VIDEO/ Kur zhvillimi injoron njerëzit që i kanë dhënë jetë qytetit

17 Dhjetor 2025, 21:13Sociale TEMA
VIDEO/ Kur zhvillimi injoron njerëzit që i kanë dhënë

Në një pikë të caktuar, gjuha e “zhvillimit” resht së qeni neutrali dhe nis të tingëllojë si një justifikim. Në këtë fragment nga Apostrof Podcast, pyetja nuk është nëse duhet apo jo që qytetet të ndryshojnë – tek e fundit, ndryshimi është i pashmangshëm – por kujt i përkasin këto ndryshime?

Elvin Nuri, poet dhe autor i vëllimit “Kaos Zherminal,” vë në pah logjikën familjare të dëshirës për vizibilitet jashtë Shqipërisë, artikujt promovues në shtypin e huaj, turizmin dhe rritjen e çmimeve, ndërsa vendasve iu duhet gjithmonë të përshtaten. Të mbetur pa asnjë rrugëdalje tjetër, ata detyrohen të shtyhen edhe më larg zonave në të cilat kanë jetuar dikur. Ata pranojnë se zonat ku janë rritur, lagjet ku kanë patur shkollën dhe ku kanë kaluar një pjesë të jetës së tyre nuk janë më për ta. Ironia është se diçka e tillë paraqitet si normale dhe e pashmangshme, e veshur me gjuhën e progresit, zhvillimit dhe rritjes ekonomike.

Por, Nuri shton se Tirana nuk është Parisi dhe nuk ka ofertën kulturore të një qyteti të rëndësishëm perëndimor edhe për vizitorët. Ajo çfarë Tirana ka – dhe që e ka bërë një qytet autentik deri tani – nuk është kultura monumentale dhe as pika turistike të kuruara me kujdes, por densiteti i saj, kontradikta dhe intensiteti i një jete të përditshme, i prodhuar nga njerëz që jetojnë në afërsi me njëri-tjetrin duke improvizuar, debatuar dhe hera-herës edhe duke u përplasur me njëri-tjetrin.

Nëse ia heq qytetit këtë limfë jetësore, Tirana rrezikon të humbasë shumëçka nga origjinaliteti i saj i dikurshëm, për t’u kthyer në një vend që duket i gjallë dhe aktiv, por që në të vërtetë është i zbrazët dhe i organizuar rreth dëshirave të vizitorëve, jo të banorëve.

Ndiq episodin e plotë të Apostrof Podcast:

Poezia e kaosit urban: Të krijosh mes konfuzionit dhe ndryshimit të vazhdueshëm | Apostrof #48