VIDEO/ "Rritje ekonomike, po për kë?" - Bora Mema: Një sistem që mat gjithçka, përveç mirëqenies

8 Gusht 2025, 18:51Sociale TEMA
VIDEO/ "Rritje ekonomike, po për kë?" - Bora Mema: Një

Sa herë njoftohet për rritje të Prodhimit të Brendshëm Bruto, turizmit, apo produktivitetit, fjala “rritje” jehon nëpër titujt e mediave si një lloj mantre fetare. Diçka e thuajse e shenjtë dhe pakritikueshme.

Por, siç shprehet Bora Mema – studiuese e ekonomisë politike – ndodh rrallë që të ndalemi dhe të pyesim se kujt i shërben rritja? E ftuar në episodin e radhës të Apostrof Podcast, ajo thekson se ka një aspekt thellësisht ideologjik në mënyrën se si jemi trajnuar të reagojmë ndaj “lajmeve të mira”, kur është fjala për ekonominë.

Një rritje PBB-së trajtohet si arritje e madhe kombëtare, edhe pse qiraja konsumon pjesën më të madhe të të ardhurave për shumicën e njerëzve, duke bërë që jetët e tyre të ndërtohen rreth strategjive të mbijetesës dhe jo zgjedhjeve të lira vetjake. Për më tepër, debati rreth politikave ekonomike ngrihet gjithmonë mbi termat e produktivitetit, efikasitetit e konkurrencës, dhe shumë rrallë në termat e aksesit, kujdesit, apo cilësisë së jetës.

Në këtë mënyrë, ekonomia ‘mainstream’, siç mësohet në universitete dhe përsëritet vazhdimisht në media, shërben jo edhe aq për të kuptuar realisht shoqërinë, por si një gjuhë e koduar, që legjitimizon më tej pabarazinë, duke e bërë atë të tingëllojë neutrale, madje hera-herës edhe të dëshirueshme. Nëse ti nuk flet me gjuhën e ekonomisë tradicionale, mbetesh i përjashtuar nga biseda dhe nëse e flet, me shumë gjasë ia ke dalë mbanë të përvetësosh premisën bazë të saj, sipas së cilës, gjithçka që nuk mund të matet me produkt, fitim, apo performancë, është e parëndësishme.

Mema e cilëson këtë gjuhë si “ideologji dominuese”, e cila shkrin në një “zhvillimin” me “rritjen”, ndërsa çdo gjë tjetër jashtë kësaj të fundit, cilësohet shpesh si shpërqëndrim nga ekonomistët ‘mainstream.’ Por, a ka realisht kuptim zhvillimi, nëse nuk reflektohet në pensione, apo mundësinë për të bërë një jetë të pavarur nga prindërit kur arrin të 30-at, pa t’u dashur të varesh nga prindërit, apo të ndryshosh vazhdimisht punë me shpresën se do të arrish një pagë pak më të mirë?

Episodi i plotë i Apostrof Podcast publikohet të dielën, ora 17:00

https://www.youtube.com/playlist?list=PLg4y_a3lI08B8NCWY01VAH1ETuA97hqVN

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Lini një Përgjigje