Ka nisur zyrtarisht sezoni turistik në bashkinë minoritare të Pustecit, një nga destinacionet më të veçanta që ofron juglindja e vendit. Parku Kombëtar i Prespës ka regjistruar vitet e fundit një rritje të ndjeshme të numrit të vizitorëve, sidomos të turistëve të huaj, të cilët mbeten të mrekulluar nga natyra, liqeni, ishulli i Maligradit dhe kuzhina tradicionale e zonës.
Këtë realitet e pohojnë vetë pushuesit, ndërsa operatorët turistikë konfirmojnë se numri i të huajve në Pustec po rritet dita-ditës.
"Jam nga Holanda dhe kjo është hera ime e parë këtu. Kemi ardhur për pushime; fillimisht planifikuam të qëndronim vetëm një ditë, por njerëzit më mrekulluan. Janë jashtëzakonisht mikpritës."
"Vij nga Selaniku, erdha këtu dje dhe ndihem shumë mirë. Më pëlqeu gjithçka."
"Ka disa vite që zona ka marrë një zhvillim të mirë. Vijnë vizitorë të huaj nga Gjermania dhe Franca, kryesisht motoristë dhe çiklistë, të cilët shpesh flenë në makina buzë liqenit. Kur vijnë këtu, kërkojnë vetëm peshk dhe duan të provojnë produktet e liqenit.", u shpreh një operator turistik.
"Patjetër që interesi i turistëve është më i madh. Hoteli punon kryesisht me të huaj, ndërsa shqiptarët vijnë më shumë në restorant. Të gjithë kërkojnë gatimet tradicionale të zonës, si peshkun ashtu edhe mishin."
Për kryetarin e Bashkisë Pustec, Pali Kolefski, banorët vendas e kanë kuptuar tashmë se turizmi është çelësi i zhvillimit ekonomik për Parkun Kombëtar të Prespës dhe janë orientuar vetë drejt këtij sektori.
"Njerëzit janë ndërgjegjësuar dhe kanë hapur bujtina të vogla. Janë disa familje që kanë shtuar kapacitetet akomoduese për turistët, gjë që tregon se ka një fluks në rritje.
Sigurisht, ka ende nevojë për zgjerimin e ofertës dhe investime më të mëdha nga sektori privat, veçanërisht në sektorin e restoranteve. Megjithatë, shohim se ky vit ka nisur si një sezon mjaft i mbarë turistik. Vizitorët e huaj tashmë vijnë në mënyrë të organizuar përmes agjencive turistike.", tha Pali Kolefski
Ishulli i Maligradit me kishën e tij historike, Zaroshka, Pusteci, Gollomboci, Muzeu i Sterjo Spases, Gorica dhe ujërat e liqenit të Prespës që lagin tre shtete janë vetëm disa nga pasuritë që ofron kjo zonë. Falë tyre, Pusteci po kthehet në një nga destinacionet më të kërkuara nga turistët e huaj që vizitojnë juglindjen e Shqipërisë. (A2 Televizion)
Lini një Përgjigje