por edhe furnizimin me ujë, kanalizimet dhe trajtimin e ujërave të ndotura.
Infrastruktura rrugore do të ndiqet domosdoshmërisht nga infrastruktura energjetike dhe elektronike, si fibrat optike, si dhe nga infrastruktura e ujit dhe kanalizimeve, me qëllim mbrojtjen e mjedisit.
Sot, infrastruktura energjetike dominohet nga zhvillime krejtësisht të reja, veçanërisht nga prodhimi i energjisë në mënyrë të shpërndarë. Dikur energjia prodhohej në mënyrë të përqendruar, në termocentrale si ato në Fier dhe Vlorë, apo në hidrocentrale në veri të vendit, dhe më pas shpërndahej te konsumatori. Sot, përkundrazi, impiantet fotovoltaike janë vendosur pranë konsumatorëve. Kjo do të thotë se kemi një model të ri të prodhimit të energjisë, të shpërndarë, i cili kërkon riformatim të sistemeve të shpërndarjes dhe transmetimit, si dhe një punë inxhinierike shumë të avancuar.
Vende si Gjermania dhe Franca përballen me të njëjtën sfidë, sidomos në kuadër të ndryshimeve klimatike. Duke mbyllur termocentralet me qymyr, ato janë të detyruara të zhvillojnë burime të reja të energjisë së rinovueshme dhe t’i integrojnë në rrjetet ekzistuese. Kjo sjell një transformim të vazhdueshëm dhe dinamik të kapaciteteve të rrjeteve energjetike në gjithë Europën.
Kjo është edhe një nga sfidat kryesore të asaj që njihet si “Green Deal”. Edhe Shqipëria është pjesë e kësaj qasjeje. Deri në vitin 2030 është faza e parë, ndërsa objektivi për vitin 2050 është eliminimi pothuajse i plotë i burimeve fosile. Kjo përbën një sfidë të madhe për zhvillimin e rrjeteve, të inteligjencës artificiale, të digjitalizimit dhe të infrastrukturës në tërësi.
Në drejtim të digjitalizimit pritet një zhvillim shumë i madh, sidomos në ndërtimin e qendrave të të dhënave (data centers). Aktualisht, Shqipërisë i mungon një qendër e madhe kombëtare për përpunimin dhe ruajtjen e të dhënave. Në fakt, kjo mungesë është e pranishme në të gjithë Ballkanin Perëndimor.
Kjo krijon një mundësi të madhe zhvillimi në fushën e digjitalizimit, veçanërisht për ndërtimin e infrastrukturës së rrjeteve me fibra optike me kapacitet të lartë. Shqipëria ende nuk ka rrjete të tilla në nivel të avancuar. Pritet që projekte si TAP, që kalon edhe nën det, të mundësojnë lidhje më të forta me Europën përmes fibrave optike, por mungesa e qendrave të të dhënave mbetet një sfidë që duhet adresuar.
A mendoni se qeveria duhet të lejojë persona që nuk janë shtetas shqiptarë të investojnë në territorin shqiptar, duke zaptuar tokat? A nuk ka Shqipëria mundësi financiare për t’i ndërtuar vetë parqet fotovoltaike?
Do të mundohem ta shpjegoj sipas këndvështrimit tim, pa hyrë në politikë. Para se ta diskutojmë këtë çështje, besoj se jeni ndikuar edhe nga një emision i disa javëve më parë në Top Channel, ku u ngrit shqetësimi se tokat po “zaptohen” nga panelet fotovoltaike.
Nëse e shohim Shqipërinë në nivel makro dhe synojmë që prodhimi nga hidrocentralet të barazohet me atë nga fotovoltaikët, në mënyrë që vendi të mos ketë nevojë për import energjie, do të duheshin rreth 5000 hektarë tokë, që përkthehen në rreth 5 GW kapacitet fotovoltaik.
Kur u hartua strategjia e diversifikimit, u mendua që të krijohej një zonë e përqendruar për fotovoltaikët në derdhjen e Semanit, ku toka është e sheshtë, e kripur dhe jo e përshtatshme për bujqësi. Aty ka mbi 4500 hektarë tokë shtetërore. Nëse këto projekte do të përqendroheshin aty, sot nuk do të kishim debat për përdorimin e tokave bujqësore.
Në kohën e diktaturës, Shqipëria kishte rreth 150 mijë hektarë tokë të punueshme; sot kanë mbetur rreth 65–70 mijë hektarë, ndërsa realisht punohet vetëm një pjesë e tyre, rreth 25 mijë hektarë. Pra, 5000 hektarë për energjinë fotovoltaike janë relativisht pak në raport me potencialin.
Unë nuk jam dakord që të përdoren toka bujqësore; jam për përdorimin e tokave të degraduara. Problemi sot është se shumë leje për fotovoltaikë jepen për tregun e lirë. Në këndvështrimin tim, për të arritur objektivin që 54.4% e energjisë në vitin 2030 të vijë nga burime të rinovueshme, këto sipërfaqe duhet të shërbejnë për nevojat e vendit.
Kur lejet jepen për tregun e lirë, investitori mund ta shesë energjinë ku të dëshirojë dhe nuk ka detyrim ta furnizojë tregun shqiptar. Për ta orientuar këtë energji drejt konsumit vendas, duhen organizuar ankande.
Nëse krahasojmë një hektar tokë bujqësore me një hektar të mbuluar me panele fotovoltaike, ekonomikisht ky i fundit prodhon më shumë të ardhura. Kjo i shtyn njerëzit të zgjedhin këtë alternativë. Prandaj, kjo është më shumë çështje politikëbërjeje sesa thjesht tregu. Nëse mbizotëron logjika komerciale, rrezikojmë të përdorim tokën për eksport energjie, ndërsa nëse zbatojmë një strategji të mirë, mund ta përdorim për nevojat tona.
A përbën të qenit femër një pengesë për të ndjekur inxhinierinë e ndërtimit? Dhe a është suksesi më shumë rezultat i talentit apo i mundësive?
Në kohën kur unë studioja, në degë si gjeologjia kishte shumë pak vajza, madje ndonjëherë vetëm një. Ndërsa në Inxhinierinë e Ndërtimit kam pasur shumë studente dhe ato kanë treguar rezultate shumë të mira. Vajzat e ndjekin këtë degë shumë mirë dhe janë shumë të afta në të.
Ju përmendët që vini nga një familje ekonomistësh. Si lindi dëshira për inxhinierinë?
Në kohën e regjimit ekzistonte një rregull që në një familje nuk lejoheshin më shumë se një person me arsim të lartë. Unë isha fëmija i dytë dhe motra ime kishte marrë të drejtën e studimit, ndaj u detyrova të filloja punë. E nisa si motorist dhe më pas vazhdova studimet në shkollë nate, derisa u bëra inxhinier.
Ishim një grup shumë i mirë studentësh dhe disa prej nesh arritën rezultate të larta. Unë kisha një profil të mirë dhe mbeta në universitet si pedagog. Dëshira për inxhinieri më lindi që herët. Babai im ishte ekonomist, por nuk merrej me punë praktike, ndërsa unë isha shumë i dhënë pas veglave dhe punëve manuale. Që i vogël merresha me riparime, hapja dhe mbyllja pajisje, dhe kështu lindi pasioni për mekanikën.
Një tjetër arsye ishte sfida. Në atë kohë, inxhinieria – sidomos ajo mekanike – konsiderohej ndër degët më të vështira. Ishte një sfidë personale për ta përballuar. Universiteti Politeknik ishte një shkollë e jashtëzakonshme, me profesorë shumë të mirë, dhe për ne ishte një ëndërr.
Më pas erdhi tranzicioni dhe shumë industri u shkatërruan. Në vitin 1997 situata u përkeqësua edhe më shumë. Inxhinierët mbetën pa terren, sepse mungonin fabrikat dhe uzinat. Megjithatë, tek unë mbeti gjithmonë ajo fryma e inxhinierit.
Si e vlerësoni zhvillimin historik të inxhinierisë në Shqipëri dhe rolin e saj në industrializimin e vendit?
Inxhinieria, nga një profesion shumë i kërkuar dikur, ra për një periudhë, por sot po ringrihet. Ka shumë profesionistë, por është e vështirë të gjesh sot nivelin e shkollimit që ishte atëherë. Politekniku ka nxjerrë inxhinierë të shkëlqyer që ndërtuan hidrocentrale, montuan turbina dhe zhvilluan industri të rëndësishme.
Sot, me ardhjen e inteligjencës artificiale, inxhinieria po hyn në një fazë të re. Ajo kërkon përshtatje me kohën dhe riformatim të rolit të inxhinierit. Edhe vetë sistemi arsimor po ndryshon për t’iu përgjigjur kësaj epoke të re.
Unë gjendem mes dy programeve krejtësisht të ndryshme: inxhinierisë dhe mjekësisë. Dua të kërkoj opinionin tuaj: pse duhet të zgjedh inxhinierinë dhe pse pikërisht universitetin tuaj?
Pse universiteti ynë? Arsyeja është e thjeshtë. Po ju tregoj një histori të shkurtër: një koleg imi u dha studentëve një ushtrim në provim dhe ata përdorën ChatGPT për ta zgjidhur. Profesori nuk gjeti asnjë gabim në përgjigje. Kjo tregon sfidën e re me të cilën përballemi: njohuritë janë të aksesueshme dhe të gatshme.
Por ajo që ka rëndësi është që ju të kuptoni thelbin e gjërave: fizikën, proceset inxhinierike, forcat që veprojnë. Sepse në të ardhmen, puna juaj nuk do të jetë një provim i thjeshtë. Do të përballeni me situata reale, ku duhet të dini si të bëni pyetjen e duhur dhe si ta kuptoni përgjigjen. Nëse nuk dini ta përdorni siç duhet inteligjencën artificiale, atëherë problemi nuk është te teknologjia, por te mungesa e bazës suaj.
Shkolla ka për detyrë t’ju japë pikërisht këtë bazë: njohuritë themelore të inxhinierisë. Pyetjen ndaj inteligjencës artificiale e formulon vetë studenti, mbi bazën e dijes që ka. Pa këtë bazë, nuk mund të marrësh përgjigje të vlefshme.
Ne, në universitetin tonë, po riformatohemi për këtë realitet të ri. Synimi ynë është t’ju pajisim me njohuri të thella mbi proceset fizike dhe inxhinierike, në mënyrë që të jeni në gjendje të përdorni teknologjinë në mënyrë të zgjuar dhe efikase.
A mendoni se institucionet duhet të marrin masa për kontrollin e cilësisë së ndërtimeve në Shqipëri?
A keni parë ndonjë ndërtues me helmetë sigurie? Në Tirana College of Technology kemi vendosur si prioritet sigurinë në punë – HSE (Health, Safety and Environment). Kjo nuk është ende një politikë e konsoliduar kombëtare, por është një domosdoshmëri për zhvillimin e inxhinierisë.
Aktualisht është bërë shumë pak në këtë drejtim. Një inxhinier i ri shpesh nuk është i përgatitur për rreziqet reale të punës. Nuk ka literaturë të mjaftueshme në shqip për këtë fushë. Ne po punojmë për ta ndryshuar këtë, duke përgatitur materiale dhe duke futur këtë lëndë si të detyrueshme në programet bachelor.
Kjo lidhet jo vetëm me sigurinë, por edhe me etikën profesionale dhe mënyrën e komunikimit me klientin. Për shembull, nuk mund të hysh në një kabinë elektrike me një shkallë alumini – janë detaje që bëjnë diferencën. Për ne, kjo është një pjesë thelbësore e formimit inxhinierik.
Çmimet e naftës janë rritur ndjeshëm. Pse Shqipëria nuk investon në përpunimin e saj, por e eksporton dhe më pas e riimporton?
Nafta shqiptare është e rëndë dhe me përmbajtje të lartë squfuri. Kjo e ka dëmtuar vazhdimisht rafinimin, sepse kërkon teknologji të avancuar për përpunim. Rafineritë tona kanë funksionuar deri rreth viteve 2007–2008, por prodhonin një karburant me cilësi të ulët që dëmtonte motorët.
Shqipëria ka pasur propozime për ndërtimin e rafinerive, por problemi është ekonomik dhe mjedisor. Për të qenë e leverdishme, një rafineri duhet të përpunojë rreth 4 milionë tonë në vit. Shqipëria prodhon rreth 1 milion ton, ndërsa pjesa tjetër duhet të importohet për përpunim.
Kjo do të thotë më shumë ndotje mjedisore, pasi mbetjet e rafinimit janë shumë të rënda. Edhe në rastet ekzistuese, si rafineritë në rajon, ndikimi mjedisor është i madh. Për këtë arsye, shpesh është më ekonomike që nafta të eksportohet si bruto dhe të përpunohet në vende me kapacitete më të mëdha.
Gjithashtu, tregu rajonal është i dominuar nga rafineri të mëdha, si ato në Greqi dhe në Maqedoninë e Veriut (OKTA), të cilat kanë kapacitete shumë më të mëdha dhe janë më konkurruese.
Në këto kushte, ndërtimi i një rafinerie të madhe në Shqipëri është i vështirë të justifikohet ekonomikisht dhe mjedisisht.
*INTERVISTA KOLEKTIVE është një format bashkëbisedimi mes një personaliteti të një fushe me të rinj, maturantë dhe studentë, në kuadrin e projektit të Institutit Pashko: “Këshillimi i Karrierës në Komunitet”, në partneritet me CED – Center for Education and Development, media MAPO dhe UET Press.Dr. Gjergj Simaku është inxhinier, ish zëvendësministër i Infrastrukturës, Territorit dhe Energjisë dhe ka qenë Drejtor i Agjencisë për Energjinë.
Lini një Përgjigje