Në episodin e 40-të të Apostrof Podcast, botuesja Loreta Berhami flet për ndryshimin e thellë mes brezave që po rriten sot dhe atyre që u përballën me teknologjinë më vonë në jetë. Duke iu referuar librit “Brezi i Ankthit” të Jonathan Haidt, ajo thekson se brezi Z është i lindur në botën digjitale, ndërsa prindërit janë “migrantë teknologjikë” që ende po përpiqen të përshtaten.
Sipas saj, kjo diferencë e madhe mes brezave nuk lidhet vetëm me aftësinë për të përdorur teknologjinë, por edhe me mënyrën se si ajo ndikon zhvillimin e trurit dhe perceptimin e realitetit tek fëmijët. Prindërit mund ta kuptojnë varësinë që krijon telefoni, por shpesh nuk ndërhyjnë, sepse vetë janë pjesë e të njëjtit mekanizëm shpërqendrimi.
Berhami thekson gjithashtu se ndryshimi nuk mund të vijë te "shkatërrimi" i teknologjisë, apo kthimi pas në kohë, por se shoqëria duhet të mësojë të vendosë kufij të qartë për të mbrojtur fëmijët nga Big Tech. “Ndryshimet që po ndodhin në trurin e fëmijëve të ekspozuar në platforma, që nuk janë të menduara për zhvillim të shëndetshëm, janë të përhershme,” shton ajo.
Ky episod është pjesë e një serie episodesh në lidhje me ndikimin e teknologjisë dhe rrjeteve sociale te fëmijët dhe adoleshentët.
Si rrjetet sociale vodhën fëmijërinë e një brezi | Loreta Berhami | Apostrof #40