“Toskana e Shqipërisë”; Banorët e Roskovecit protestojnë kundër TEC-it

26 Dhjetor 2024, 18:10Sociale TEMA
“Toskana e Shqipërisë”; Banorët e Roskovecit

Nga Valbona Davidhi

Dhjetëra banorë të pesë fshatrave të Roskovecit protestuan mesditën e së enjtes kundër ndërtimit të një termocentrali të ri me kapacitet 170 MW në fushat pranë tyre, të miratuar një javë më parë nga Këshilli i Ministrave.

Me pankarta në duar, banorët e fshatrave Suk 1, Suk 2, Arapaj, Jagodinë dhe Strum, të cilët kryeministri Edi Rama i kishte quajtur disa vite më parë “Toskana e Shqipërisë,” e cilësuan projektin si një “vepër kriminale,” që sipas tyre dëmton mjedisin e zonës dhe rrezikon bujqësinë si aktivitetin kryesor ekonomik.

“Kjo është zonë blegtorale dhe bujqësore. Mbi 750 hektarë sera prodhojnë për vendin tonë, BE-në dhe Ballkanin. Kjo është tokë buke,” tha një nga protestuesit. Ai shtoi se i kishin kërkuar takim kryeministrit, por nuk janë pritur. “Kemi ardhur deri në Tiranë, por kryeministri s’na dëgjon. Kam dy fëmijë; është brezi që po na e merr Gjermania,” shtoi ai.

Ndërtimi i një termocentrali me gaz, i bërë publik në pranverë të vitit 2023, u miratua në mbledhjen e 18 dhjetorit 2024 nga Këshilli i Ministrave. Leja, që sipas vendimit nuk është koncesion, iu dha kompanisë aksionere “FIER THERMOELECTRIC” SH.A., FTE, aksionet e së cilës zotërohen 30% nga kompania shqiptare “Gener 2,” 35% nga kompania private greke GEK TERNA S.A., dhe 35% nga Korporata Publike e Gazit të Greqisë, DEPA COMMERCIAL S.A. Kjo e fundit, bazuar në raportin publik të Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis, ka garantuar me një kontratë të vitit 2022 furnizimin me gaz të termocentralit përmes gazsjellësit TAP për 7 vjet.

Sipas Vendimit të Ministrave, termocentrali do të ndërtohet dhe vihet në punë brenda 36 muajve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi dhe do të shfrytëzohet për një periudhë 49-vjeçare. Në vendim, qeveria deklaron se do të marrë 2% të prodhimit vjetor si “royalty,” ndërsa kompania detyrohet t’i shesë, sipas ligjit në fuqi, pjesë të energjisë shpërndarësit publik.

Protestuesit kërkuan ndalimin e ndërtimit të TEC-it, duke pohuar se ai do të shkaktonte ndotje masive në zonë. Ata theksuan se refuzimi për të dëgjuar zërin e banorëve dhe mungesa e konsultimeve publike janë tregues të arrogancës së pushtetit, që synon shpopullimin e zonës me 10 mijë banorë.

Banorët shprehen se termocentrali do të dëmtojë tokën dhe ujin, si edhe shëndetin e tyre. Ata i tremben faktit se zona, deri tani e pastër nga industria dhe me ekonomi kryesisht të bazuar në agrikulturë, mund të përballet me të njëjtin fat si fushat e Patos-Marinzës.

Ndërkohë, në argumentet për rishikimin e planit vendor për të mundësuar ndërtimin e termocentralit, ekspertiza e kryer me kërkesë të Bashkisë Roskovec arsyeton se TEC-i do të ishte më fitimprurës sesa bujqësia në të njëjtën sipërfaqe toke. “Kontributi socio-ekonomik i veprës termo-energjitike, TEC Roskovec, është vlerësuar të jetë rreth 400 herë më i lartë sesa ai i veprimtarisë bujqësore në të njëjtën sipërfaqe dhe për të njëjtën periudhë 25-vjeçare,” thuhet në raport.

Megjithatë, raporti nuk merr parasysh ndikimin që TEC-i mund të ketë në ekonomitë bujqësore përreth, edhe pse tërthorazi ngre shqetësime për ndotjen dhe tjetërsimin e burimeve ujore në zonë. Sipas raportit, TEC-i ndodhet vetëm 1.2 kilometra larg lumit të Semanit, dhe proceset e tij mund të sjellin “kontaminimin e ujit të pijshëm.”

“Derdhja e ujit të përdorur me temperaturë të lartë (si pasojë e procesit teknologjik) mund të sjellë ndikime serioze në ciklin jetësor të organizmave shtazorë dhe bimorë, si dhe në funksionimin e ekosistemeve natyrore (ujore dhe tokësore),” thuhet në raport.

Dhurata Malka, anëtare e opozitës në Këshillin Bashkiak të Roskovecit, deklaroi se vendimi për lejimin e ndërtimit të TEC-it është marrë pa respektuar procedurat e dëgjesave publike dhe pa marrë mendimin e banorëve.

“Dëgjesa është bërë dhe kanë marrë pjesë pastrueset e shkollave dhe disa punonjës administrate. Kjo ishte dëgjesa që kanë bërë,” tha Malka, duke akuzuar se mendimi i banorëve nuk është marrë në konsideratë. Ajo paralajmëroi se ndikimi në zonë do të jetë “katastrofik.”

“Këtu kemi dy shkolla, nxënësit e të cilave, përveç rrezikimit të shëndetit, do të vuajnë edhe ndotje akustike,” shtoi Malka për BIRN.

4 Komente

  1. S
    Salehu

    Termocentralet me gaz jane ne prendim ne mes te qyteteve, kush I mashtron keta se ndyjne ambientin ap0 jane pjedha e sheqeres

    Përgjigjjuni
    1. P
      Per korrektese

      Ne Britani sot janë në punë 35 Termocentrale. Japin 25% te energjisë. Ka patur edhe me qymyr, por i fundit u kthye ne muze dhe godine per komunitetin pak kohë më parë. Veçoria është e atyre me gaz, që kane shumë ane positive. Lexoni kete artikull: https://bkvenergy.com/learning-center/pros-and-cons-of-natural-gas/ Hidroçentral, jo. Termocentral, jo. Central berthamor, nuk kemi fuqi, por do bejne shurren ne brekë treçereku i Roskovecit. Do ngrihet Saliu e do thotë që Rama do hedhë në ere Shqiperinë. Ndersa Po ta aprovojë Saliu centralin berthamor, do thotë: "Kjo asht arritja ma e madhe e popullit shqipetar qy ne kohën e Skenderbeut". Kjo jo, ajo jo. Me diçka do prodhohet energjia. Dhe leverdia është që TAP është afer, prandaj bëhet aty. Kundershtime do ketë gjithmonë. Ndertohet autostrada, protesta. Ndertohet aeroport, protesta. Ndertohet furrë buke, protesta. Ne fakt këtu do.pare vetëm korrupsioni me fondet, sepse qe do ndertohet, kjo ka marre fund. Edhe sikur kryetarin e bashkise te Roskovecit ta vesh kryeminister, do bëhet termocentrali. Rama ka zullume te tjera, por ajo aprovimi.

      Përgjigjjuni
    2. P
      Poseidon

      PO QE DHE GAZI,NDOTES AHERE I BIE QE TE JETOJME ME PISHE SE EDHE UJI PRISH BIODIVERSITETIN ,EDHE ERA VRET ZOGJTE,DHE FOTOVOLTAIKE DEMTOJNE AMBIENTIN,E SBEHET FJALE PER ENERGJI BERTHAMORE....... AHERE KETYRE QE KUNDERSHTOJNE HIQINI KORENTIN DHE TA SHOHIN TE SEMES........AEROPORTI PRISH RRUGEN E SHPENDEVE DHE LERINI NE KEMBE OSE TE VAZHDOJNE QE TE. SHKOJNE NE TIRANE ,GREQI E KUDOQOFTE.....

      Përgjigjjuni
      1. P
        Poseidon

        PO QE DHE GAZI,NDOTES AHERE I BIE QE TE JETOJME ME PISHE SE EDHE UJI PRISH BIODIVERSITETIN ,EDHE ERA VRET ZOGJTE,DHE FOTOVOLTAIKE DEMTOJNE AMBIENTIN,E SBEHET FJALE PER ENERGJI BERTHAMORE....... AHERE KETYRE QE KUNDERSHTOJNE HIQINI KORENTIN DHE TA SHOHIN TE SEMES........AEROPORTI PRISH RRUGEN E SHPENDEVE DHE LERINI NE KEMBE OSE TE VAZHDOJNE QE TE. SHKOJNE NE TIRANE ,GREQI E KUDOQOFTE.....

        Përgjigjjuni

        Lini një Përgjigje