
Java e 27-të ka ulur edhe siparin e fazës së tretë të Superiores, duke vendosur tashmë 10 skuadrat pjesëmarrëse të kampionatit në pozicionet e startit për serinë e katërt e të fundit. Partizani e Tirana nuk gabuan dhe iu përgjigjën njëri-tjetrit në distancë të 24 orëve, duke u vendosur në linjë të drejtë për 9 ndeshjet e fundit. E treta, outsider, por jo aq larg sa për tu përjashtuar e për të më tepër me dy ndeshjet direkte me kryesueset njëra pas tjetrës është Egnatia.
Fitorja në Kukës i ka konsoliduar Europën, duke e lënë luftën më tepër mes Vllaznisë e Erzenit, që po vazhdojnë të ngecin në ingaranazhet e tyre të pagrasatuara mirë. Miloti e nisi keq, Kapllani me një sukses në 9 daljet e fundit i kanë vënë pikëpyetje të madhe ambicjeve të tyre për një vend në Europë në përfundim të sezonit. Blutë e Kukësit, në anën tjetër bëjnë mirë të mendojnë më shumë për mbijetesën me 35 pikët e tyre, sepse zona e play-out është vetëm 2 pikë larg.
Pesë janë ende me ethet e rënies nga kategoria, së fundmi u rikthyen të ndjejnë frikë edhe Teuta e Laçi, ndërsa barazimi në Shkodër e fitorja në Kamëz i kanë bërë Bylis e Kastriotin të shpresojnë: një ngjeshje në zonën e poshtme të renditjes, që premton 9 javë beteja për të gjitha objektivat, me asgjë të siguruar e me shumë ta papritura që mund ti japin një drejtim të ri kampionatit, në një fazë të katërt të gjithën për tu zbuluar.
Lini një Përgjigje