Kristjan Asllani gëzon Sylvinhon

7 Nëntor 2024, 14:20Sport TEMA
Kristjan Asllani gëzon Sylvinhon

Më pak se një muaj ka zgjatur dëmtimi për Kristjan Asllanin. Problemet muskulore janë hedhur pas krahëve për mesfushorin shqiptare që mori minuta në fitoren e Interit përballë Arsenalit.

Për rreth 20 minuta, 22-vjeçari bëri mirë në fushë, duke menaxhuar siç duhet sulmet e londinezëve të cilët intensifikuan aksionet në kërkim të golit të barazimit. Performanca e Asllanit që mori në fushë vendin e Hakan Çahanollu u vlerësua me notën 6.4. Lajm tepër i mirë edhe për trajnerin Sylvinho.

Rikthimi i Asllanit në fushë mbërrin në momentin e duhur për teknikun e kombëtares shqiptare, që pritet të bazohet sërish te cilësitë e mesfushorit për sfidat e fundit në Ligën e Kombeve. Një element tepër i rëndësishëm për trajnerin Sylvinho në duele tepër delikate drejt objektivit për të fituar grupin në Ligën e Kombeve.


Kuqezinjtë do të presin në “Air Albania” më 16 nëntor Republikën Çeke dhe më 19 nëntor kundër Ukrainës. Në katër ndeshjet e deritanishme në Ligën e Kombeve, Asllani ka qenë titullarë stabël në urdhrat e Sylvinhos, ku shënoi edhe golin e fitores 1-0 në Tbilisi ndaj Gjeorgjisë. 

Lini një Përgjigje