Shansi i Kristjan Asllanit, tifozët e Interit e duan titullar ndaj Romës

22 Shtator 2022, 13:20Sport TEMA

Shansi i Kristjan Asllanit, tifozët e Interit e duan titullar ndaj

Tifozët e Interit kanë shumë dëshirë ta shohin Kristjan Asllanin të luajë sfidën e parë si titullar me Interin. Mesfushori i kombëtares shqiptare, u transferua në merkaton e verës nga Empoli te nënkampionët e Italisë, duke realizuar ëndrrën e tij për të veshur fanellën e ekipit me të cilin bën tifozllëk që kur ishte fëmijë.

Simone Inzaghi i ka besuar shumë pak deri tani: vetëm 23 minuta si zëvendësues në dy ndeshje në Serie A dhe 6 minuta në Champions League. Sfida e radhës në kampionat është ajo përballë Romës, me Jose Mourinhon që rikthehet në “San Siro” si kundërshtar.

Marcelo Brozovic është i pezulluar me kartonë dhe ky mund të jetë shansi i madh për 20-vjeçarin nga Elbasani për të luajtur takimin e parë zyrtar si titullar me Interin. Gazetari Alfredo Pedulla ka bërë një sondazh në lidhje me Asllanin dhe mendimin e popullit zikaltër.

Pyetjes se pas pezullimit të Brozovic a duhet që Simone Inzaghi ta aktivizojë mesfushorin titullar në duelin ndaj verdhekuqve të Romës, 91% e tyre janë përgjigjur “po” dhe vetëm 9% prej tyre negativisht.

Lini një Përgjigje