Standardi i dyfishtë/ Mjekja adiktologe: Gratë që përballen me varësinë gjykohen, ndërsa burrat i justifikojmë

30 Nëntor 2025, 18:13Sociale TEMA
Standardi i dyfishtë/ Mjekja adiktologe: Gratë që përballen

Mjekja toksikologe dhe adiktologe, Dr. Sonila Bitri, thotë se gjatë punës së saj me personat që përballen me varësinë, ka vënë re një dukuri të dhimbshme : gratë janë ato që braktisen në momentin e parë që bëhet e dukshme se kanë probleme me varësinë. Ndërkohë, kur partnerët meshkuj përballen me këtë diagnozë, bashkëshortet janë të prirura të qëndrojnë pranë tyre gjatë procesit të shërimit, edhe në rastet kur çifti është në proces divorci.

Dr. Bitri shprehet se gratë mbeten më të gjykuara dhe stigmatizuara nga shoqëria, por edhe nga familja, ndërsa meshkujt përballen me një reagim krejt tjetër. Bashkëshortet dhe familjarët e tyre përpiqen jo vetëm t’i mbështesin, por edhe të justifikojnë varësinë e tyre, duke fajësuar shoqërinë. Në anën tjetër, gratë që përballen me varësinë, shihen si simbole dështimi nga shumica e njerëzve.

Ndërkaq, varësia financiare e thellon problemin edhe më tej. Shumë gra e kanë të pamundur të largohen, por njëkohësisht as nuk mund të mbështeten tek bashkëshortët e tyre për ndihmë.

Varësia ekspozon jo vetëm brishtësinë personale, por edhe pabarazitë sociale.

Ndiq episodin e plotë të Apostrof Podcast: Çfarë e shkakton varësinë dhe si mund të dalim prej saj? | Dr. Sonila Tivari | Apostrof #46