Trajneri i Kombëtares shqiptare, Silvinjo, ka dalë sot në konferencën zyrtare për shtyp në prag të ndeshjes kualifikuese të Botërorit 2026 kundër Letonisë, një sfidë që mund të vendosë shumë jo vetëm për fatin e Kombëtares, por edhe për të ardhmen e tij në pankinën kuqezi.
I pyetur nëse kjo ndeshje mund të konsiderohet si një finale jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për të personalisht, tekniku brazilian u shpreh:
“Dëgjo, nuk kam menduar kurrë për këtë pyetje. Nuk kam asnjë opinion lidhur me të ardhmen time, preferoj të flas për ndeshjen. Është një duel kyç, dhe çdo ndeshje është e rëndësishme kur synon Botërorin. Edhe ajo që luajtëm në Riga ishte e rëndësishme. Nesër na pret një sfidë e vështirë dhe futbolli është i tillë – nuk i dihet asnjëherë çfarë ndodh. Nuk mendoj për tetorin apo nëntorin, por për tani.”
Silvinjo gjithashtu foli për aspektet taktike dhe lojtarët që mund të bëjnë diferencën, duke përmendur Shehun:
“I kemi parë videot e tij, e sollëm në Kombëtare dhe e kuptojmë si luan. Është një djalë shumë i mirë dhe ka përmirësuar shumë lojën e ekipit.”
Lini një Përgjigje