“SOFIA ON TOP” - “Çuka e katërt” e Gllavës

14 Maj 2024, 20:24Turizëm Nga Feti ZENELI

 “SOFIA ON TOP” - “Çuka e katërt” e
 
Ftesën nga familja Barjami për të marrë pjesë në përurimin e investimit të tyre më të ri në afërsi të “Tri Çukave” të Gllavës, e prita me kënaqësi e emocion të veçantë. Sepse, përveç të tjerash, rikthimi, qoftë edhe për pak çaste, në ato vende ku kam lindur e jam rritur, jo shumë larg të ashtuquajturës “Çuka e Antenave”, më zgjon kujtimet e së shkuarës, për të cilat kam shumë mall e dashuri. “Tri Çukat” janë pozicionuar nga Krijuesi në formën e një perustie natyrore, me saçin e qiellit që u rri përsipër në çdo kohë; herë me diell e herë me re. Në këtë stinë, aty piqet blerimi i shkurreve dhe drurëve të shpateve kodrinore, me një bukuri mahnitëse, që rrallëkund mund ta gjesh.
Me këto imazhe në mendje, nën peshën e emocioneve dhe nostalgjisë, që ka rikthimi në vende e mes njerëzish të njohur, u nisa mëngjesin e 12 majit nga Tirana. Koha kalonte me shpejtësinë e mjetit me të cilin udhëtoja, së bashku me një mikun tim nga Lushnja, biznesmenin e njohur të verës “Marku”, Zanin. Rreth orës 9 u gjendëm tek ish-Agjencia e Luftinjës dhe morëm “Rrugë e minierës”, për të mbërritur në Buz Qendër, e më andej në Gllavë, ku do të organizohej ceremonia përuruese e një objekti të ri turistik të sapoinvestuar nga familja Barjami, të emërtuar “Sofia On Top”. Rreth gjysëm ore para se të niste kjo festë e pazakont për zona të tilla të largëta, u gjendëm midis grumbullit të madh të njerëzve që kishin mbërritur aty nga destinacione të ndryshme. Pamja e hotelit të sapo përfunduar, e ideuar në hamoni me natyrën e bukur rreth e qark, ishte tepër impresionuese, aq më tepër, që syri në këto anë nuk të është mësuar me ndërtesa kaq të larta. Me objekte të tilla luksoze, jo se jo!
Duke qëndruar në sheshin përpara hotelit, “Çuka e Antenave” pas tij, e kishte humbur pjesën më të madhe të lartësisë, i dukej vetëm maja. Kësisoj, të krijohej përshtypja, se atij mjedisi natyror aty në Malas, i ishte shtuar një “Çukë e Katërt”, e krijuar nga dora e njeriut. Sepse këtu, Zoti e kishte bërë punën e vet qysh në Zanafillë, kur krijoi qiejt dhe tokën, duke rezervuar për këtë copë vend një pamje mahnitëse.
Tani së fundi, një lloj Zoti për këto anë u bë edhe Hetem Barjami - biznesmeni vizionar dhe biri me një ndjeshmëri të lartë atërore për vendlindjen dhe gjithë krahinën e Buzit. Brenda harkut kohor të katër viteve, realizoi dy investime të rëndësishme në këtë zonë të harruar. E para ishte “Vila Sofia”, një bujtinë e ndërtuar në vitin 2020, në kulmin e pandemisë së Corona Virusit. Shumë shpejt ajo u shndërrua në një atraksion mëse të kërkuar turistik anë e mbanë vendit, por jo vetëm. Mjafton të kujtojmë, se qysh nga fillimi i aktivitetit të saj, vetëm numri i vizitorëve të huaj shkon diku tek katërmijë vetë, pra mesatarisht njëmijë turistë për çdo vit. (Nuk është pak për një vend, që të huajtë i ka njohur vetëm si “ushtarë pushtues”, deri aty nga mesi i shkekullit të kaluar). Në kohën e ndërtimit të “Vila Sofia”, edhe kushtet infrastukturore ishin shumë herë më të këqija se sa janë sot. Po gjithçka erdhi duke u përmirësuar nga viti në vit, kuptohet me investimet private të familjes Barjami, që arriti të verë dorë edhe atje ku e kishin për detyrë institucionet publike të shtetit, të ndërtonin e investonin. Mjafton të kujtojmë, se vetëm për përmirësimin e infrastrukturës rrugore janë shpenzuar diku tek 100 mijë euro nga financat private të kësaj familje. Qeveria ka filluar të investojë në këtë zonë, jo më tej se para 8 - 9 muajve, me rehabilitimin e segmentit Ballaban - Buz, që përbën Lotin 3 të rrugës së vjetër Këlcyrë - Berat. Por ky investim i saponisur publik, do kohë që t’i shërbej këtij investimi privat. Në një të ardhme, sigurisht që po. Deri në këto momente, Hetemi, gjithçka e ka përballuar i vetëm; me familjarët, miqtë dhe shokët e tij; mes vështirësish e pengesash të panumërta, por me një kurajo e vendosmëri për t’u patur zili.
Në të njëjtën mënyrë si “Vila Sofia”, pra “me forcat e veta”; u ideua, ndërtua dhe po vihet në shfrytëzim edhe investimi më i fundit i familjes Barjami, hoteli “Sofia On Top”. Natyrisht ky është një investim disa herë më i shtrenjtë, me më shumë kapacitete akomoduese dhe me një llojshmëri të pasur shërbimesh. Lokacioni në anë të rrugës nacionale që lidh Përmetin, Këlcyrën, Tepelenën dhe Memaliajn me Beratin, është gjithashtu tepër tërheqës për të gjithë kategoritë e vizitorëve, që duan të prekin parajsën e qetësisë dhe bukurisë natyrore, por dhe atë të kulinarisë së pasur me ushqime bio të një zonë mikpritëse, plotë tradita e zakone të vyera. Bëhet fjalë për një territor po kaq të barazlarguar edhe nga Skrapari, Berati e Mallkastra. Është kjo arsyeja që Baba Murat Gllava, një mendje e ndritur e këtij fshati dhe e kësaj zonë, do t’i kërkonte Parlamentit Shqiptar të 1928-ës, që Gllava të caktohej qendër tregtare, pse jo dhe qendër administrative për gjithë zonën rreth e qark.
Deri më sot ky vend ka patur “famë të keqe”, në kuptimin që përmendej si një pikë strategjike për të komanduar formacione luftarake, vendase dhe të huaja, qofshin mbrojtëse siç bëri Skënderbeu me Tafil Buzin, apo dhe mësymëse. Historia dëshmon, se jo shumë larg vendit ku ngrihet madhështore “Sofia On Top”, Benito Musolini, në pranverën e vitit 1941, drejtonte divizionet e Armatës së IX italiane kundër ushtrisë greke. Pak më vonë, përmendej vetëm si vendndodhje e antenave televizive për Jugun e vendit. Pra, për diçka pa rëndësi për jetën e këtyre banorëve. Tranzicioni i vështirë dhe braktisjet masive, sidomos aty të pasnëntëdhjetë e shtatës, bënë që sërish ky vend i bekuar të lakohej për ngjarje e statistika negative, si; kaq e aq të vrarë, të larguar, hajdutë, banditë e kështu me radhë. Hetemi me Natashën po i japin famën, të cilën ky “Kryevend” meriton për shkak të pozicionit dhe peizazhit natyror që Krijuesi i Gjithësisë i ka falur këtij territori. Ka katër vite, që kjo famë po shpërndahet gjithandej nëpër botë, nëpërmjet grupeve turistike që kanë patur fatin ta vizitojnë këtë oaz të mrekullueshëm në zemër të krahinës qëndrore jugore të vendit tonë. “Sofia On Top” do ta çojë akoma më larg dhe gjithandej këtë emër të mirë, pasi është një investim luksoz, me standarde të larta, që rrallë e gjen në rajone të tilla të ashpra e të fshehura, jo dhe aq në brendësi të territorit, se sa në zemër të harresës.
Në 12 maj u bë përurimi i këtij investimi të rëndësishëm në qendër të një rajoni të gjerë, që shtihet midis Beratit, Skraparit, Përmetit, Tepelenës dhe Mallakastrës. Nga pikpamja administrative, Gllava ku ndodhet ky investim i ri në fushën e turizimit, bënë pjesë në juridiksionin e Bashkisë Memaliaj. Kjo ishte arsyeja, që kryetari i kësaj bashkie, Albert Malaj, e shfrytëzoi këtë ceremoni përuruese, të çelte sezonin e ri turistik për vitin 2024. Në fjalën e tij përshëndetëse, ai e quajti hotelin “Sofia On Top”,  “…një superinvestim, realizuar falë njerëzve vizionarë…”, si Hetemi me Natashën. Njëkohëisht nuk i kurseu vlerësimet ndaj familjes Barjami, lidhur me mbështetjen dhe promovimin që ajo po i jep turizmit në një nga krahinat më të varfëra të vendit tonë. Por vlera më e madhe e këtij investimi për zonën dhe krejt Bashkinë Memaliaj qëndron në rikthimin e shpresës dhe të vëmendjes, edhe atje ku hemoragjia e migrimit nuk ka të ndalur, për shkak të kushteve të vështira social - ekonomike.
Në Gllavë, fshatin ku është ndërtuar “Sofia On Top”, ky hotel me standarde europiane, por dhe në krejt krahinën e Buzit, nuk ka mbetur më shumë se 10 për qind e popullsisë së fundviteve ’80. Me ndërtimin e “Vila Sofia” katër vite më parë dhe fillimin e punimeve rehabilituese në segmentin rrugor Ballaban - Buz, filloi dhe shtimi i interesit të buziotëve për t’u rikthyer në vendlindje dhe në trojet e të parëve të tyre; shumica e të cilëve, jo vetëm si vizitorë, por edhe si kontributorë me investime të ndryshme. Ishte vetë kryetari i bashkisë, Albert Malaj, që e pohoi një gjë të tillë, kur tha, se “…kanë filluar të interesohen për të blerë e marrë troje me qira anës rrugës, me qëllim kryerjen e investimeve të ndryshme përgjatë ose në afërsi të saj”. Tashmë, jo vetëm individët, por edhe shteti ka filluar të jetë më i pranishëm me investime publike, edhe në këto zona të harruara prej vitesh. Përveç rrugës Ballaban - Buz - Berat, një investim i ri publik po projektohet për banorët e kësaj zone me 28 fshatra; plotë tradita, kulturë e histori. Është fjala për ndërtimin e një spitali në Buz Qendër, jo më shumë se 3 - 4 kilometra nga vendndodhja e hotelit “Sofia On Top”. Ky është vetëm fillimi, por një fillim i bukur e shpresëdhënës, pavarësisht se i vonuar në kohë. Rëndësi ka rikthimi i shpresës për të gjithë banorët e këtyre anëve. Dhe është një shpresë, “…që vjen për atë që di të presë”, siç thoshte Henri Longfellou.
 
 
 
 
 
 
 
 

Lini një Përgjigje