Olsi Rama kritikon FSHF-në: Në një kampionat serioz, kjo javë nuk do luhej tani

23 Nëntor 2023, 15:59Sport TEMA
Olsi Rama kritikon FSHF-në: Në një kampionat serioz, kjo

Drejtorit i përgjithshëm i Partizanit, Olsi Rama, foli pas ndeshjes me Egnatian ku nuk nguroi te kritikonte FSHF-ne.

Sipas tij, nuk duhej të luhej menjëherë kjo ndeshje, pas tragjedisë me Dwamenën. Rama tha se duhej të luhej një ndeshje tjetër dhe më pas të rikthehej java që u ndërpre.

Ai deklaroi se fusha do të tregojë nëse Egnatia dhe Partizani janë me diferenca me të tjerët.


"Kjo ishte një ndeshje, që sot nuk duhej të luhej këtu. Në asnjë kampionat, ndeshjet që anulohen gjithë javën, nuk luhen në javën e ardhshme. Nuk duhej përjetuar drama, që u përjetua në këtë stadium. Duhej t’iu jepej mundësia lojtarëve të Egnatias të shkonin në stadium tjetër.

Kishim limitime në lojtarë. Hoxha u operua, Buxhelaj erdhi me probleme. Ishim të detyruar të ndërrojmë lojtarët. Përfunduam me 9 lojtarë, barazimi ishte i drejtë. Bytyçi është ende i mpirë dhe shpresojmë të jetë dëmtim sa më i lehtë. Preka shkoi në spital, për të bërë një grafi.

Që në momentin që Abilaiaj mori drejtimin, ka qenë trajner i Partizanit. Shpresoj të arrijë rezultate pozitive. Ky është futbolli. Kam përshtypjen, që dy pritjet e Qirkos në fundin e pjesës së parë, ishin në pozicion jashtë loje. Qirko për atë punë është marrë dhe më vjen mirë që po tregon vlerat e tij.

Lojtarët janë profesionistë kur futen në fushë. Unë pashë lot te lojtarët e Egnatias. Do e kujtojmë gjithmonë momentin e Dwamenës. Nga ana etike, duhej të luhej një ndeshje tjetër para kësaj. Unë nuk kam parë asnjë kampionat, që të anulohet java dhe të vazhdohet më pas me atë javë.

Janë dy skuadra që punojnë shumë mirë. Egnatia po bën një rritje të mirë. Shpresojmë të kujdesen për fushën. Tirana është gjithmonë në luftë. Kam parë ndeshje të mira nga Skënderbeu dhe Laçi. Nëse Egnatia dhe Partizani janë me diferenca, do e tregojë fusha. Shpresoj që Dinamo të rigjejë një formë të mirë dhe të përparojë në renditje. I duhet kampionatit një Dinamo e mirë", u shpreh Olsi Rama.

Lini një Përgjigje