‘Universiteti një muze i shekullit XX’: Teknologjia po e dobëson monopolin mbi dijen

28 Shtator 2025, 20:50Sociale TEMA

‘Universiteti një muze i shekullit XX’: Teknologjia po e

I parë ndër kohë si simbol i dijes, i elitës dhe i karrierës, sot arsimi i lartë duket se është një trup i lodhur.

Auditorët gjysmë bosh, kurrikulat e ngurta, tarifat e larta dhe diploma që vjetrohen, janë panorama që përshkruan sot sistemin universitar në Shqipëri dhe më gjerë.

Për shumë vite, diploma universitare ka qenë bileta për një punë të mirë në shtet, për status dhe siguri financiare.

Por ky model tashmë duket se po shembet.

Universiteti klasik është bërë një institucion i ngadaltë dhe gjithnjë e më shumë i dyshuar.

Në një intervistë për Albanian Post, Edi Vlusha, ekspert komunikimi, flet me sinqeritet për këtë krizë të thellë dhe për sfidat që po përballet arsimi i lartë.

“Auditorët bosh, metodat e vjetruara, programet që nuk i përgjigjen nevojave reale të tregut të punës, dhe mbi të gjitha, diploma që ka humbur peshën e mëparshme — kjo është e vërteta e hidhur”.


Sipas tij, diploma universitare në Shqipëri dhe rajon nuk është më garanci për punësim apo për jetesë të mirë.

“Dalin çdo vit më shumë se 20 mijë të diplomuar në vendin tonë, por tregu i punës nuk ka kapacitet t’i përthithë të gjithë. Shumë nga këta të rinj përfundojnë në punë të thjeshta, të papërputhshme me studimet e tyre, ose emigracioni është zgjidhja e vetme,” shpjegon ai.

Diploma pa treg


“Situata nuk është ndryshe as në Kosovë, Maqedoninë e Veriut apo Bosnje,” thotë Vlusha.


“Universitetet prodhojnë më shumë diploma sesa profesionistë të kualifikuar, dhe kjo është një nga plagët më të mëdha që po përballet rajoni ynë.”

Ai jep një shembull konkret: “Në Tiranë, për shembull, shumë studentë kanë zgjedhur IT-në, që është një nga fushat me kërkesë në tregun global. Por, shumë prej tyre dalin nga universiteti me njohuri vetëm teorike, pa aftësinë e nevojshme për të ndërtuar aplikacione reale, për të punuar në projektet e jetës së përditshme. Ndërkohë, dikush që kalon tre muaj në një bootcamp programimi është më i gatshëm për tregun.”

Përtej Ballkanit, e ardhmja e universiteteve duket edhe më sfiduese.

“Në vitin 2018, Google bëri një revolucion, duke hequr diplomën universitare nga kriteret e punësimit,” tregon Vlusha.

“Kompani të tjera si Apple, IBM, dhe shumë startup-e në Silicon Valley ndoqën shembullin e tij. Aty ku lindin inovacionet e së ardhmes, diploma nuk ka më atë peshë që kishte dikur.”

Në vende si India dhe Nigeria, miliona të rinj ndjekin kurse online për të hyrë në tregun global të teknologjisë, duke konkuruar drejtpërdrejt me studentët e universiteteve më prestigjioze.

“Në Finlandë dhe Gjermani, po eksperimentohen modele të reja ku studentët kalojnë më shumë kohë në kompani sesa në auditorë,” shton eksperti.

“Le të jemi realistë,” thekson ai, “tregu i punës sot pyet çfarë di të bësh, jo sa vite ke kaluar në universitet. Kur Google dhe Apple nuk e kërkojnë më diplomën, kjo është një shuplakë për sistemin klasik arsimor që ka shitur për shekuj iluzionin se diploma është garancia e jetës.”

Teknologjia, universiteti i ri

“Në vend të tre viteve monotone në leksione të vjetruara, sot një i ri mund të ndjekë një bootcamp intensiv prej tre muajsh dhe të dalë i punësueshëm menjëherë,” shpjegon Vlusha.

Ai tregon se platformat online si Coursera, EdX apo Khan Academy kanë prishur barrierat e dijes.

“Një student në Elbasan mund të ndjekë falas kurse nga MIT apo Harvard, ndërsa një i ri në Shkodër mund të mësojë marketing digjital dhe të punojë remote për kompani ndërkombëtare.”

Këto mundësi po e dobësojnë monopolin e universitetit klasik mbi dijen.

“Universiteti është kthyer në një muze i shekullit XX,” thotë eksperti i komunikimit.

“Në Shqipëri, për shembull, universitetet ende operojnë me kurrikula të vjetruara, auditorë masivë dhe mungesë laboratorësh praktikë. Bibliotekat janë bosh dhe studentët mësojnë vetëm për provim, jo për jetën.”

Një dekadencë globale e arsimit të lartë

“Po e shohim edhe në Itali, ku mijëra studentë braktisin universitetet klasike për akademi private, ose në SHBA, ku kostot marramendëse kanë hapur një debat të madh mbi vlerën e diplomës,” thotë Vlusha.

“A ia vlen të ngelësh me 100 mijë dollarë borxh për një diplomë që nuk të siguron punë?”

A vijon të ngrejë një sërë pyetjesh…

Nëse universiteti klasik ka marrë fund, kush do ta marrë rolin e tij? A do të jenë teknologjitë, kompanitë, apo vetë individët që do të ndërtojnë rrugët e reja të edukimit?

“Një gjë është e sigurt: kush mendon se universiteti është i përjetshëm, jeton në të kaluarën.”

Sipas tij, universiteti klasik nuk do të zhduket menjëherë, por po humbet autoritetin ngadalë e sigurt.

“Ata që nuk ndryshojnë do të mbeten muze. Të rinjtë nuk kanë luksin të presin pesë vite për dije që tregu i punës i ka shpallur të vjetruara sot,” përfundon eksperti.

Vlusha beson se modeli i ri do të jetë i bazuar në përvoja praktike, në trajnime intensive, në mësim online dhe bashkëpunim të drejtpërdrejtë me kompanitë.

“Është koha që dikush të ketë kurajën ta thotë këtë hapur dhe të ndërtojë sistemin e ri të arsimit.”

Në një epokë ku ndryshimet janë të shpejta dhe nevojat për dije janë gjithnjë e më praktike, universiteti klasik është përballur me sfida që asnjëherë më parë nuk ka përjetuar.

Kjo na fton të reflektojmë dhe të veprojmë, në mënyrë që arsimi i lartë të mos mbetet një relike e së kaluarës, por një motor i fuqishëm i zhvillimit dhe inovacionit.

2 Komente

  1. Jam dakord që mjaft degë apo programe studimi në Shqipëri janë hapur si për qoka dhe nuk prodhojnë specialistin e duhur as nga cilësia, por as nga kërkesat e tregut. Por programet e tjera, psh IT, ka nevojë për anën teorike që të kuptohet dukuria apo problematika. Nuk zgjidhen gjërat apo problematikat pa njohur anën funksionale, fizike etj. Shkollimi duhet, pavarësisht bjerrjes edhe si pasojë e stafeve akademike shpesh të paafta të kuptojnë se çfarë u duhet studentëve, por rrinë me programe të para viteve ‘90.

    Përgjigjjuni
    1. j
      jon

      Po ta mbushësh vendin me universitete ku futen pa mesatare dhe marin diploma sigurisht që kjo diplomë është pa vlerë plus që me shkatërimin e industrisë në të gjitha degët ikin vendet e punës,ku do punojnë inxhinjerat pa pas uzina,kombinate,fabrika etj......

      Përgjigjjuni

      Lini një Përgjigje