Gazetari sportiv Fatjon Baze ishte i ftuar këtë të premte në emisionin “Kubi Sportiv”, që transmetohet në “Euronews Albania” nga Drilon Xhepollari. Në studio u komentua hedhja e shortit të “play-off”-it të Botërorit, gjendja e sulmuesit Armando Broja, si dhe situata aktuale në Kategorinë Superiore.
Gazetari Fatjon Baze u shpreh se Shqipëria i ka të gjitha mundësitë dhe kualitetin e nevojshëm për të surprizuar Poloninë në transfertën e Varshavës.
“Në këndvështrimin tim, Polonia është një kundërshtar i kalueshëm. Shorti ishte i mirë, pasi janë ekipe të ngjashme me ne. Në letër, polakët mund të duken pak më favoritë për shkak të eksperiencës dhe cilësisë së disa lojtarëve, si dhe faktit që luajnë në shtëpi. Por unë besoj se këto nuk do të ndikojnë tek Kombëtarja jonë. Kemi zhvilluar një edicion kualifikues historik, duke lënë pas rivalë të fortë në grup. Edhe ndaj Anglisë, pavarësisht humbjes, dhamë një paraqitje fantastike dhe, me pak fat, mund të kishim ndëshkuar një kundërshtar që pretendon Kupën e Botës.”
Ai shtoi se suksesi ndaj Polonisë do të varet edhe nga gjendja fizike dhe formës sportive e grupit:
“Nëse deri ditën e ndeshjes kemi gjithë lojtarët në gjendje optimale dhe me minuta në këmbë, Shqipëria mund ta befasojë Poloninë në fushën e saj.”
Sa i takon Armando Brojës, Baze u shpreh se situata e tij aktuale është shqetësuese.
“Na vjen keq të gjithëve për momentin që po kalon. Pas rikthimit nga dëmtimi, Broja nuk është më ai lojtar që shkëlqente dikur. Tek Kombëtarja ai ka marrë më shumë sesa ndoshta i takonte në këtë formë: u grumbullua në Europian pa minuta në klub dhe ka qenë titullar në disa ndeshje të eliminatoreve, pa e shpërblyer plotësisht këtë besim. Shpresoj që trajneri Sylvinho të bisedojë me të, për ta motivuar dhe për ta ndihmuar të rikthehet ai i dikurshmi.”
Duke folur për gjendjen e Kategorisë Superiore, Baze u shpreh se kampionati ka humbur ritmin dhe interesin e dikurshëm pasi tifozet kane braktisur totalisht shkallet e stadiumeve.
Lini një Përgjigje