Mësimet nga zgjedhjet

15 Dhjetor 2010, 21:24Blog TEMA

Nga Augustin Palokaj

Janë shumë mësime që mund të nxirren nga zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë madje jo vetëm për kosovarët, por edhe për atë që njihet si “faktori ndërkombëtar”. Për të dyja palët kryefjala e sfidës që e kanë nxjerrë në shesh këto zgjedhje është “NDARJA”. Kosova është e ndarë, serbët e Kosovës janë të ndarë e për nga preferenca partiake ka një lloj ndarjeje rajonale edhe mes vetë kosovarëve me kombësi shqiptare.

Natyrisht, ndarja më e rrezikshme është ajo territoriale. Beogradi, me mekanizmat e vet, që janë toleruar dhe vazhdojnë me vite të tolerohen në veri të Kosovës, po dëshmon se në një mënyrë e mban nën kontroll këtë vend me gjithë parakalimin e KFOR-it dhe të EULEX-it, apo edhe të UNMIK-ut. Dalja diç më e madhe se 1 % në veri të Kosovës në votime tregon sesa e ndarë është Kosova dhe sa të ndarë janë edhe serbët e Kosovës. Dëshmon kjo se Beogradi dhe serbët aq janë të përkushtuar të arrijnë ndarjen e Kosovës, saqë nuk hezitojnë as nga përdorimi i dhunës. A do të ketë fuqi qeveria e re, EULEX-i dhe NATO-ja, që ta ndalin ndarjen e Kosovës dhe a do të ketë fare vullnet politik për këtë, mbetet pyetje e cila tash duket edhe më e vështirë për të gjetur përgjigje sesa para zgjedhjeve.

Një sfidë të madhe ka nxjerrë edhe suksesi i madh i lëvizjes “Vetëvendosje”, e cila do të jetë një opozitë e zëshme në parlamentin e Kosovës. Themi “opozitë”, për shkak se është vështirë të besohet se ndonjë subjekt politik në Kosovë, PDK apo LDK, varësisht se cila do ta marrë mandatin për të provuar ta bëjë qeverinë, do të ketë guxim t’i ofrojë koalicion “Vetëvendosjes”. Frika nga faktori ndërkombëtar, ndaj të cilit do të ndiejnë nevojë të jenë servile, edhe në të ardhmen, dhe domosdoshmëria që në qeveri të ketë edhe serbë, e bën të vështirë për dy partitë më të mëdha që të ftojnë “Vetëvendosjen” në qeveri. Po ashtu kundërshtimi i dialogut me Beogradin, sulmi ndaj veturave të BE-së dhe ideja për bashkimin me Shqipërinë e bën “Vetëvendosjen” një partner të cilit pakkush mund t’i ofrojë koalicion. E pa “Vetëvendosjen” cilësdo nga dy partitë më të mëdha krijimi i qeverisë i bëhet një ekuacion me shumë të panjohura.

Së paku tri subjekte politike do të duhej të bashkoheshin për të krijuar qeverinë e ardhshme të Kosovës. Nëse i mbajnë fjalët dhe nuk bëjnë koalicion mes vete PDK-ja dhe LDK-ja, atëherë për herë të parë Kosova do të ketë një opozitë jo vetëm të zëshme, por edhe të fortë. Pasi kosovarët dhanë mendimin e tyre radhën e kanë “ndërkombëtarët”, të cilët, si duket, edhe kësaj radhe do të japin “këshillat miqësore” për krijimin e qeverisë. Nëse ata do të jenë faktorë vendimtarë, atëherë vetëm duhet t’i lusim që, përpos një qeverie të fortë dhe stabile, të na krijojnë dhe një opozitë të fortë dhe stabile, përndryshe duhet t’i themi lamtumirë demokracisë në Kosovë.

Fenomeni i “afatit kalimtar” ( siç është quajtur me fjalorin sportiv kalimi i politikanëve nga një parti në tjetrën në prag të zgjedhjeve), mund të jetë një sëmundje që mund të vazhdojë në Kosovë edhe pas zgjedhjeve dhe pasi deputetët të betohen si anëtarë të Kuvendit të ri të Kosovës. Mund të ketë të tillë që kanë fituar vendin në kuvend në listën e një subjekti që do të kalojë si mbështetës i partive të tjera dhe në këtë mënyrë mund të ndikojnë edhe në krijimin dhe funksionimin e qeverisë. Nuk do të jetë diçka e re nëse në Kosovë vazhdon të përsëritet fenomeni i politikanëve që janë gjithmonë në shitje.

Kushdo dhe sido që ta krijojë qeverinë e re shumë shpejt do të kuptojë se Kosova nuk është ashtu siç e kanë përshkruar në fushatën zgjedhore dhe  se premtimet e dhëna në fushatë nuk do të mund të realizohen. Kosova është vendi më i varfër në Evropë, me papunësinë më të madhe. Vendi i vetëm në Ballkan, qytetarët e të cilit nuk kanë liberalizim vizash me BE-në dhe nuk do të ketë së paku edhe dy deri në pesë vjet, vendi me deficitin më të madh tregtar në Evropë dhe pothuajse me prodhimtarë jo-ekzistente vendore. Kosova është i vetmi vend i rajonit, i cili nuk ka kontrata me BE-në dhe kur t’i bëjë ato, do ta shohë se në fillim do të kenë pasoja negative në ekonominë kosovare.  Dhe Kosova në raportet me bashkësinë ndërkombëtare ka hyrë në një fazë të re të “status quos”, e cila mund të zgjasë me vite, pasi që nuk ka shenja se mund të njihet si shtet nga pesë vendet e BE-së, katër të NATO-s, me çka integrimi në këto dy organizata mbetet formalisht mision i pamundur derisa këto dy organizata ta lënë qëndrimin e “status neutral” ndaj Kosovës dhe të fillojnë ta trajtojnë si shtet.

Dhe sfida më emergjente është që në mënyrë të qetë, por të shpejtë dhe të paanshme të adresohen shqetësimet për parregullsi që kanë filluar të dëgjohen që nga dita e zgjedhjeve dhe vazhdojnë të rriten pas përmbylljes së tyre.

Lini një Përgjigje