Kosova në kutinë e jashtëzakonshme

11 Dhjetor 2010, 20:37Blog TEMA

Nga Bardh Frangu

Të premten përrallat për të rritur mbaruan. Sipas fabulave të këtyre përrallave, shtëpia e re e Kosovës duket shumë e bukur dhe shumë e pasur, por në fakt ajo është një shtëpi me shumë probleme. Në të mungon uji për ta pastruar fytyrën. Në të mungojnë dritat për t’i parë hajnat si e vjedhin atë.

Në të mungon një copë pasqyrë për ta parë veten banorët, të cilët sillen nëpër një oborr pa mezhda të caktuara. Të shtunën, në heshtje, qytetarët do të mund t’i kujtojnë të gjitha këto para se ta hedhin vullnetin e tyre në kutitë e Zgjedhjeve të Jashtëzakonshme. Ata do ta hedhin vullnetin e tyre me shpresë se kjo kuti e jashtëzakonshme do të prodhojë një efekt, i cili do të reflektonte më shumë përgjegjësi tek të zgjedhurit tanë, të cilët më në fund duhet të merren me banorët keqbërës të saj që na kanë sjellë në këtë shkallë degradimi të çdo vlere.

Me këtë rast është mirë të kujtojmë se zgjedhjet e lira dhe të ndershme, janë simboli më i dukshëm i demokracisë. Procesi zgjedhor dhe rrjedha e tij bën dëshminë më të mirë të shkallës së vetëdijes qytetare, përkatësisht verifikimin e saj. Zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë instrumenti i vetëm i cili pushtetit i jep legjitimitet për të kryer funksionin e vet në interes të publikut. Nëse pushteti është i obliguar që të kujdeset për një proces zgjedhor të ligjshëm, qytetarët gjithashtu janë të obliguar që të respektojnë rregullat e këtij procesi, sepse të zgjedhurit do të jenë prodhim i vullnetit të tyre.

Në këtë mënyrë edhe funksionalizohet procesi demokratik, kaq i nevojshëm për momentin në të cilën gjendet Kosova si shtet i ri i ngarkuar me shumë probleme që bëjnë sfida jo lehtë të kalueshme. Në favor të kësaj dëshmon rasti i vrasjes së vullnetit dhe lirisë në pjesën veriore të Kosovës. Vrasja e nj aktivisti politik dhe plagosja e një tjetri, që të dy përfaqësues të komunitetit boshnjak, bëjnë dëshminë më të mirë se sa e zorshme është bërja e lirisë dhe demokracisë në hapësirat kosovare, ku shteti i ri ende nuk ka kufi të qëndrueshëm, nëpër të cilin lëvizin lirshëm bandat kriminale. Ky akt barbar, që ndërlidhet me zgjedhjet, është tentimi më i dukshëm për vrasjen e lirisë dhe demokracisë në këto hapësira. Ky akt barbar do të ishte motivi më i fuqishëm që të reflektojmë mbi një kulturë demokratike e cila do të ruante dhe siguronte vullnetin e hedhur në kutinë e votimit. Mbase janë edhe shumë obligime tjera jo vetëm morale, por edhe politike që na obligojnë për një proces normal zgjedhor.

Kutia e së dielës duhet të mbushet me një vullnet që do të dëshmonte respektin për unitetin në dallime dhe për një avancim të zhvillimit të demokracisë. Kutia e së dielës në asnjë variant nuk guxon të ngjajë me atë të Shqipërisë nga zgjedhjet e qershorit të vitit të kaluar, e cila u shndërrua në ngërç politik për të prodhuar pasoja jo të vogla edhe në udhën e integrimeve evropiane. Shih për këtë edhe parlamentarët e BE-së bënë thirrje që të mos i bëjmë gabimet e Shqipërisë. Sigurisht ata kur kanë bërë këtë thirrje kanë pasur parasysh faktin se në zhvillimet tona politike ka shumë modele të këqija që ka kohë po i huazojmë nga politika shqiptare. Edhe përfaqësuesit e Quintit dhe të misioneve tjera ndërkombëtare në Kosovë kanë ftuar qytetarët që të dalin në zgjedhje, ndërsa nga partitë politike kanë kërkuar që të respektojnë vullnetin e qytetarëve. Ata këtë thirrje e kanë bërë mbështetur në faktin se partitë tona janë dëshmuar si subjektet më të korruptuara dhe si shkelësit më të mëdhenj të ligjit. Në fakt këto subjekte me rëndësi jetike për bërjen dhe ndërtimin e shtetit të Kosovës, kanë kërkuar që të mos përsëriten ato eksese dhe parregullsi nga zgjedhjet lokale të vitit të kaluar. Edhe Komisioneri i Zgjerimit të BE-së, Stefan Fule, ka bërë thirrje për zgjedhje përnjëmend të lira, në mënyrë që të rritet kredibiliteti shtetëror dhe demokratik i Kosovës.

Sartri ka konstatuar se “njeriu është i dënuar të jetojë i lirë”. Në këtë kuptim liria është përgjegjësi. Njëkohësisht kjo është edhe përgjegjësi morale. Nëse është arsyeja ajo që përcakton vullnetin, ndërsa vullneti vendos për zgjedhjen, kjo gjë nuk ka si të mos ndërlidhet me përgjegjësinë morale. Ndaj të veprosh drejt është obligim. Edhe Kanti ka vlerësuar se autonomia e vullnetit është principi kryesor i të gjitha zakoneve morale. Është me rëndësi shumë që vullneti të delegohet tek ata të dinjitetshmit si qëllim e jo si mjet. Në këtë mënyrë ne bëjmë që të zvogëlohet masa e krizës së madhe morale që ka prodhuar të gjitha të këqijat tjera, të cilat edhe janë theksuar nëpër raportet e ndryshme të subjekteve ndërkombëtare.

“Virtyti ndiqet në jetën reale”, thoshte Diogjeni. E kutia është vendi më i mirë ku mund të reflekton virtyti ynë dhe prej nga mund të bëhet i dukshëm. E ne kemi obligim që të ndërtojmë së pari një imazh më të mirë për shtetin e ri, pastaj edhe institucione që do të funksiononin në mbështetje të përgjegjësive dhe jo të privilegjeve. Kjo gjë do të duhej t’i obligonte edhe optimistët me përvojë, të cilët shpesh cilësohen si pesimistë në kuptimin pezhorativ.

Nuk ka dilemë se fitorja më e madhe e Kosovës do të ishte një proces zgjedhor normal dhe me standarde të pranueshme edhe nga subjektet ndërkombëtare. Asnjë subjekt politik nuk ka të drejtë që në emër të fitores së vet të deformojë këtë proces në dëm të Kosovës.

1 komente në “Kosova në kutinë e jashtëzakonshme”

  1. Sauksi says:

    me vjen mire qe tema eshte kaq realiste sa qe duket sikur ja ka kushtu paraprakisht kete numer gazete zgjedhjeve ne kosove

Comments are closed.

Lini një Përgjigje