Ish-sulmuesi suedez, Zlatan Ibrahimović, mbetet një nga figurat më ikonike të futbollit botëror edhe pas “pensionimit”. Në një intervistë për “Sports Illustrated”, ai ndau mendimet mbi lojtarët e rinj, hezitimin e tij për t’u bërë trajner, futbollin modern dhe një transferim të mundshëm te Bayern Munich.
Mbi lojtarët e rinj dhe gatishmërinë për të dëgjuar: “Para 10 vitesh thuhej e njëjta gjë: brezi i ri nuk i respekton të vjetrit. Lojtarët e rinj duhet të kenë vetëbesim dhe ambicie për të ndjekur rrugët e tyre. Ne nuk mund t’ua heqim karakterin dhe vizionin e tyre. Roli im si lider është t’i udhëzoj, duke përdorur përvojën time”.
Hapësira për t’u bërë trajner: “Jo për momentin. Të jesh trajner duhet të bësh shumë punë. Duhet të mbulosh çdo aspekt, të krijosh ide, të analizosh dhe të përgatitesh pa pushim. Një vit si trajner për mua do të ndjehej si një dekadë”.
Roli i taktikave në futbollin modern: “Futbolli nuk është bërë më i mërzitshëm; përkundrazi, po evoluon. Megjithatë, shpesh filozofitë e trajnerëve e mbysin individualitetin e lojtarëve. Besoj se lojtari është elementi më i rëndësishëm, sepse ai bën diferencën në fushë”.
Krahasimi me Erling Haaland: “Ne mund të kemi të përbashkët vetëm flokët (bishtin, mënyrën si i lidhin). Nuk më pëlqen t’i krahasoj lojtarët, sepse secili ndjek rrugën e tij. Unë pata epokën time, ndërsa tani është epoka e tij. Haaland është një lojtar fantastik dhe po bën gjëra të mrekullueshme”.
Transferimi i parealizuar te Bayern Munich: “Futbolli në Gjermani është fantastik. Do të kishte qenë e jashtëzakonshme të luaja për një klub si Bayern Munich, për historinë e tij. Por, sinqerisht, nuk pati asnjë mundësi reale për këtë transferim”.
Aktualisht, Zlatan Ibrahimović punon si këshilltar te Milani dhe është njohur për karrierën e tij të pasur me klube si Ajax, Juventus, Inter, Barcelona, Paris Saint-Germain dhe Manchester United, si dhe për 122 paraqitje e 62 gola me kombëtaren suedeze.
Lini një Përgjigje