“Vila Sofia”, agrobiznesi qe ringjalli zonën e Buzit…(FOTO)

27 Shkurt 2023, 18:55Turizëm TEMA

“Vila Sofia”, agrobiznesi qe ringjalli zonën e

Kur udhëton nëpër vende të njohura, për të takuar njerëz me të cilët ke ndarë disa nga hallet dhe gëzimet e jetës në një kohë të vështirë, emocionet vijnë në shumë mënyra dhe ta pasurojnë shpirtin hap pas hapi. E vetmja gjë që shkon pa u ndjerë në raste të tilla është koha e udhëtimit, pavarësisht largësisë dhe gjëndjes infrastrukturore të rrugës. Duket sikur makina bëhet me krah fluturimi dhe kujtesa nxjerrë kokën në dritare për të parë shumëçka që sytë nuk po arrijnë ta shohin më, sepse kanë kaluar vite të tërë ndryshimesh. Ndërkohë edhe imagjinatës më të fuqishme do t’i mbushej balli plotë djersë nga sikleti i mosparashikimit të asaj që ka ndodhur në këtë distancë vitesh…

***

Ishte ditë e shtunë, 12 Korrik 2020. Kohë pandemie, siç dihet. Prej javësh ishim bërë personazhe të një jete të ngrirë, sikur sa hap e mbyll sytë, dikush na kishte shtyrë në arktik. Çoroditja, vetmia dhe frika kishin “konfiskuar” gjithë hapësirat e “hipotekuara” të shpresës. Sapo kishim dalë nga izolimi i detyruar për shkak të Corona Virusit, por situata vazhdonte të ishte e rëndë. Ankthi dhe pasiguria të shoqëronin kudo, ndaj ndjenja e gëzimit dhe kënaqësisë në jetën e përditshme ishin tepër të brishta. Kumti, ftesa, njoftimi bëheshin më të vështirë për t’u përcjellë, se sa për t’u formuluar, sepse edhe fjala nuk qarkullonte aq lirshëm, sa më parë. Jo për shkak të mjeteve teknike të komunikimit, por për arsyen njerëzore të të mos bërit “shkak”… Rituali dhe tradita kishin mbetur pa përqafime dhe duarshtërngime të ngrohta shpirtërore. Gjithëçka mblidhej e çmbështillej lëmsh në zemrën e gjithsecilit.

Sidoqoftë në raste të rralla ceremonish familjare e shoqërore, guximi kishte filluar të kapërcente pragje, kufij të ngushtë lagjeje e qyteti, madje të të ftonte miqësisht, që të shkoje disa kilometra larg vendbanimit, sidomos në zonat rurale, kur pasiguria nuk ishte më i vetmi shoqërues i sigurt në krahun tënd. Banorët e këtyre vendeve e përjetonin pandeminë “on line”, kryesisht nëpërmjet asaj që shihnin në televizor. Megjithatë një pjesë e këtyre zonave, siç ishte dhe Gëllava e “tre Çukave” të njohura, ku unë po shkoja, vuanin një izolim tjetër, atë të mungesës së investimeve publike në infrastrukturën rrugore, ndoshta dhe më të tmerrshëm për shkak të zgjatjes në kohë. Çuditërisht, e njëjta situatë edhe këto tre dekadat e fundit në periudhën e zhvillimeve demokratike, për një aks që dikur lidhte qëndrat e rëndësishme tregtare antiko-mesjetare nga Berati në Gjirokastër e mandej në Janinë.

Por bir i këtij fshati, biznesmeni i njohur, Hetem Barjami, kishte vendosur “të thyente akullin” dhe ta çante këtë izolim me forcën modeste të një investimi privat. Pa filluar ende mbyllja e detyruar për shkak të pandemisë, çifti Barjami la Tiranën dhe u zhvendos në Gëllavë, ku nisi ndërtimin e një bujtine të pagëzuar me emrin e mbesës (vajzës së djalit) “Vila Sofia”, në trojet e të parëve të tij. Mjaftuan 3-4 muaj pune intensive dhe gjithëçka ishte gati për t’u inaguruar në prani miqësh e njerëzish të tjerë, që t’i do zemra afër, sidomos në kohë të tilla si këto të pandemisë, pse jo dhe për të pritur vizitorët e parë.

Ky ndërtim mund të jetë ngjizur me idenë e një shtëpie banimi për rehatimin e familjes së zgjeruar tashmë me nipër e mbesa, siç janë shprehur më vonë në intervista të ndryshme çifti Barjami, por tradita e veçantë e mikpritjes, për të cilën shquhet tërë krahina e Buzit, dhe intuita sipërmarrëse, janë bërë shkak i ndryshimit të destinacionit, qysh sa kanë nisur të hapen themelet.

Akti dhe investimi i ndërmarrë ndoshta ishin unikal për situatën e vështirë që po kalonte pothuajse mbarë bota, ku shumica e njerëzve e shtynte ditën me rimburësime pagesash nga shteti. Natyrisht që kjo nuk ishte një zgjidhje e momentit, thjesht për t’u arratisur nga “burgu” i Covid-it, por një vendim i mirëstudjuar, pasi Hetemi dhe Natasha kishin gati 3 dekada biznes në “profesion të lirë”, shumicën e kohës në Tiranë. Mbase mund të ishin larguar edhe më shpejt nga kryeqyteti, për t’u “rehatuar” këtu mes bukurive të natyrës, që zbresin magjishëm, mëngjes për mëngjes, së bashku me diellin prej “tre Çukave” të Gëllavës, por ndoshta shpresonin që të mos kthehen në të njëjtën rrugë, që i kishte detyruar të iknin nga këto troje. Pra, të mos udhëtonin sërish nëpërmjet kalldrëmit të zi dhe pluhurit ngjyrë gri, që në të njëjtën gjëndje infrastrukturore kishte përcjellë prej gati një shekulli me radhë; ngjarje lufte, ovacione kolektivizimi dhe së fundi, edhe ditirambe demokratizimi. Por ata, si biznesmenë të sukesshëm e dinë më mirë se kushdo tjetër, që pritja dhe shtyrja “për nesër” e punëve që duhen bërë sot, nuk janë element suksesi. Ndaj dhe nuk pritën më gjatë, duke parë që edhe premtimet për rrugën Ballaban-Berat, qoftë të qeverisë ashtu dhe të të zgjedhurve zonalë ishin më afër realizimit se sa çdo herë tjetër, në këto 30 e ca vite demokraci…

***

Si bir i atyre anëve, e njoh mirë atë rrugë dhe atë zonë, pasi për 4-5 vite rresht, nga ’83 deri në ’87-ën kam punuar si Shef Finance në ish - Kooperativën Bujqësore Selckë, fqinje me atë të Gëllavës. Në Selckë, ku Hetemi erdhi të drejtonte Degën e Planit të kooperativës, nis dhe njohja ime me të. Në fillim të vitit ’88, kur unë u transferova me punë si redaktor i Gazetës “Lajmëtari”, miqësia jonë do vazhdonte edhe më e fortë në Tepelenë, pastaj në Tiranë, për të mbetur e tillë edhe sot e kësaj dite. Ndërkohë rrethanat e sollën, që udhëtimi im nga Selcka në Tepelenë për në punën dhe profesionin e ri, të kalonte nga Gëllava. Nuk më kujtohet saktë dita, por ishte mes shkurti i vitit ’88. Ndërsa po bëja dorëzimin e detyrës së shefit të Financës, shoh të futet në zyrë ish-zv/kryetari i Komitetit Ekzekutiv të Rrethit Tepelenë, Tomorr Malaj i shoqëruar nga shefi i Kuadrit të këtij komiteti, Bedri Serjani.

-Po bën dorëzimet, -më tha Tomorri, pasi u përshëndetëm me njeri - tjetrin, -por nuk ke ku shkon pa ndihmuar pak edhe xha Samiun (Sami Ajdini - shef Finance në Gëllavë), që të mbyll bilancin. Mbaro shpejt dhe do shkojmë bashkë në Gëllavë. Pastaj prej andej drejt e në Tepelenë…”

Ishte hera e parë që zbrisja në qendër të fshatit Gëllavë, ndonëse rreth e rrotull kisha qënë me qindra herë. Zyrat e ish-kooperativës ndodheshin vetëm pak metra më lart vendit ku ngrihet sot “Vila Sofia”. Pas 32 vitesh po rikthehesha sërish në të njëjtin vend, natyrisht me një tjetër arsye, pavarësisht se në të dy rastet motivon “gjesti miqësor” dhe shpirti njerëzor. Tek po kaloja në krah të zyrave të dikurshme, instiktivisht ktheva kokën, që më mbeti ashtu pas edhe disa metra më tej, pasi në vend të ndërtesës pashë një pirg rrënojash. Me sa duket ishte forca magnetizuese e kujtimeve të dikurshme mbreslënëse, por dhe ngrirja e pavullnetshme e shikimit përballë rrënimeve “gjurmlënëse”, pavarësisht se nuk isha më i papërgatitur për pamje të tilla. Aktualisht në këto zona të thella, ka më shumë rrënime se ndërtime. Koha tashmë e vjetëron me shpejtësi këtë lloj informacioni. Po të flas më gjuhën e profesionit të parë, kemi të bëjmë me llogari të një bilanci negativ, që zor se gjendet “Financier” ta mbyll, po qe se nuk del ndonjë “Ekonomist” të investojë…

E vetmja gjë që nuk kishte ndryshuar përgjatë gjithë kësaj periudhe kohore ishin bukuritë natyrore, të cilat binin edhe më shumë në sy, për shkak të dritës e gjelbërimit stinor në atë ditë të nxehtë korriku. Këtu dehesh me blerimin e natyrës, ajrin e pastër, aromën e çajit dhe sherebelit, etj.

“Tre Çukat” e Gëllavës janë monumentet e kësaj bukurie, të këtij “kryevëndi”. Është një bukuri që flet me gjuhën e lashtësisë dhe të historisë së veçantë njerëzore. Ka të paktën 15 shekuj që flitet kjo gjuhë, por që gradualisht ka filluar të harrohet, sidomos në këto vitet e demokracisë. Sepse gllaviotët kanë nisur të mësojnë gjuhë migrimi dhe emigrimi kudo në botë. Janë larguar prej këtej gati 90 për qind e banorëve të fundviteve ’80. Një situatë që nuk sqarohet me asnjë përgjigje, sado thellë shpirtit të dalë, sado e argumentuar që të jetë. Në fund të fundit: “Fjalë, Imzot, fjalë!...”. Fjalë ngushëlluese, të ndara nga njerëzit dhe sendet që përfaqësojnë. Fjalë që nuk e kanë peshën e “gurit të rëndë… në vendin e vet”, apo forcën e duhur të ndjeshmërisë, që të virbojnë shpirtin si; “vendlindje”, “trashgimi”, “atdhedashuri”; por edhe “traditë”, “fisnikëri”, “mikpritje”, “mundësi”… Se zemra lodhet njëlloj si trupi, ku i vetmi melhem është fjala me urtësinë e saj; fjala e njeriut të vërtetë, që më së shumti e gjen larg zhurmës dhe reklamave joshëse të qytetit; ja atje në Gëllavë, Selckë, Buz…, duke ndërtuar e restauruar nën “vëzhgimin e vazhdueshëm” të kohës, si në “Viti 1984” të George Oruellit, sepse; “kush ka në dorë të shkuarën, ka në dorë të ardhmen, kush ka në dorë të tashmen, ka në dorë të shkuarën”….

***

Ndërkohë si pakuptuar kishim hyrë në territorin e fjalës të lidhur me punën, ku goja ja lë vëndin dorës, shpirtit dhe mendjes. Përballë kishim Hetemin dhe gjithë familjen e tij; njeriun që të ofron buzëqeshjen në vend të fjalëve. Janë ato raste, kur “puna flet vetë”, mjafton të jesh i vëmëndshëm gjatë vizitës së ambienteve të ndërtesës, mënyrës së aredimit, cilësisë se paisjeve të përdoruara, e kështu me radhë. Gjithëçka ishte në vendin e vet, vendosur në mënyrën më të mirë të mundshme; me shije, bashkëkohësi dhe largpamësi, edhe pse ndodhemi në ditën e parë të aktivitetit të këtij biznesi, ku thjesht do zhvillohet një ceremoni inguruese me miqë e të ftuar të familjes Barjami. “Pjata e parë”: Gëzim, hare dhe buzëqeshje!. “Pjata e dytë”, po ashtu! Pastaj, “e treta”, “e katërta”…, nuk kishin shumë rëndësi. Njerëzit ndjeshin të ngopur; me mall, dashuri, kujtime e përqafime vëllazërore.

Shumëkush që ndodhej aty, kryesisht bashkëfshatarë e bashkëkrahinarë të Hetemit, mesa duket kishin harruar se ç’kishin lënë pas dhe çfarë i priste kur të ktheheshin, teksa gëzonin e festonin sikur “Vila Sofia” të ishte shtëpia e të gjithëve, “pronë e përbashkët”. Fillimisht mendova se, ky perceptim optimist, mbase krijohej për shkaqe subjektive, që lidheshin me miqësinë dhe dashamirësinë time të hershme ndaj Hetemit dhe familjes së tij. Por fjalë e shprehje të tilla uruese si: “Qofsh i bekuar, që po i kthen shpresën gjithë krahinës së Buzit!”, më jepnin në drejtë në konstatimin e bërë. Gjithësesi, mund të gabonin sytë, por jo zemra. Sepse, po aq sa për investimin e realizuar, Hetemi përgëzohej edhe për iniciativën e ndërmarrë, për hapin e hedhur drejt rikthimit në vendlindje; pra për faktin që po bëhej shëmbull frymëzimi. Shpesh në jetë, na qëllon që të mbetemi pasiv e të parealizuar, duke na mbuluar mjerimi dhe prapambetja, thjeshtë për mungesë të një shembulli të tillë. Krahina e Buzit, ku bënë pjesë edhe Gllava e “Vila Sofia”, e ka shumë të domosdoshëm këtë lloj udhërrëfimi, për shkak të braktisjes masive që ka ndodhur, pothuajse në çdo fshat të saj. Sidoqoftë, jemi ende në ditën e parë, rrethuar nga optimizmi “i pa fre”, që prodhon shpirti, zemra e tradita në raste të tilla. Të shohim çdo të ndodh më tej. Por pak skepticizëm, gjithësesi dukej …

***

E enjte, 19 janar 2023. Ende nuk janë mbushur tre vite të plota nga dita e inagurimit të “Vila Sofia”, krahasuar me atë fillim korriku të 2020-ës. Duhen të presim edhe 5-6 muaj të tjerë. Në përbërje të Shoqatës “Tafil Buzi” më krijohet mundësia të vij sërish këtu, këtë herë “në palcë të dimrit”. Ishte një aktivitet i përbashkët, edhe me pjesmarrjen e këngëtarit të mirënjohur buziot, Ylli Baka. Përgjithësisht, isha i informuar për arritjet mbreslënëse të këtij biznesi, qoftë drejtpërdrejtë nga miku im i vjetër Hetemi, ashtu dhe nga media, shkrimet apo kronikat e të cilës e përshkruajnë me superlativa rrugëtimin e bërë. Cilësime të tilla duken pak të fryra në pamje të parë, por po të kemi parasysh kohën e shkurtër, pengesat dhe vështirësitë e njohura infrastrukturore të zonës; s’ka diskutim, që për “Vila Sofia”, gjithëçka tregohet me vërtetësi dhe realizëm.

Pati një moment gjatë aktivitetit të mësipërm, kur së bashku me shkrimtarin dhe publicistin e mirënjohur, Thanas Dino qëndruam pak vetëm me Hetemin. Qe çasti kur plotësova dhe apdeitova informacionin, që ishte shumë herë më i bollshëm, se sa ai që dija. Nuk u besova veshëve kur dëgjova shifrën e rreth 3000 turistëve të huaj që kishin vizituar “Vila Sofia”, në harkun e pak muajëve. Të shumtë në numër, por një pjesë e mirë edhe “me klas” e cilësi, përsa i përket vendeve nga vinin. “Shumica, -thotë Hetemi, -janë nga vendet perëndimore; anglezë, amerikanë, hollandezë, danezë, gjermanë, spanjollë, francezë, austriak, italianë, zviceranë, suedezë, belgë, finlandezë, norvegjezë… Nga vendet e lindjes më pak; kryesisht çekë e polakë; por edhe letonezë, bjellorusë, ukrahinas, pakistanezë… nga gjithë bota. Nuk kanë munguar as ata nga Brazili, Alaska, Zelanda e Re, etj. E pëlqejnë shumë natyrën e zonës; relievin, pyjet, bimësinë, produktet bio, ajrin e freskët me “0” lagështi…”. 

Teksa dëgjon këtë panoramë shifrash e faktesh me turistë të huaj, në një vend apo zonë, ku “të huajtë” e fundit, parë në këto anë, ndoshta kanë qënë ushtarët pushtues të Luftës së Dytë Botërore, s’ka ç’të duhen tregues të tjerë, qoftë dhe ata për numrin e madh të vizitorëve apo turistëve vendas, ku në krye qëndron Tirana; e pasuar nga Berati, Fieri, Gjirokastra, Elbasani, etj., por që nuk mungojnë as qytetet bregdetare, si; Vlora, Durrësi e Saranda.

Ç’ne gjithë ky interes, për një vend, ku siç e kemi përmendur herë pas herë, mungon infrastruktura minimale?! Ç’rol ka këtu natyra dhe sa i plotëson “mungesat” e saj, dora e njeriut? Apo ndoshta gjithëçka duket e jashtëzakonshme këtu, për shkak se s’ka me ç’të krahasohet rreth e qark?

Këto e shumë pyetje të tjera do të të dalin përpara herë pas here, deri sa të bindet edhe skeptiku më i fundit, se nuk po fantazojmë në asgjë; përkundrazi kemi ende shumë gjëra të tjera për të thënë.

Treguam pak më sipër për Hetemin; familjen, jetën, punët, biznesin në Tiranë…, por talenti dhe shpirti sipërmarrës i tij shfaqin një dimension të ri, prej “babaxhani”, këtu në vendlindje. E “vodha” këtë term nga një status fb i Ministres së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, znj. Frida Krifca: “Me Hetemin, babaxhanin e Vila Sofia në Gllavë, diskutuam mbi interesin e madh të vizitorëve për të zbuluar bukuritë e zonës, si dhe rrjetin e bashkëpunimit që ka krijuar me barinj e fermerë për të furnizuar bujtinën me prodhime të zonës…”.

Sa i gjetur ky term! Hetemi është vërtetë një biznesmen “babaxhan”. Jo dhe aq për llojin dhe masën e investimit, se sa për vendin ku ka investuar dhe impaktin pozitiv që ka krijuar nëpërmjet këtij investimi në të gjithë zonën, qoftë edhe duke mos i futur fare në llogari, fjala vjen; rreth 50 mijë euro për shtrimin pjesor me bitum dhe 100 kamion zhavor për riparimin e një segmenti rrugor prej 5 km; shpenzime këto të nxjerra nga xhepi i tij, ndërkohë që të tjerët, jo më lekë, por edhe fjalën e mirë, zor se e nxjerrin nga goja. Se, ca nuk dinë të mendojnë mirë, sepse kështu janë edukuar tërë jetën; të tjerët nuk duan, sepse janë ziliqarë, zemërliqë e mosmirënjohës. Por jeta kjo është!...

Duke mos u ndalur tek rastet individuale, që janë frymëzuar për t’u rikthyer me investime sado të vogla në krahinë, qëndrojmë edhe pak tek impakti i përgjithshëm social-ekonomik që ka krijuar kudo “Vila Sofia”. Mendoj, se edhe vetë sjellja e qeveritarëve dhe të zgjedhurve karshi krahinës ka ndryshuar prej saj. Ata nuk vijnë më si turistë elektoral, po për punë. Sepse janë bindur që ka mundësi dhe resurse; ka sipërmarrës të një formati ndryshe nga ata që shohin interesin e ngushtë vetijak dhe investojnë e sponsorizojnë vetëm në tregun komercial, pa përfillur interesat bazike të shoqërisë dhe komuniteteve. Ndërkohë mund të themi me bindje, se “Vilas Sofia”duhet të jetë bërë një ndër shkaqet, për të mos thënë kryesori, që projekti i rehabilitimit të Rrugës Ballban-Berat të jetë gati për zbatim shumë shpejt.

Nga ana tjetër, në saj të këtij biznesi, qysh prej dy vitesh, menysë së aktiviteteve të Bashkisë Memaliaj, i është shtuar dhe ai i çeljes së sezonit turistik. Ky i sivjetshmi, do të jetë i treti. Edhe më i begatë se dy të parët.

Po të shkosh tani në Gllavë tek “Vila Sofia”, Hetemin e gjen atje mes punëtorësh. Po shtohen kapacitet akomoduese. “Vitin e kaluar në muajtë e verës, -thotë ai, -në ditë të caktuara nuk kishte dhoma bosh për turistët e huaj, ndaj po shtoj 5 dhoma druri dhe një sallë eventesh. Në vazhdim kemi projekte dhe me ambicioze shtimi e zgjerimi të kapaciteteve”. Gjithëçka është e kuptueshme, ndërkohë që guida turistike e “Vila Sofia”; me “Shkëmbin e Bardhë”, “Ujvarën dhe Urën e Gigovës”, “Lisin me tri zemra”, “Liqenin e Komarit”, “Çukën e Gllavës”, “objektet e kultit”, “tunelet e komunizmit”; dorë më dorë e gojë më gojë, ka shkuar deri në skajet më të largët të globit, si sugjerim për të tjerë, i atyre që i kanë parë e shijuar këto mrekulli natyrore.

***

…Në kthim ndalëm për pak çaste në Malas. Fishkëllima e erës, që vjen që nga mali i Tomorrit, grindet me shpatet e “Çukave të Gllavës”, për të zbritur si fllad mbi çatinë e “Vila Sofia”, poshtë në fshat. Ndoshta Hetemi ka ndaluar këtu jo si vizitorë, por me idenë e ndonjë projekti të ardhshëm. Është e pamundur që ky vend stragjik, ku janë bërë plane lufte, dhe nga vet Skënderbeu e strateg të tjerë ushtarak, vendas e të huaj, t’i ketë shpëtuar plan-biznesit të njeriut, që

në më pak se tre vite, nëpërmjet biznesit të “Vila Sofia” në vendlindjen e tij Gllavë, nisi të bëjë historinë e rigjallërimit të një krahine të tërë, siç është Buzi, me plotë 28 fshtara dhe një territor diku tek 180 km2.

Nga Feti Zeneli

 

Lini një Përgjigje