Derbi Partizani-Tirana, Bordin: Eshtë momenti që të fitojmë; Milinkovic: Koha që të tregojmë fytyrën e vërtetë

2 Tetor 2025, 16:52Sport TEMA
Derbi Partizani-Tirana, Bordin: Eshtë momenti që të fitojmë;

Të premten në orën 19:00 në stadiumin “Air Albania” do të luhet derbi i kryeqytetit, sfida Partizani-Tirana.

Trajneri i bardhebluve, Roberto Bordin, ka folur për mediat në prag të ndeshjes kundër rivalëve të qytetit. Tirana po kalon një moment të vështirë, por Bordin beson se derbi do të jetë pika e kthesës.

“Besoj erdhi ora për të fituar, duke pasur parasysh edhe moralin që lojtarët kanë shfaqur, duke parë edhe ndeshjen e fundit që kemi bërë, ku meritonim të fitonim, gjithashtu edhe për klasifikimin që është shumë i rëndësishëm, por fitorja në derbi ka tjetër rëndësi dhe tjetër moral për skuadrën.

Për fat të keq është moment i vështirë edhe pse bëmë një ndeshje të mirë kundër Dinamos por nëse nuk merr pikë, s’është përgjegjësia ime të mendoj për të tjerët dhe për të merituar një klasifikim më të mirë, duhet të japim edhe më shumë”, ka thënë mes të tjerash Bordin.

Gjithashtu, për mediet foli dhe trajneri i Partizanit, Mladen Milinkovic. Serbo-boshnjaku thotë se është koha që ekipi i tij të tregojë fytyrën e vërtetë.

"Përpara nesh është një ndeshje shumë e rëndësishme. Ne kemi vetëm 4 pikë. Është koha për të treguar fytyrën e vërtetë. Patjetër ngaqë është derbi, të gjithë besoj do jenë të motivuar për këtë ndeshje. Pres atmosferë shumë të mirë, luajmë në stadiumin më të mirë në vend. Të gjitha më japin shpresën se lojtarët do jenë shumë më mirë se në ndeshjet e fundi.

Nga dita e parë që erdha thashë se ndihem me më shumë me përgjegjësi se presion. E di se shumë gjëra janë në duart e mia dhe varen nga unë, edhe pse në futboll filozofia është që çdo gjë varet nga lojtari, por jam unë që i zgjedh në fushë. Përsa i përket presionit mendoj se është normale dhe rrugëdalja e vetme që të punosh dhe mundohesh të dalësh nga kjo situatë", tha mes të tjerash trajneri Mladen Milinkovic.

Pas javës së pestë, Partizani me katër pikë (një fitore) mban vendin e tetë, ndërsa Tirana me vetëm dy pikë (asnjë fitore), ndodhet në vendin e fundit (10).

Lini një Përgjigje