HISTORIKE: Vllaznia e vajzave kualifikohet në grupet e Champions League!

28 Shtator 2022, 18:58Sport TEMA

HISTORIKE: Vllaznia e vajzave kualifikohet në grupet e Champions League!

Vllaznia e vajzave ka shkruar sot historinë në futbollin shqiptar duke u kualifikuar për herë të parë në fazën e grupeve të UEFA Champions League dhe duke u radhitur kështu në listën e 16 ekipeve më të mira të Europës për femra, duke shënjuar arritjen më të madhe në histori të një klubi shqiptar në kompeticionet europiane.

Shkodranet luajtën në ‘Loro Boriçi’ ndeshjen e dytë të fazës së play-off-it të Champions League kundër Vorskla- Kharkiv, duke triumfuar me rezultatin 2-1 e duke siguruar kështu kalimin në fazën e grupeve për herë të parë.

Vllaznia luajti një javë më parë sfidën e parë të kësaj faze kundër Vorsklës, ku shkodranet barazuan 1-1, teksa kjo e sotmja ishte sfida e dytë mes këtyre dy ekipeve, ku skuadra shqiptare ia doli të buzëqeshte falë golave të realizuar nga amerikania Tarah Lynn Patterson në pjesën e pare dhe Gresa Berisha 2 minuta nga fundi i kohës së rregullt.

Goli i parë erdhi pas një asisti të Megi Doçit, e cila kroson nga e majta, me topin që shkon në zonën kundërshtare e ku gjendet edhe amerikania Patterson, e cila godet me kokë drejt portës kundërshtare. Topi përfundon në rrjetë dhe 1-0 për Vllazninë në minutën e 39-të të takimit. Vajzat shkodrane patën edhe raste të tjera, por pa arritur të shënojnë. Në minutën e 85-të ukrainaset barazojnë me Korsun pas një gabimi në mbrojtje ku topi i ardhur në zonë nga një goditje nga këndi nuk largohet siç duhet dhe vajzat kuqeblu surprizohen. Nuk ka kohë për demoralizime dhe vetëm 3 minuta pas barazimit vjen kryevepra e Gresa Berishës që e çon Vllazninë në grupet e UEFA Women’s Champions League.

Një 28 shtator magjik ky e që do të mbahet mend gjatë jo vetëm për Vllazninë e shkodranët, por për të gjithë futbolldashësit shqiptarë.

Një sukses i jashtëzakonshëm i arritur nga puna e palodhur e vajzave shkodrane, trajnerit Nikolin Leka, Presidentit Lazer Matija e të gjithë stafit të Vllaznisë së vajzave.

3 Komente

  1. G
    Genti

    Bravo e madhe

    1. F
      F-35 C

      Ju lumte! Respekte!

      1. J
        Jane vertet te Mrekullueshme

        Kombetarja Shqiptare do ishte shume mire te mesojne se si luhet futbolli nga gicat shkodrane .Te gjitha jane futbolliste te mira por Megi Doci ben perjashtim ajo eshte mjaft e talentuar . Mundette arrijne shume suksese ne champion league ,nqs japin gjithcka ne fushe . Shume suksese ju ja dilni

        Lini një Përgjigje