Zvicra është gati për një nga sfidat më të rëndësishme në historinë e saj, teksa në çerekfinalet e Kupës së Botës 2026 do të përballet me kampionen në fuqi, Argjentinën, në Kansas City. Kapiteni i helvetëve, Granit Xhaka, u shpreh i bindur se skuadra e tij ka motivimin e duhur për të synuar një surprizë të madhe ndaj favoritëve të turneut. Mesfushori shqiptar theksoi se afrimi me fazat vendimtare të Botërorit ka shtuar edhe më shumë dëshirën e ekipit për të vazhduar rrugëtimin.
"Kur je kaq afër, dëshira bëhet edhe më e madhe. Ky është një lloj presioni pozitiv për ne, sepse duam të vazhdojmë më tej", deklaroi Xhaka.
Kapiteni i Zvicrës komentoi edhe përballjen me Lionel Messin, duke e cilësuar një moment të veçantë për çdo futbollist.
"Është një privilegj i madh të luajmë në epokën e Messit dhe Cristiano Ronaldos. Ende nuk e kemi analizuar në detaje Argjentinën, por nga nesër do të nisim një analizë shumë të thellë", shtoi ai.
Megjithatë, Zvicrën e pret një mision tepër i vështirë. Argjentina ka shënuar në secilën prej pesë ndeshjeve të fundit në Kupën e Botës, ndërsa Lionel Messi kryeson listën e golashënuesve të turneut me tetë realizime, duke mbetur arma kryesore e ekipit të drejtuar nga Lionel Scaloni.
Për të siguruar një vend në gjysmëfinale dhe për të eliminuar kampionët e botës, Zvicra do të duhet të zhvillojë një paraqitje pothuajse perfekte ndaj një kundërshtari që mbërrin në këtë fazë me 12 fitore radhazi në të gjitha garat.
Le ta beje edhe Zvicra mrekulline qe beri Norvegjia.