“Përmeti, përveç detit ka gjithçka” është një prej sloganëve më brilantë që mund të jetë gjeneruar për promovimin e një qyteti.
Oferta turistike e kësaj bashkie jugore është e pasur, nga natyra e paprekur, klima, ushqimi, njerëzit dhe mikpritja.
Në një intervistë me emisionin “Mirëmëngjes Shqipëri” në RTSH, kryebashkiakja Alma Hoxha tha se qyteti i saj po kalon një sezon të mirë turistike.
“Nuk është thashethem që Përmeti i ka të gjitha. Çdo turist kur vjen e ndien dhe e përjeton. Përmeti është i pasur me gjithçka, me natyrë të paprekur, me momente historike, me mikpritje të ngrohtë, ushqim bio, përvoja unike, rafting në Vjosë, eksplorime në kanionin e Langaricës, bredhi i Oktovës, ujëvara e Sopotit, net muzikore, panaire, dhe mbi të gjitha një përjetim autentik shqiptar.
Nuk ia ndiejmë mungesën as detit. Kemi Vjosën, lumin e fundit të egër në Europë. Ne përmetarët aty jemi mësuar të bëjmë plazh,” tha znj. Hoxha.
Pritshmëritë e administratës përmetare sa vijnë e rriten, përderisa edhe numri i vizitorëve është pesëfishuar në harkun e gjashtë viteve të fundit.
“30 mijë vizitorë në 2019-tën dhe sot kemi arritur në 150 mijë vizitorë, sigurisht me ofertën më të pasur, me bujtinat thuajse në çdo fshat dhe njësi administrative, me agroturizëm që lulëzon. Kemi pritshmëri që turizmi të mos jetë vetëm një vizitë e shkurtër, por që vizitorët të qëndrojnë disa ditë në bashkinë tonë. Po bëjmë investime të vazhdueshme për të përmirësuar infrastrukturën, për ta zgjeruar ofertën turistike. Synimi ynë është që të krijojmë një turizëm gjithëvjetor, të qëndrueshëm, ku të përfshihet komuniteti lokal dhe çdo turist të ndihet i lidhur me traditat dhe bukuritë e Përmetit,” u shpreh kryetarja e bashkisë së Përmetit.
Pushteti lokal po përpiqet të investojmë në përmirësimin e infrastrukturës, kryesisht në rrugët rurale që lidhin fshatrat me traditat më të pasura kulturore-historike. Një shembull i mirë është Leusa, i njohur për kishën e saj me figura murale, që sot ai është i aksesueshëm për vizitorët. Synimi është që edhe Banjat e Bënjës të kthehen në një sit të vërtetë ndërkombëtar.
“Infrastruktura në zonat rurale kërkon mirëmbajtje të vazhdueshme. Sfidë tjetër ngelet sigurimi i shërbimeve cilësore në kapacitetet akomoduese dhe në restorante. Po punojmë ngushtësisht me sipërmarrësit lokalë për trajnime dhe për standardizim. Kemi bërë përpjekje të mëdha për menaxhimin e mbetjeve dhe ruajtjen e ambientit,” tha znj. Hoxha.
Përgjatë kësaj vere, Bashkia e Përmetit ka planifikuar aktivitete të ndryshme, të premtet e muzikës, koncerte, panaire dhe evente për të rinjtë, që ofrojnë një përvojë të pasur për çdo vizitor pavarësisht sezonit.-rtsh.al
Zonja Kryetare ke harruar Dangëllinë ,Frashërin e Avdylit ,Naimit e Samiut.Edhe në mesjetë nuk kanë qënë në këtë gjëndje të mjerushme.Kjo nuk e nderon Bashkinë dhe popullin e Përmetit.Pa folur për Qeverinë dhe Shtetin Shqiptar që kanë përgjegjësinë më të madhe.