Mikaela Shifrin nuk la vend për përmbysje. Skiatorja amerikane hyri në finalen e sllallomit gjigant të Kupës së Botës në Lillehammer të Norvegjisë, e vetëdijshme se Globin e Madh të Kristaltë mund ta humbiste vetëm në rast të një gabimi.
I mjaftonte të përfundonte mes 15 më të mirave. Për më tepër, nëse nuk do të merrte pikë, gjermanes Ema Aisher do t’i duhej të fitonte në një disiplinë që nuk është pika më e forta e saj. Shifrin përfundoi e njëmbëdhjeta pas dy zbritjeve. Kështu, Globi i përgjithshëm i Kristaltë është sërish i saj. Ky është i gjashti, pas atyre të fituar në vitet 2017, 2018, 2019, 2022 dhe 2023, duke barazuar rekordin e ikonës austriake, Anemarie Moser-Proll.
Lara Colturi
Në garën e fundit të sllallomit gjigant që mbylli zyrtarisht Kupën e Botës, dje konkurroi edhe Lara Kolturi. Kjo disiplinë edhe një herë tjetër u konfirmua që nuk është e preferuara për skiatoren kuqezi. Kolturi u rendit e 11-të në zbritjen e parë dhe 23-ta në të dytën, duke e përfunduar garën në vendin e 17-të, me diferencë +2.45 nga kreu. Lara e mbyll kështu klasifikimin e përgjithshëm final të Kupës së Botës në vendin e 15-të, por duke marrë çmimin “Ylli i së ardhmes”, trofe që jepet për skiatoren më të mirë për kategorinë e të rejave. Një titull që tregon se 19-vjeçarja ka një të ardhme të madhe përpara, duke shpresuar që të vazhdojë të jetë pjesë e Shqipërisë. “Ishte një sezon i gjatë, me gara të bukura dhe emocione. Tani dua të çlodhem të pushoj pak dhe të filloj pastaj punën për sezonin e ardhshëm. Kam mësuar shumë dhe e di se ku duhet të përmirësohem për të arritur rezultate më të mira”, ishte komenti i Larës për “Rtsh Sport” në përfundim të garës së djeshme në Norvegji, etapë që shënoi fundin e Kupës së Botës 2025-2026.
Lini një Përgjigje