
Tod Bohli është pranë arritjes së një rekordi shpenzimesh në vetëm 7 muajt e parë në pronësinë e klubit të Çelsit. Blutë e Londrës kanë bërë dy afrime deri tani në merkaton e janarit, ndërsa kërkojnë edhe tre lojtarë të tjerë për të përforcuar skuadrën që po kalon një krizë rezultatesh dhe dëmtimesh.
Ekzistonte frika, se pas largimit të Roman Abramoviçit nga pronësia e bluve të Londrës, pronarët e rinj amerikanë nuk do të bënin investime të rëndësishme. Por biznesmeni amerikan Bohli shpenzoi 270 milionë paund në merkaton e verës për të afruar Fofananë, Kukurejën, Sterlingun, Kulibalin dhe Obamejangun.
Ndërkohë që skuadra u përforcua më tej me emra premtues si Karni Çukvuemeka dhe Çezare Kasadei, të cilët u transferuan për shifra të konsiderueshme.
Por shpenzimet e Bohlit pritet të vijojnë edhe këtë muaj për të paktën 5 lojtarë të tjerë. Në krye të listës së dëshirave është mesfushori i Benfikës, Enzo Fernandez. Për argjentinasin, anglezët thuhet se do të paguajnë klauzolën e prishjes së kontratës (120 milionë euro).
Çelsi ka hyrë në garë me Arsenalin edhe për mesfushorin e Shahtjorit, Mikhailo Mudrik, për të cilin ukrainasit kërkojnë 88 milionë paund.
Deri tani, Çelsi ka mbyllur transferimin e mbrojtësit francez Benua Badiashil nga Monako (35 milionë paund) dhe sulmuesit Dejvid Fofana (10 milionë paund) nga Molde, i cili ishte blerja e parë e londinezëve këtë muaj.
Bohli është i interesuar edhe për sulmuesin e Atletikos së Madridit, Zhoao Feliks. Portugezi është përfolur për një largim nga gjigantët spanjollë në formë huazimi për 5 muajt e mbetur dhe Çelsi për këtë duhet të paguajë 10 milionë paund.
Dhe në total, Bohli mund ta dërgojë faturën e shpenzimeve në vetëm 7 muaj në krye të Çelsit në 520 milionë paund.
Lini një Përgjigje