Polonia gjen fitoren e parë në Katar 2022 duke mposhtur surprizën e javës së parë, Arabinë Saudite. Polakët triumfojnë me rezultatin 2-0 falë golave të Piotr Zielinski dhe Robert Lewandowski, por një rol të rëndësishëm luajti edhe portieri Wojciech Szczesny që më parë priti një penallti të goditur nga kapiteni i Arabisë Saudite, Al Daësari.
Kërcënimi i parë vjen nga Arabia Saudite që ka një mundësi të mirë me Mohamed Kanno, por Wojciech Szczesny tregohet i vëmendshëm dhe nuk e lejon topin të shkojë drejt rrjetës. Nga ana tjetër përgjigjet Polonia që në mundësinë e parë reale që i jepet realizon golin që prish ekuilibrat e takimit. Lewandowski pason mirë në brendësi të zonës për Zielinskin që nga shumë pranë katërkëndorit e çon topin në rrjetë.
Përpiqet të kundërpërgjigjet Arabia Saudite që ka shansin e artë për të vendosur baraspeshën në fundin e pjesës së parë. Një ndërhyrje e gabuar ndaj Saleh Al Shehri në zonë detyron gjyqtarin të akordojë një 11-metërsh pas konsultimit me sistemin VAR. Megjithatë, kapiteni Al Dawsari nuk tregohet i saktë dhe goditja e tij pritet nga Wojciech Szczesny që nuk i lejon arabët të realizojnë golin që do të rivendoste ekuilibrat.
Në pjesën e dytë, është Arabia Saudite që hidhet në sulm për golin e barazimit, por Szczesny është në një ditë të mirë dhe nuk kalohet nga asnjë tentativë e arabëve. Reagon edhe Polonia me Lewandowskin që fillimisht ndalet nga shtylla. Në fundin e takimit, kur Arabia Saudite luan gjithçka për një barazim, një gabim në mbrojtje kthehet në dhuratë për polakët.
Aty është Robert Lewandowski që i vetëm përballë portierit nuk gabon dhe realizon golin që vulos fitoren e Polonisë në 2-0, por ylli polak realizon gjithashtu edhe golin e tij të parë në një kampionat Botëror.
Me këtë fitore, Polonia ngjitet në krye të grupit C me 4 pikë, e ndjekur nga Arabia me 3, Meksika me 1 dhe Argjentina me 0. Megjithatë, argjentinasit kanë ende pa zhvilluar sfidën ndaj Meksikës.
pavaresisht rezultati keta sauditet me befasuan serish... s'merret vesh kjo pune na dolen arapet te zote edhe ne futboll...