Elita shqiptare, nga gjyqtarë në Gjykatën Supreme te doktorë, kirurgë të famshëm, dekanë në universitetet më të mira, inxhinierë, etj. dëshmon imazhin pozitiv të diasporës shqiptare në Australi.
Naum Konxha ishte i pari shqiptar që shkoi në Australi në vitin 1884. Në një aktivitet të komunitetit shqiptar në Australi, institucioni i arkivës së shtetit austrlaian i dhuroi shqiptarëve një document, certifikatë të shqiptarit të parë që kishte mbërritur atje, bashkë me historinë se si ai ia kishte dalë të regjistrohej si shqiptar edhe pse dokumentet identifikuese të tij ishin të Perandorisë Osmane. Disa vite më vonë, një emër shumë i rëndësishëm i elitës së Australisë, inxhinier Zihni Buzo, do të shtronte me dinjitet rrugën e emigracionit shqiptar në Australi për të mbetur edhe sot ndër komunitetet me imazhin më pozitiv atje. Zihni Buzo ishte një inxhinier shqiptar që ka lënë gjurmë të rëndësishme inxhinierike në veprat më të rëndësishme në Australi. Me kalimin e viteve të tjerë shqiptarë emigruan drejt Australisë për të mbërritur deri sot kur atje jetojnë rreth 33 mijë shqiptarë.
Sezar Jakupi është një ndër ta. Inxhinier i suksesshëm IT në Melbourne dhe drejtues i komunitetit shqiptar në Australi, një ndër anëtarët e Këshillit të Diasporës. Ai rrëfen historinë e emigracionit të familjes së tij në vitet ’50, por edhe të shumë familjeve shqiptare të vendosura në Australi. Jakupi rrëfen me kënaqësi ecurinë e shqiptarëve në Australi si pjesë e rëndësishme e elitave profesionale e intelektuale në shumë fusha. Jakupi rendit emra konkretë shqiptarësh në majën e drejtësisë, të mjekësisë, inxhinierive dhe shumë fushave të tjera. Për ndryshim nga vende të tjera ku imazhi i shqiptarëve në emigrim nuk është edhe aq pozitiv, në Australi, Sezar Jakupi thotë se është komuniteti më i respektuar.
Ai ishte pjesë e samitit të Diasporës dhe çfarë përfiton komuniteti shqiptar i Australisë nga ky samit. Shumë prej problematikave që prej vitesh mbeten nëpër sirtarët diplomatikë, Jakupi beson se kanë marrë rrugën e zgjidhjes në këtë samit.
Në një intervistë për TemA, ai flet për historinë e tij personale, komunitetin shqiptar në Australi dhe rezultatet e samitit të Diasporës