Atentati ndaj presidentit të Karmiotissas, vrasja mund të lidhet me bastet sportive

21 Tetor 2025, 10:23Sport TEMA
Atentati ndaj presidentit të Karmiotissas, vrasja mund të lidhet me

Biznesmeni dhe presidenti i klubit Karmiotissa, Stavros Demosthenous, u ekzekutua në një atentat në stil mafioz më 17 tetor, në qytetin e Limasolit ndërsa një nga pistat që po heton policia ka të bëjë me çështje të manipulimit të ndeshjeve.

Karmiotissa është një ekip në nivelin e dytë të futbollit qipriot, aktualisht në vendin e pestë ndërsa më parë, klubi është hetuar nga UEFA për trukim ndeshjesh.

Federata Qipriote e Futbollit e shpalli klubin fajtor për manipulim, por Demosthenous nuk ishte president në atë kohë, pasi mori drejtimin e klubit në vitin 2023.

Sipas raporteve të policisë qipriote, dy persona të armatosur e pritën 49-vjeçarin përpara apartamentit të tij dhe hapën zjarr me një breshëri plumbash sapo ai doli nga dera.

Djali i tij, 18 vjeç, u përpoq ta shpëtonte duke e futur në një makinë dhe duke u nisur për në spital, por Demosthenous vdiq gjatë rrugës.

Ndërsa përpiqej të transportonte babanë me shpejtësi të lartë, djali humbi kontrollin e automjetit, i cili u përplas me disa makina në autostradë.

Kjo shkaktoi konfuzion në lidhje me mënyrën e ekzekutimit. Pak minuta më pas, policia gjeti një makinë të djegur në një zonë tjetër të Limasolit, që dyshohet se ishte përdorur nga sulmuesit për t’u arratisur.

Autoritetet thonë se sulmi ishte planifikuar profesionalisht, pasi autorët kishin ndjekur lëvizjet e viktimës dhe kishin siguruar eliminimin e tij para largimit nga vendi i ngjarjes.

Hetimet po përqendrohen në pistën e lidhjeve me botën e basteve sportive dhe manipulimit të ndeshjeve, pasi Karmiotissa ka qenë më parë nën hetim nga UEFA për dyshime të përsëritura në këtë drejtim.

Si pjesë e hetimit, policia ka arrestuar tre të rinj, të moshave 58, 39 dhe 30 vjeç, të cilët ndodhen në paraburgim me urdhër gjykate. Një burrë 44-vjeçar është arrestuar gjithashtu më parë dhe po mbahet në paraburgim tetë-ditor.

Edhe pse autoritetet nuk kanë dhënë detaje të hollësishme rreth rolit të të arrestuarve, incidenti po trajtohet si një vrasje me pagesë, e lidhur me krimin e organizuar dhe interesa të mëdha financiare në futbollin qipriot.

Ky incident tronditës vjen në një periudhë të tensionuar për futbollin në Qipro, por edhe në kohën e rritjes së këtij sporti, pasi klubi elitar Pafos po luan këtë sezon në Ligën e Kampionëve.

Megjithatë, me kalimin e viteve, futbolli qipriot është përballur me akuza të shumta për manipulim ndeshjesh dhe ndikim në baste. Shoqata e Futbollit të Qipros (CFA) ka pranuar se ka marrë 85 “njoftime të kuqe” nga UEFA që nga viti 2011, lidhur me dyshime për manipulim.

Në vitin 2016, CFA miratoi masa të ashpra ndëshkuese kundër klubeve të përfshira, duke përfshirë gjoba, zbritje pikësh dhe rënie nga kategoria. Megjithatë, problemet nuk janë zhdukur.

Sipas një raporti të “World Soccer”, 40.5% e futbollistëve profesionistë në Qipro kanë qenë në dijeni të ofertave për ryshfet, ndërsa 17.2% kanë pranuar oferta të tilla, shpesh të lidhura me vonesa në paga.

Ndërkohë, hetimet për atentatin ndaj Demosthenous po vazhdojnë, me policinë që përpiqet të zbulojë rrjetin e lidhjeve që mund të kenë çuar në ekzekutimin më të bujshëm në futbollin qipriot në vitet e fundit.

2 Komente

  1. S
    Shakohoxha

    "policia ka arrestuar tre të rinj, të moshave 58, 39 dhe 30 vjeç, ..."

    Përgjigjjuni
    1. T
      Trapajani

      Me i riu 59 vjec. Hahaha,,gazetaruca bananesh,,,ky si egjyptian,,rrac Helene. Hahaha

      Përgjigjjuni

    Lini një Përgjigje