“Nuk duam më fatkeqësi”, Veliaj: Vora nuk e harron kurrë Gërdecin!

10 Maj 2023, 17:01Politika TEMA

“Nuk duam më fatkeqësi”, Veliaj: Vora nuk e harron

Vora ishte ndalesa e radhës e Drejtuesit Politik të Partisë Socialiste për Qarkun e Tiranës, Erion Veliaj. Ai kërkoi votën për Blerim Sherën, i cili fitoi në zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 Marsit 2022, dhe rikandidon për një mandat të plotë.

Teksa kërkoi votën, jo vetëm të socialistëve, por edhe të demokratëve, për Blerim Sherën në Bashkinë e Vorës, drejtuesi politik i PS për Qarkun e Tiranës, Erion Veliaj, tha se qytetarët nuk duhet të votojnë për ta çuar vendin mbrapa, në fatkeqësi si ajo e Gërdecit. Veliaj tha se PD të vetmen gjë që e ka me provë është se di ta bëjë vetëm gropë.

“Kur këta thonë që te sheshi ‘Skënderbej’ do bëjmë një gropë të madhe dhe nga gropa do dalim në anën tjetër, ju në Vorë sidomos, e dini që këta po e thanë që bëjnë gropë, këta e bëjnë vërtet gropë. Kush ka jetuar këtu e di shumë mirë gropën e Gërdecit. Këta e bëjnë gropë që ç’ke me të! Në qoftë se ka një premtim që PD, Saliu dhe Ilir Meta e mbajnë, është se këta e bëjnë gropë. Dhe këta marrin jetë njerëzish kur e bëjnë gropë. Këta të bëjnë hatanë që ti nuk e harron kurrë, tërë jetën. Këtu ka familjarë që jetuan dhe mbijetuan tragjedinë e Gërdecit. Ne nuk e duam gropë! Ne nuk duam më fatkeqësi. Nuk duam të kthehemi më mbrapsht. Ne duam të shkojmë vetëm përpara për të ecur, për të përparuar, për të mbaruar punë, për të mbajtur premtimet dhe për t’u siguruar që çunat dhe gocat e Vorës kanë një të ardhme. Nuk ka nevojë të bindemi ne. O e di Vora se ç’a të bën Saliu me Shkëlzenin, o nuk e di njeri. O e di Vora se çfarë të bën Fatmir Mediu me Ilir Metën, o nuk e di asnjë njeri tjetër,” deklaroi Veliaj.

Ai tha se ashtu si në zgjedhjet e një viti më parë, ku PS mori 70% të votave, edhe në 14 maj Vora do të votojë të shkojë vetëm përpara.

“Ne do sigurohemi që të kemi një fitore 5 – 0 në Qarkun e Tiranës. Ashtu si ekipi i Vorës që u ngrit shumë herë më i fortë dhe më i fuqishëm, ashtu dhe skuadra jonë është super në formë për një rezultat 5 - 0. Ne duam jo vetëm familjen tonë, por ne duam që edhe të tjerët të bashkohen me ne. Ne duam që edhe ata që kanë qenë deri dje me Saliun dhe me Shkëlzenin, të kuptojnë që nuk mund të votosh për dikë që të dhunon, nuk mund të japësh besimin për dikë që të shkatërron, nuk mundet t’i japësh kontratën të të shërbejë dikujt që të hedh në erë. Ne duhet të tregojmë se ky është një qytet me dinjitet. Që nuk ka asnjë votë për ata që e kanë hedhur në erë, për ata që kanë hapur 26 varre, për ata që e kanë dhunuar Vorën, por ne kemi votë, kemi marrëveshje, kemi besëlidhje me Blerim Sherën, skuadrën e tij, skuadrën e Partisë Socialiste, skuadrën e familjes sonë të madhe të Vorës, ekipin e Vorës, çunat dhe gocat e Vorës dhe gjyshet dhe gjyshërit e Vorës. Kjo është aleanca jonë,” deklaroi drejtuesi socialist i Qarkut.

“Ne vumë në provë Blerimin për 12 muaj dhe zbuluam se zemrën e ka të kuqe, se mëngët i ka të përveshura, zbuluam që idetë i ka të qarta dhe që premtimet i ka të mbajtura. Por pyetja është, kë ka përballë Blerimi? Njërin që vjen nga Tirana. Njërin që, si Saliu, nuk e dinte ku binte Vora. Njërin që mendon se Vora janë vetëm këto xhamat e autostradës; njëri që e humbet rrugën se nuk di as të dalë nga oborri për të gjetur ku është Vora. Ne nuk na duhen këta që vijnë të katapultuar. Ua qaj hallin edhe Saliut, edhe Ilirit. Nuk gjejnë kandidat nga Vora, kështu që duhet me i sjell nga një qytet tjetër,” u shpreh Veliaj.

Ai tha se për ata që, po ashtu kërkojnë votat në këtë bashki, Vora është thjesht një pasazh tre sekonda gjatë rrugëtimit për në Lalëz, ku kanë vilat e tyre luksoze. Ndërsa, për Partinë Socialiste, Vora është një destinacion. “E shikoni këtë autostradë? Saliu dhe Iliri kalojnë këtu përditë, që të shkojnë në Lalëz. Kthehen në Vorë vetëm kur kanë fushatë. Për ata, Vora është tre sekonda nga xhami i makinës. Nëse Vora për ta është tranzit, për ne është destinacion. Destinacion për stadium, destinacion për lagjen e re, destinacion për shkollën e re, destinacion për kopshtin e ri, destinacion për Stacionin e ri të Trenit, që lidh Durrës-Vorë-Tiranë, Tiranë-Vorë-Rinas. Vora për ne është një dashni e madhe”, shtoi Veliaj.

Ai tha gjithashtu se, ashtu si në Kavajë, edhe në Vorë, PD dhe Sali Berisha i ka përdorur njerëzit vetëm si mish për top. Ndërsa, PS në të pesta bashkitë e Qarkut të Tiranës do të fitojë bindshëm. “Këta besojnë se qytetet janë xhepa për të varur xhaketën. Saliu për 30 vjet thoshte: “Në Vorë kam varur xhaketën, në Kavajë kam varur xhaketën, në Kamëz kam varur xhaketën. Mjafton të var xhaketën dhe t’i përdor njerëzit si mish për top, që të mbush autobusët për të bërë protesta në Tiranë”. Sot mesazhi që na vjen nga Kavaja është se aty nuk e ka varur xhaketën askush dhe Kavaja do votojë që të ecë përpara. Sot mesazhi që vjen nga Rrogozhina është se aty nuk e ka varur xhaketën askush dhe Rrogozhina do të votojë që të ecë përpara. Sot mesazhi që vjen nga Kamza është se aty nuk e ka varur xhaketën askush dhe Kamza do të shkojë përpara. Por qershia mbi tortë do jetë Vora, që do na japë mesazhin dhe fitoren më të thellë të një qyteti që do të ecë vetëm përpara,” e mbylli Veliaj fjalën e tij.

2 Komente

  1. J
    Jorgo

    Po Fiqo??

    Përgjigjjuni
    1. A
      AI

      Shiko Tiranen o Eri se do e humbesh...

      Përgjigjjuni

      Lini një Përgjigje