Zjarret çuan dëm 4.6 mln lekë, sipas KLSH-së

24 Qershor 2022, 19:08Sociale TEMA

Zjarret çuan dëm 4.6 mln lekë, sipas KLSH-së

Shqipëria nuk i përballon dot zjarret. Ky është konstatimi i Kontrollit të Lartë të Shtetit, i cili ka parë në Agjencinë e Mbrojtjes Civile paaftësi për të vlerësuar katastrofat dhe mungesë mjetesh e burimesh njerëzore.

Kjo e bën të pamundur reagimin në kohë në rast zjarri. E tillë ishte situata në korrik-gusht 2021, kur flakët përpinë 8029 ha tokë në të gjithë vendin.

Ministria e Mbrojtjes kishte vetëm 1 helikopter në funksion, nga 4 të deklaruar për shuarjen e flakëve. Në ndihmë i erdhën helikopterë nga Gjermania, për të cilët u paguan 36 milionë lekë për 89 orë pune.

Por, me procedurë të rregullt, ata duhet të paguheshin për 77 orë pune, pasi kontrata parashikonte pagesë vetëm për orët e operacionit dhe jo të rrugës vajtje-ardhje.

Në këtë mënyrë, audituesit thonë se dëmi 4.6 milionë lekë duhet t’i kthehet shtetit nga shoqëria e kontraktuar, V.H.

KLSH kontrolloi edhe gjendjen e zjarrëfikëseve në 55 bashki, ku pa se një pjesë e makinave ishin prodhim i viteve 1960-70, dhe mungonin pajisjet mbrojtëse.

Ndërkohë edhe numri i zjarrfikësve për banor është i ulët dhe Emergjencat Civile duhet të marrin masa për të rritur kapacitetet.

Lini një Përgjigje