Kupa e Shqipërisë, përcaktohen 4 çiftet çerekfinaliste

8 Dhjetor 2010, 18:30Sport TEMA

Ndeshjet e kthimit në turin e dytë kanë përcaktuar dje katër çiftet çerekfinaliste të edicionit të 59-të Kupës së Shqipërisë.

Vllaznia-Laçi, Shkumbini-Dinamo, Bylis-Tirana dhe Besa-Skënderbeu, janë çiftet çerekfinaliste që do të përcaktojnë katër ekipet që do të vijojnë më tej në Kupën e Shqipërisë.

Vllaznia nuk pati asnjë problem përballë Elbasanit me rezerva, duke fituar 4-0 në përballjen e kthimit, pasi i kishte mundur verdheblutë edhe në ndeshjen e parë 1-0. Përballë shkodranëve do të jetë Laçi, që eliminoi Gramozin. Skuadra kurbinase e fitoi 4-0 ndeshjen e kthimit, pas barazimit 2-2 në takimin e Ersekës.

Pasi e mposhti 3-1 në transfertë në sfidën e parë, Shkumbini arriti një barazim 2-2 përballë Kastriotit në Peqin, duke siguruar biletën e çerekfinales. Skuadra e Përparim Daiut (që zuri vendin e Agim Canajt të dorëhequr) gjen Dinamon, që eliminoi Kamzën. 2-0 ishte rezultati i takimit të dytë mes Dinamos dhe Kamzës, por kryeqytetasit ishin me një këmbë në çerekfinale pas suksesit 3-2 në ndeshjen e parë.

Surprizën e vetme në turin e dytë të Kupës e dhuroi Bylisi, që eliminoi Flamurtarin. Pasi i mori një barazim pa gola në Ballsh, skuadra mallakastriote fitoi 1-0 në Vlorë, falë golit të Gegës në minutën e 11-të. Përballë Bylisit vihet Tirana, që kaloi me sukses Adën e Velipojës. 24 herë kampionët barazuan 2-2, por fitorja 3-0 në transfertë i jep të drejtën të vijoë më tutje.

Velija i dha kualifikimin Besës përballë Lushnjës, me golin e shënuar pas 15 minutash, në takimin e zhvilluar në Kavajë. Sfida e parë kishte përfunduar pa gola. Skënderbeu është kundërshtari i mbajtësve të Kupës në fazën tjetër. Korçarët eliminuan Teutën, falë fitores 2-0 në Durrës. Takimi i Korçës kishte përfunduar me rrjeta të paprekura.

Lini një Përgjigje