
Mjafton një gol i Danilos që Juventusi të dalë me pikë të plota nga një sfidë delikate përballë Udineses në kuadër të javës së 17-të të Serie A. Të besuarit e Allegrit triumfojnë minimalisht me rezultatin 1-0, një fitore që shkon në nder të legjendës Ginaluca Vialli që humbi jetën pak ditë më parë.
Ekipet nuk e studiojnë shumë lojën e kundërshtarit, por hidhen menjëherë në sulm për të kaluar në avantazh. Shkëndija e parë vjen nga Udinese me Ëalace që provon me kokë, por Sczcesny tregohet i vëmendshëm dhe ndal gjithçka. Po me kokë është edhe tentativa e parë e Juventusit me anë të Daniele Ruganit. Këtë herë është Silverstri që bën një pritje mjaft të mirë.
Juventusi ka një tjetër shans të artë pak minuta më pas me Kean që del i vetëm përballë portierit, por është sërish Silvestri që mban portën të paprekur. Provon nga ana tjetër Udinese që nuk ka saktësinë e duhur përpara portës.
Me rrjeta të paprekura mbyllet pjesa e parë, ndërsa në fraksionin e dytë, Juventusi shfaqet menjëherë rrezikshëm me Kean që shpërdoron një tjetër rast në këtë takim.
Juventusi duket si i mallkuar dhe topi nuk po shkon në rrjetë, por njësoj si me Cremonesen një javë më parë takimi zhbllokohet në fundin e takimit. 4 minuta nga fundi i kohës së rregullt, Danilo kalon “Zonjën e Vjetër” në avantazh pasi devijon në portë një pasim të Federico Chiesës.
Ky është edhe goli që vulos rezultatin final të takimit duke i dhënë bardhezinjve fitoren e tetë radhazi në Serie A dhe po kaq ndeshje pa pësuar gol. Me këtë fitore Juventusi ngjitet në kuotën e 37 pikëve dhe vazhdon luftën për titullin kampion.
Lini një Përgjigje