Delta e Vjosës – një Ekosistem në Tranzicion

1 Nëntor 2023, 20:03Turizëm TEMA

Prof. Aleko Miho, Departamenti i Biologjisë, Fakulteti i Shkencave të Natyrës, Universiteti i Tiranës

Delta e Vjosës – një Ekosistem në Tranzicion

 

 

Me këtë emërtim, në dt. 27-28 Tetor, u mbajt në Vlorë Simpoziumi Ndërkombëtar kushtuar hapësirës së Deltës së Vjosës, organizuar nga Departamenti i Biologjisë, Universiteti i Tiranës, në bashkëpunim dhe me ekspertë të Universiteteve Politeknik, Bujqësor dhe POLIS, dhe ekspertë të huaj nga Universitetet e Salentos dhe Palermos, Itali, Vjenës dhe FLUVIUS, Austri, nga Akademia Sllovene e Shkencave, nga Universiteti i Thrakës, Greqi, etj. Gjatë veprimtarisë ishin të pranishëm rreth 60 pjesëmarrës, jo vetëm nga institucionet organizatore, por dhe nga Akademia e Shkencave, Universiteti i Vlorës, i Shkodrës etj. 45 prej tyre vinin nga bota akademike (17 Profesorë dhe 29 PhD). Shumë prej nesh kanë qenë të pranishëm edhe në ngjarje të tjera të ngjashme me çështjet e lumit Vjosë gjatë këtyre 10 viteve të fundit.

Kjo veprimtari ishte vazhdim i përpjekjeve dhe shqetësimeve të shkencëtarëve nga institucionet tona së bashku me organizatat mjedisore kombëtare dhe ndërkombëtare në lidhje me qëndrimin e njeriut ndaj hapësirës së Deltës së Vjosës. Për këtë në Prill 2023 u organizua në Deltë një Javë Shkencore me ekspertë të fushave të ndryshme, vendas dhe të huaj, për t’u njohur nga afër me gjendjen, për përditësimin e të dhënave për biodiversitetin, gjeologjinë, gjeografinë etj. Simpoziumi në Vlorë pati po këtë qëllim. Në këtë mënyrë, për herë të parë, si në përmbajtjet e kumtesave dhe sidomos në Vëllimin special që është duke u përgatitur në shqip dhe anglisht enkas për Deltën e Vjosës, gjejnë përgjigje pyetjet: Çfarë dimë sot për Deltën e Vjosës? Sa e veçantë është Ajo për vendin dhe ndërkombëtarisht? Çfarë duhet të studiohet më tej sipas kërkesave të BE? Çfarë duhet vlerësuar gjatë hartimit të një plani zhvillimi turistik? Çfarë roli mund të luajë Delta e Vjosës në shkencën tranzitore europiane?

Gjatë këtyre dy ditëve u mbajtën rreth 20 kumtesa (4 prej tyre online); 13 iu kushtuan Deltës, larmisë gjeologjike, gjendjes ekologjike, habitateve, florës dhe bimësisë, bimëve jo vaskulare, peshqve, peshkimit dhe akuakulturës, amfibëve dhe reptilëve, shpendëve dhe gjitarëve, gjendjes dhe kërcënimit të tyre. Ekspertët nga rajoni sollën përvojën e tyre mbi rëndësinë e ekosistemeve të tilla tranzitore, shërbimet që ato ofrojnë, standardet që duhet të përmbushen për zhvillimin e qëndrueshëm etj. Në Simpozium u diskutua dhe miratua dhe një Letër e hapur (në proces mbledhje firmash), drejtuar Kryeministrit, institucioneve përgjegjëse dhe palëve të interesuara, përmbajtja e të cilës është thuajse e njëjtë me përmbajtjen e këtij shkrimi, por në mënyrë shumë më të thjeshtuar. Në një pasdite u bë edhe një vizitë e përbashkët në zonë, deri te dunat e Akërnisë. Si organizatorë jemi mirënjohës ndaj mbështetjes aktive të shumë shkencëtarëve vendas dhe në rajon, në gjithë këto veprimtari për Deltën e Vjosës.

Ne gjithmonë kemi bindjen se të gjitha gjetjet shkencore, përpjekjet ose rekomandimet e ekspertëve janë të pavlefshme nëse vendimmarrja, dhe gjithë institucionet përgjegjëse në Tiranë dhe ato vendore nuk vijnë të dëgjojnë, pse jo dhe të shprehin mendimet e tyre. Për këtë, ftesa jonë u është dërguar në mënyrë të përsëritur gjithë institucioneve qeveritare përgjegjëse, madje edhe disa kolegëve të njohur që përfaqësojnë sot Komisionin e Mjedisit në Kuvendin e Shqipërisë, dhe atyre që kanë poste drejtuese në institucione të tjera qeveritare. Po kjo ftesë u është drejtuar edhe shumë mediave në vend. Nga institucionet qeveritare përgjegjëse ishin të pranishëm përfaqësues të Agjencisë së Menaxhimit të Burimeve Ujore (AMBU), dhe përfaqësues të Këshillave të Qarqeve, Vlorë dhe Fier, të Bashkisë Vlorë, të AdZM-ve dhe ARM-ve, Fier dhe Vlorë etj. Përshëndesim veçanërisht Kryetarin e Këshillit të Qarkut Vlorë, z. F. Mamaj, për pjesëmarrjen aktive gjatë ditës së parë, si dhe z. H. Bonati, Drejtor në Drejtorinë e Menaxhimit të Performancës, AMBU, për pjesëmarrjen me kumtesë në këtë takim.

Simpoziumi u ndoq edhe nga përfaqësues të OJF-ve mjedisore, nga Rajoni (Euronature, Gjermani & Rivewatch, Austri), nga vendi (Ecoalbania, AOS, PPNEA, DMO etj.). Shumë mirënjohje adresojmë edhe ndaj këtyre organizatave mjedisore për mbështetjen jo vetëm në qasjen tonë ndaj çështjes së Deltës, por edhe në mbështjen financiare dhe logjistike, si EuroNature, RiverWatch dhe EcoAlbania. Dua të theksoj se kjo mbështetje nuk është vetëm e rastit të Deltës, por në gjithë përpjekjet tona në thuajse 10 vite për mbrojtjen e lumit Vjosë nga ndërtimi i digave dhe më shumë ...

***

Hapësira e Deltës së Vjosës me rreth 350 km2, është ndër më të rëndësishmet dhe më e ruajtura në gjithë bregdetin Adriatik, pavarësisht transformimeve natyrore dhe prej njeriut në 60-70 vitet e fundit. Ajo është një ekosistem tranzitor me rëndësi si nga ana natyrore dhe për shërbimet që ofron për njeriun, por pak e njohur në vend dhe ndërkombëtarisht. Delta shtrihet nga dunat dhe ligatinat e Darzezë/Poros, Fier, deri në lagunën e Nartës, Vlorë, të cilat janë, formuar në qindra vite nga veprimtaria hidrodinamike dhe sedimentologjike e Lumit Vjosë dhe Detit Adriatik. Për këtë, e gjithë Delta është pjesë e pandarë me ekosistemin lumor të Vjosës.

Përmbledhtas mund të pohojmë se në këtë hapësirë gjenden deri 18 habitate, të listuara si Natura 2000, ku 6 prej tyre janë në përparësi që kërkojnë mbrojtje të veçantë. Këta strehojnë rreth 2,300 lloje të njohura deri sot: mbi 1350 bimë dhe mbi 880 lloje shtazore, ku 240 prej tyre janë shpendë dhe mbi 100 janë peshq. Një pjesë jo e vogël janë lloje të rralla dhe kërcënuara si në shkallë vendi dhe ndërkombëtarisht. Zona renditet si e rëndësishme, si për shpendët (IBA), dhe për llojet bimore (IPA). Hapësira të tilla tranzitore, zona ligatinore mes tokës dhe detit, janë nën vëmendje të veçantë të Direktivës Kuadër të Ujit (WFD, 2000), dhe shumë organizmave të tjera mjedisore ndërkombëtare në të cilat Shqipëria është palë prej vitesh. Po ashtu, Schwarc U. nga FLUVIUS, Austri, theksoi në Simpozium se tre deltat tona adriatike, e Vjosës, e Semanit dhe e Shkumbinit, përbëjnë një vazhdimësi në gjendje të mirë mes 258 Deltave të Mesdheut, mbështetur në gjendjen e tyre të përgjithshme hidromorfologjike dhe përdorimin e tokës në gjithë pellgjet përkatëse.

 

Nga ana tjetër, qëndrimi i njeriut ndaj kësaj pasurie natyrore nuk ka qënë aspak miqësor për dekada të tëra të Shqipërisë moderne. Përveç ndikimeve brenda pellgut ujëmbledhës të lumit Vjosë, le të listojmë ato që janë më drejtpërdrejt të lidhura me Deltën: bonifikim në shkallë të gjerë me një rrjet të dendur kullues (që nga vitet 1960); shfrytëzim për kripore (që nga vitet 1960); veprimtari industriale në Vlorë (fabrikat e Sodës dhe PVC; 1960-1990); qasje qytetare dhe menaxhim jo si duhet i mbetjeve të ngurta urbane; ujërat e zeza të patrajtuara nga Vlora (deri në 2019) dhe qendra të tjera urbane; shfrytëzim gazi në Povelçë, Fier (deri në 1990); veprimtari portuale (e vazhdueshme) dhe petrolifera (që nga 2009), Vlorë; urbanizim rural i pa kontrolluar kryesisht në zonën e Vlorës (pas viteve 1990); peshkim pa kriter (që nga viti 1990); vjelje pa kriter e amfibëve (që nga vitet 1980), dhe e bimëve mjekësore; bujqësi dhe blegtori jo miqësore (në vazhdimësi); shfrytëzim rëre plazhi (1990-2000); ndërtim rrugësh (në vazhdimësi); zjarre të shpeshta, më i fundit në pyllin Darzezë/Poro në Shtator 2023; termocentrali i Vlorës (97MW) i ndërtuar në vend të gabuar dhe i pa vënë në punë (2010); dy termocentrale lundruese në Vlorë me qasje jo shumë pozitive ndaj mjedisit (110 MW; 2022); parku fotovoltaik në Darzezë (150 MW; që nga viti 2021); shpimi i një pusi nafte në Zvërnec i këmbëngulur dhe fatmirësisht i pa ndërtuar (në vitin 2015) etj.

Në vitet e fundit hapësira e Deltës së Vjosës është gjithashtu, edhe nën kërcënimin e zhvillimit të turizmit masiv (elitar!), ashtu si ka ndodhur për shumë hapësira të tjera deltaike shqiptare (Velipojë, Kune-Vain, Gjiri i Lalzit, Seman) dhe më gjerë në bregdetin tonë. Ndonëse një pjesë e mirë e gjithë zonës ka statusin e Peizazhit të Mbrojtur (Kategoria V), kjo nuk ka penguar të nisë thuajse në mënyrë arbitrare ndërtimi i Aeroportit të Vlorës brenda zonës së mbrojtur (nëntor 2021). Nga dokumentet e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe të Pushtetit vendor duket se në të ardhmen e afërt ka plane për ndërhyrje të tjera infrastrukturore, si nga ana e Vlorës dhe e Fierit. Këto së bashku, çojnë në uljen e integritetit ekologjik, fragmentimin e mëtejshëm të habitateve, humbjen e biodiversitetit dhe varfërimin e shërbimeve që ofron ekosistemi, duke ndikuar si në natyrë dhe te njeriu.

Për Deltën e Vjosës (Vjosë-Nartë) ka patur edhe ndonjë plan menaxhues (2005; 2009), plan zhvillimi (PDZRK, 2019) apo dokumente të tjera të AKZM dhe Ministrisë së Infrastrukturës. Mendimi i ekspertëve është se këto janë vlerësime të pa mjaftueshme të gjendjes sot lidhur me çështjet kryesore të mjedisit, nuk është vlerësuar si duhet ndikimi i njeriut mbi natyrën, dhe cila mund të jetë prirja mundshme në rast zbatimi të planeve zhvillimore të parashikuara. Për më tepër, mungon siguria e investimeve infrastrukturore brenda një Delte shumë dinamike me ndryshime të shpejta të kontureve të saj. Në këto kushte, mundësia e krijimit të gjurmëve të braktisura të ndërtimeve brenda Deltës së Vjosës nuk është thjesht imagjinare. Duhet të pohojmë se dokumente të tilla, edhe kur ato janë profesionale, pak mbahen parasysh nga vendimmarrja në planet e zhivllimit.

Në Mars 2023 Qeveria shpalli Lumin Vjosë dhe degët e tij Park Kombëtar (Kategoria II, sipas IUCN; VKM/DCM 155/2023). Kjo që po ndodh me Deltën nuk mund të jetë as në frymën e shpalljes së këtij Parku Lumor të Egër, të vetmit në Europë, përkundrazi bie ndesh edhe me vetë vlerat e këtij Parku. Për më tepër, kjo qasje bie ndesh me zbatimin e standardeve të BE, me Direktivën Kuadër të Ujit (WFD, 2000), Direktivat e Shpendëve dhe Habitateve, si dhe me strategjinë e BE për të ndaluar humbjen e biodiversitetit, dhe gjithë organizmat ndërkombëtare që kanë në vëmendje mbrojtjen e hapësirave të tilla bregdetare (Konventat Ramsar, Bernë, Barcelonë, IUCN, WWF etj.).

***

Deltat tona bregdetare janë nën ndikimin e vazhdueshëm të njeriut në pellgjet ujëmbledhës përkatës dhe në bregdet. Kjo nëpërmjet ndërhyrjeve në pellgje me çpyllëzime, shfrytëzim inertesh lumore, urbanizim pa kriter, pushtim dunash bregdetare me ndërtime, ndotje ujërash dhe ndotje e shëmtuar me mbetje të ngurta, ndërtim digash apo tunele për HEC-e, zjarre, bujqësi apo blegtori pa kriter, ndërtim rrugësh, etj. Këtyre u shtohen edhe ndikimi i ngrohjes globale, rritja e nivelit të detit, reshjet e çregullta dhe përmbytjet, erozioni i madh i shpatit brenda secilit pellg, si dhe erozioni i vijës bregore përkatëse. Kemi shembuj të tillë dramatikë në deltën e Bunës, Velipojë, në deltën e Drinit të Lezhës, Kune –Vain, në deltën e Erzenit, Rrushkull, në deltën e Semanit, Fier, dhe gjetkë. Por dhe në deltat e tjera dhe vijën bregore në përgjithësi ka shumë pjesë të kërcënuara nga deti, përfshirë këtu edhe gjithë infrastrukturat turistike përkatëse. Të gjitha këto venë në rrezik të gjitha investimet infrastrukturore turistike, të cilat kanë pushtuar mbarë bregdetin, dhe nuk reshtin të shtohen më tej. Për këtë, ekspertët, sidomos ata të gjeologjisë këmbëngulin se duhet shtuar vëmendja ndaj hapësirës së deltave bregdetare dhe ndaj gjithë vijës bregore.

Shqipëria është një vend tërësisht bregdetar nën ndikimin e vazhdueshmëm jo vetëm të ndërhyrjeve brenda pellgjeve ujëmbledhës, por dhe ndikimeve globale të ngrohjes, reshjeve, përmbytjeve,ngritjes së nivelit të detit dhe erozionit të vijës bregdetare. Nga ana tjetër, përgjatë gjithë bregdetit ka një zhvillim të vrullshëm infrastrukturor për qëllime turistike, e cila është gjithnjë në rritje. Për këtë, nevojitet shumë kujdesi ndaj vijës bregdetare në radhë të parë edhe ndaj gjithë kësaj infrastrukture, e cila ka filluar të ndjejë prej kohësh këto pasoja. Në vitet 2007-2009 një grup jo i vogël prej nesh punuam shumë në një Projekt INTERREG III Itali-Shqipëri (CISM) në bashkëpunim me shumë universitete Italiane për krijimin e një Qendre Ndërkombëtare për Shkencat Detare (CISM) në Shqipëri, ndoshta në Vlorë, në Durrës, ose në Tiranë. Në fund e gjithë dosja prej disa qindra faqesh iu dorëzua KM të asaj kohe, e cila me siguri flè diku në arkivat e Kryeministrisë. Shumë parà u harxhuan, dhe si ndodh rëndom në gjthë këta vite me shumë nga projektet ‘u ça mali dhe polli një mi!’ Shumë pak prej tyre vihen në zbatim! Mund të gjenden rezultatet e këtij projekti, edhe secili nga ne mund t’i ketë, dhe të shihet mundësia për të mbështetur ngritjen e një Qendre pikërisht për të ndjekur shkencërisht Bregdetin, për të dhënë këshilla, parashikuar dukuritë dhe parandaluar në kohë gjithë pasojat që shoqërojnë ndryshimet e klimës dhe veprimtarinë jo miqësore të njeriut në bregdet.

Këtu dua të ndaj një brengë tonën të përbashkët si ekspertë se institucionet përgjegjëse të shtetit, si Ministria e Turizmit dhe Mjedisit (MTM), Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura (AKZM), Agjencia Kombëtare e Bregdetit dhe gjithë Drejtoritë përkatëse në Qarqe, thuajse e kanë fshirë mbrojtjen e natyrës nga axhendat e tyre ditore. Të gjithë janë të magjepsur nga turizmi, promovojnë vlerat, dhe mirë bëjnë, por bashkë me zhvillimin e turizmit duhet mbrojtur edhe natyra. Për këtë, thuajse nuk përpiqen; edhe atëherë kur duhet ndërhyjnë, e bëjnë këtë me shumë vonesë; heshtin edhe kur ftohen të dëgjojnë ndonjë zë ndryshe dhe të japin për këtë mendimet e tyre. Theksojmë fort se me rritjen e turizmit, ndotja e mjedisit është dëshmuar në mbarë globin në rajone të ndryshme. Për këtë, ndërgjegjësimi për ndikimin e turizmit në qëndrueshmërinë mjedisore është urgjentisht i nevojshëm për Deltën e Vjosës dhe gjithë Bregdetin shqiptar. Këshillohet fort të gjendet gjithmonë ekuilibri midis interesave të biznesit dhe mjedisit në ruajtjen e integritetit ekologjik të ekosistemeve deltaike, por jo vetëm, si një domosdoshmëri për të sotmen dhe të ardhmen.

***

Simpoziumi dhe ngjarjet e tjera për Deltën synojnë të ndihmojnë vendimmarrjen dhe politikëbërjen, investitorët dhe palët e tjera të interesuara, për të gjetur mënyrat më të mira për zhvillimin e qëndrueshëm të zonës, mbrojtjen dhe ruajtjen e vlerave natyrore. Ne e kuptojmë se kjo nuk është fort e lehtë, por kur ka një qëllim të mirë dhe një bashkëpunim të ngushtë shkencë-vendimmarrje-investitor, gjithçka është e mundur. Në këtë mënyrë, këshillojmë fort: (1) Një studim ndërdisiplinor për Deltën me fokus ruajtjen dhe menaxhimin e qëndrueshëm të saj, mbështetur në prova shkencore. (2) Gjithë gjurma e Deltës të lihet e lirë, e paprekur nga infrastuktura turistike në shkallë të gjerë, dhe të përdoret me mençuri për projekte të turizmit të mbështetur te natyra, ekoturizmi, turizmi familiar etj. (3) Është çasti i duhur që Peizazhi i Mbrojtur Pishë Poro – Nartë (kategoria V) të shpallet Park Kombëtar (kategoria II), pse jo të përfshihet dhe në zonën Ramsar. Të dy së bashku, Delta dhe PK i Lumit Vjosë, formojnë një entitet të pandarë hidrodinamik dhe ekologjik. (4) Nuk është asnjëherë vonë të rishihet dhe mbështetet ngritja e Qendrës Ndërkombëtare të Studimeve Bregdetare, për të drejtuar, organizuar dhe dhënë zgjidhje për çështjet e sipërpërmendura, në bashkëpunim me gjithë institucionet kërkimore më në zë në vend dhe në rajon.

 

 

Lini një Përgjigje